Krujë, operacion masiv për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike

TIRANË, 23 qershor /ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi se prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, qindra efektivë të policisë së Tiranës dhe të komisariatit të policisë Krujë, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Tiranë, po kryejnë kontrolle në shkallë të gjerë në territorin e bashkisë së Krujës, për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
Sipas policisë, operacioni, ku po përdoren edhe dronë të cilësisë së lartë, është shtrirë në territorin e fshatrave të njësisë administrative Cudhi dhe do të vazhdojë në ditët në vijim në territorin e fshatrave të njësive të tjera administrative të bashkisë Krujë.
Gjatë operacionit janë evidentuar dhe asgjësuar me anë të djegies një numër i konsiderueshëm fidanësh dhe bimësh narkotike kanabis.
Gjithashtu, gjatë operacionit, policia bëri me dije se shërbimet e Policisë kanë intensifikuar punën edhe për kontrollin e ambienteve të mbyllura, ku dyshohet se mund të kultivohet bimë narkotike duke përdorur llamba. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe Komisariati i Policisë Krujë, në bashkëpunim me OSHEE-në, po punojnë për të evidentuar zonat me risk ku mund të kultivohet kanabis.
Ndërkohë, grupet e posaçme hetimore po kryejnë veprime hetimore në terren, nën drejtimin e Prokurorisë, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
/m.q/r.e/a.f/