E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar

Bilanci provizor i të vdekurvenë aksidentin e Himarës është një gjëmë për shoqërinë shqiptare,jo vetëm për mënyrën tragjike si e humbën jetën, por edhe moshën e tyre të re. Familjet do ta kenë gjithë jetën peng e nuk do mund ta kuptojnë si një jetë njerëzore mund të pritet në mes në mënyrë aq të pakuptimtë. Një mijë e një arsye, duke filluar që nga “pse e lashë të ikte”, “e pata një parandjenjë”, do t’i mundojnë gjithë jetën prindërit e tyre, deri ditën kur do bashkohen në botën tjetër. Kush shpëtoi nga autobusi i vdekjes, do mbesë i shënjuar gjithë jetën, sa herë të hipi në një mjet transporti, apo në makthet e gjumit. Do vijë dita që plaga do zërë kore, por shoqëria duhet të bëjë analizën e ngjarjes dhe vendosi para përgjegjësisë shkaktarët e saj, që zënë fill tek qeveria shqiptare.
E dalldisur në propagandën që i bën vetes mbi rrugët gjasme të standarteve europiane, përgjegjësit e kësaj pune, dhe konkretisht Sali Berisha dhe Sokol Olldashi, fshehin një realitet kriminal, duke qënë bashkëfajtorë në vdekjen e çdo viktime të aksidenteve rrugore. Fillon ky mashtrim me rrugët që lidhin fshatrat me njëri-tjetrin, një nga të cilat është edhe e quajtura “rruga e bregut”, ku ndodhi aksidenti. Këto janë rrugë të shtruara mbi gjurmën e vjetër ekzistuese, të cilat janë ngritur për nevoja utilitare të ushtrive pushtuese në luftën e parë apo të dytë botërore, ose në kohën e Hoxhës, kur qarkullonte një mjet në ditë. Kur krijuesi i Mercedesit prezantoi shpikjen e tij, e cila ecte me 20 kilometra në orë, dhe një pjesëmarrës e uroj që së shpejti të kapte shpejtësinë e 60 kilometrave, ai mërmëriti se “gjithmonë do ekzistojnë njerëz që me fantazitë e sëmura, të prishin gëzimin”. Sot, kur edhe një traktor ecën më shpejt, rrugëve shqiptare të ndërtuara në kohën e shpikjes së makinës, ju është bërë një zgjerim minimal, ose asfaltim i ri dhe mbrojtje anësore aq e fortë sa mund ta lejojë një tender ku fusin duart që nga i pari vendit, deri tek kryetari i komunës dhe në fund, ndërtuesi. “Rruga e bregut” ishte planifikuar nga qeveria Nano të bëhej e re nga fillimi, me parametra dhe fonde europiane. Pas 2005-ës, nën moton e Sali Berishës “Prish gjyma e bëj kanaçe”, meqenëse në bërjen e një rruge të re nuk dilnin para nga tenderi pasi supervizohej nga investitorët europianë, u bë riasfaltim i rrugës së vjetër që u trumbetua si arritje e madhe. Është e gjatë diku tek njëqind kilometrat. Nëse do udhëtosh brenda limiteve të sigurisë, duhen gati katër orë ta përshkosh nga Saranda në Vlorë. Hipjet e zbritjet; kthesat 270 deri 360 gradëshe; kalimi midis mureve të shtëpive që janë në buzë të rrugës; mbrojtja anësore thuajse inekzistente, e bëjnë një rrugë të rrezikshme dhe të pangjashme në botë. Segmenti nga Qafa e Llogarasë dhe deri në Palasë është e frikshme dhe pa mbrojtje anësore. Një skopio gome; një shpërqendrim sekonde; një shmangie ndaj gurëve që bien nga faqja e malit; apo një shpejtësi tej normales, mund të bëjnë që të përfundosh si mish i grirë në breg të detit. Sfidoj gjithkënd që të sjellë qoftë edhe një shembull nga Ballkani apo Europa, që ekziston një e ngjashme e saj. Këtë rrugë Sokol Olldashi, me pafytyrësinë që e karakterizon në trajtimin e të vdekurve apo ngjarjeve tragjike, e quan “brenda parametrave”!!!
