E Diel, 1 Nëntor 2026

Kroçiera “MS Oosterdam” me 1867 turistë viziton Sarandën

TIRANË, 11 maj/ATSH/ Në qytetin e Sarandës ka mbërritur ditën e sotme kroçiera “MS Oosterdam” me 1867 pasagjerë në bord, duke sjellë një tjetër ditë të rëndësishme për turizmin detar në jug të vendit.

Drejtori i Portit të Sarandës, Admir Malaj tha sot për ATSH-në se “turistët e ardhur nga vende të ndryshme të botës, pritet të vizitojnë destinacionet turistike dhe kulturore në Sarandë dhe zonat përreth, duke kontribuar në gjallërimin e aktivitetit turistik dhe ekonomik të qytetit”.

“Mbërritja e kroçierës ‘Oosterdam’ konfirmon edhe njëherë interesin në rritje të turistëve të huaj për Rivierën Shqiptare dhe veçanërisht për Sarandën, e cila vazhdon të jetë një nga pikat më të rëndësishme turistike në vend”, tha Malaj.

Sipas tij autoritetet portuale dhe strukturat turistike kanë marrë masat e nevojshme për pritjen dhe menaxhimin e fluksit të vizitorëve gjatë qëndrimit të tyre në qytet.

“Vitet e fundit nga Saranda drejt Korfuzit është shtuar edhe numri i trageteve dhe linjave, për shkak të fluksit të lartë të turistëve ”, tha Malaj.

Për vitin 2026 porti i Sarandës është rezervuar nga 28 kroçiera, që do të sjellin turistë nga e gjithë bota.

Gjatë sezonit turistik Porti i Sarandës ka shtuar forcën e sigurisë dhe bashkëpunimin me policinë kufitare, kapitenerinë dhe drejtorinë e Doganës Sarandë.

Qyteti bregdetar i Sarandës, një nga portat që hap për vizitorët jugun e vendit, pret çdo vit mijëra turistë nga vende të ndryshme të botës, të cilët mbërrijnë në port edhe me kroçiera.

1 nga 7

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›