Në vitin 2005, Ministria e Transportit të Italisë bëri një studim mbi sinjalistikën, dhe me përgjegjësinë që mund ta ketë vetëm një shtet me themel respektin e qënies njerëzore, del në rezultatin se situata e vendit ishte e keqe, pasi në këtë fushë ndodhej i renditur në pozicionin e pesëmbëdhjetë në BE. Shumë nga shqiptarët që kanë pasur rastin të udhëtojnë, kanë parë se në Itali në devijimeve, paralajmërimi fillon me tabela fosforeshente apo të ndriçuara që tre kilometra përpara; mbrojtja anësore është e përforcuar në vendet e rrezikut dhe shoqërohet në gjithë gjatësinë me sinjal fosforeshent; ndarja e rrugëve bëhet me sinjalistikë masive enësh plastike të mbushura me ujë kundër goditjeve. Autostradat, përveç mbrojtëses anësore, rreth dhjetë metra tej gjurmës së asfaltit, në gjithë gjatësinë e tyre, shoqërohen nga një gardh teli i cili ndalon hyrjen e njerëzve apo kafshëve të egra. Asnjë autostradë, apo rrugë shqiptare nuk ka diçka të tillë. Një vit përpara, një autobus me emigrantë u përmbys në Mallakastër, pasi rruga ishte dhe ende është në kushte skandaloze. Vite përpara, kur ndërtohej mbikalimi në hyrje të Tiranës, Prefekti i Vlorës u vra, pasi makina u përplas në një grumbull zhavori që firma e kishte lënë në mes të rrugës, pa asnjë sinjal. Me dhjetëra të tilla ndodhin gjatë vitit për mungesë paralajmërimi, pasi fondi tenderave për sinjalistikën ruajtëse gjatë dhe pas punimeve, vidhet paturpësisht, në kohë që në botë zë 25% të vlerës së objektit. Segmentet rrugore përgjaken pothuajse me ritëm ditor, për shkak të mungesës së sinjalistikës, apo hyrje-daljet pa standarde në qytetet e fshatrat që shtrihen përgjatë tyre. Në njëzet vjet, Shqipëria ka humbur 6.000 shtetas në aksidente. Duke llogaritur se rritja dhe edukimi i një qytetari kushton rreth 1 milion dollarë, rezulton se vendi ka humbur në rrugët e tij rreth 6 miliardë dollarë. Shifrat njerëzore dhe monetare flasin vetë.
Një problem tjetër është policia rrugore. Këtë mund ta gjesh në qytet; në vija të drejta rrugësh fushore nacionale, ku të kruajnë xhepat për pak shpejtësi mbi kufirin e lejuar që për çudi është ai që mund të ecin karrocat me kuaj. Por nuk i gjen asnjëherë në vendet e rrezikshme. Gjithashtu personeli i specializuar për dhënien e ndihmës mjekësore, as që duket në evidencë. Në emisionin “Opinion” të TV Klan, një drejtues i policisë deklaronte nën prozhektorët e studios se “në evakuimin e të plagosurve në vendngjarje ishte bërë kujdes për imobilizimin e tyre”. Ndërkohë kamerat e “News 24”, të vendosura tek Spitali Ushtarak, jepnin pamje ku të plagosurit nxirreshin nga helikopteri i Petrit Vasilit të mbuluar me batanije ngjyrëndezura të blera me tender në tregun e çamëve, dhe tërhiqeshin sa nga koka e sa nga këmbët nga personat që i transportonin. Pamjet të kujtonin palestinezët në Ramallah, por jo shërbim urgjence të një vendi të NATO-s.
Së fundmi është problemi i kolaudimit të automjeteve. Ka disa vite që nën arsyetimin e rritjes së cilësisë dhe standarteve ky aktivitet ju dha një firme me etiketë zvicerane. Procedura ishte aspak transparente. Nuk kuptohej arsyeja pse ju kalua ky shërbim një monopoli, ndërkohë që në botë i afrohet çdo ofiçine që ka aparatura pak të kushtueshme për matjen e parametrave teknikë. Kjo shkakton diversitet dhe të ardhura për shumë persona, por mbi të gjitha mundëson vënien përpara përgjegjësisë në rast cilësie të munguar, kur dihet që më kollaj është të dënosh një pronar ofiçine se një pronar konsorciumi. Kjo firmë nuk ka bërë ndonjë investim ndaj atyre që trashëgoi. Ndërkohë është rritur çmim i shërbimit. A thua familja e kryeministrit nuk ka pjesë edhe në këtë aferë? Pasi nuk shpjegohet ndryshe kur në aksidentet që ndodhin, një pjesë të madhe të fajit e ka gjendja teknike e automjeteve, por ky shkak nuk përmendet asnjëherë. Në rrugët tona ende gëlojnë të famshmit “Benz 240”, prodhim i viteve ’70 të shekullit të shkuar. Në botë ky prodhim është një antikuar që ja lejojnë vetes të pasurit. Por në Shqipëri ende qarkullon masivisht. Sa janë brenda kushteve teknike, përveç Zotit, e di dhe firma e kolaudimit.
U bë pak si shpesh që vendi kalon në zi për shkak të aksidenteve rrugore masive. Ka ardhur koha që problemi të korrigjohet në rrënjë. Spektaklet si kthimi nga SHBA i kryeministrit, apo vizitat fytyrëpreokupuar të Jozefinës e Petritit në spitale, nuk i shërbejnë të vdekurve, dhe nuk sigurojnë të gjallët se në të ardhmen nuk do ndodhë prapë.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›