E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kryebashkiakët e qarkut Gjirokastër: Reforma Territoriale të shërbejë për zgjidhjen e problematikave

TIRANË, 20 maj /ATSH/ Procesi i konsultimeve për reformën territoriale vijoi sot për qarkun e Gjirokastrës, ku drejtues vendorë dhe përfaqësues të qeverisë diskutuan mbi funksionimin e bashkive, kompetencat, financimin dhe skenarët e mundshëm të riorganizimit territorial.

Bashkëkryetari i komisionit të posaçëm për reformën territoriale, Arbjan Mazniku, në nisje të diskutimeve deklaroi se procesi ndodhet në fazën e dëgjesave dhe synon mbledhjen e opinioneve nga drejtuesit vendorë për të gjithë elementët e reformës.

“Kemi bërë tre qarqe dhe kanë qenë diskutime të gjata për t’u shpjeguar kryetarëve se si është procesi. Jemi në një fazë dëgjesash dhe synimi është të marrim opinionin tuaj për të gjithë elementët e reformës, financat, territorin dhe çështje të tjera”, tha Mazniku.

Sipas tij, konsultimet synojnë të evidentojnë jo vetëm perceptimin e qytetarëve si përfitues të reformës, por edhe problematikat që lidhen me kompetencat, delegimin e funksioneve dhe mënyrën e financimit të pushtetit vendor.

Nga ana e tij, bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Administrativo-Territoriale, deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, u shpreh se reforma ka në fokus përmirësimin e funksionalitetit të bashkive dhe cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve.

“Reforma që kemi ndërmarrë ka si qëllim përmirësimin e funksionalitetit të bashkive, me fokus përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarit. Dy janë aktorët kryesorë, ofruesi dhe marrësi i shërbimit. Ofruesi janë bashkitë, ndërsa marrësi është qytetari. Qytetari është i pafajshëm, sepse është ai që pret që shërbimi ndaj tij të jetë sa më cilësor”, tha Boçi.

Boçi tha se dëgjesat e realizuara deri tani në rang qarku na kanë shërbyer, por kanë shfaqur disa problematika.

“Nga pjesa e mazhorancës, ne kemi dëgjuar përfaqësuesit e institucioneve tuaja, të cilët në përgjithësi janë të kënaqur me situatën në të cilën operon pushteti vendor dhe si i ofron ai shërbimet e veta”, vijoi ai.

Nga ana e tyre, drejtuesit vendorë ngritën shqetësime të ndryshme mbi efektet e reformës territoriale të vitit 2015, sfidat financiare dhe nevojën për rritjen e kompetencave të pushtetit lokal.

Nënkryetarja e bashkisë Gjirokastër, Artiste Koko, theksoi se reforma territoriale nuk duhet parë vetëm si ndryshim i hartës administrative, por edhe në funksion të problematikave që shfaqen gjatë ushtrimit të funksioneve.

“Një nga problematikat që solli reforma ishte bashkimi i funksioneve nga ish-komunat pa fonde të mjaftueshme për ofrimin e tyre. Në disa raste u detyruam të rrisnim tarifat për të ushtruar këto funksione”, u shpreh ajo.

Kryetari i bashkisë Libohovë, Leonard Hide solli në vëmendje shqetësimet e komuniteteve të vogla për të ardhmen e bashkive dhe nevojën për më shumë mbështetje.

“Njerëzit pyesin nëse do të ekzistojmë si bashki apo jo. Pavarësisht vështirësive financiare, sfidë mbetet forcimi i kapaciteteve dhe trajnimi i stafeve për të ofruar më shumë shërbime për komunitetin”, deklaroi ai.

Ndërkohë, kryetari i bashkisë Dropull, Dhimitraq Toli kërkoi që në procesin e reformës të merren në konsideratë specifikat e bashkive me karakteristika të veçanta.

“Duke pasur parasysh përbërjen e bashkisë nga banorë të pakicës kombëtare greke dhe detyrimet që rrjedhin nga konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e pakicave, vlerësojmë se duhet marrë në konsideratë mundësia që bashkia Dropull të mbetet njësi më vete”, tha Toli.

Kryetari i bashkisë Tepelenë, Gramoz Sako u shpreh se debati duhet të jetë më i gjerë sesa rivizatimi i hartës administrative.

“Problemi kryesor nuk është nëse numri i bashkive është i madh apo i vogël, por kompetencat e pamjaftueshme që kanë bashkitë. Reforma duhet të fokusohet te shtimi i kompetencave dhe fuqisë vendimmarrëse në nivel vendor”, theksoi Sako.

Nga ana tjetër, kryetari i bashkisë Memaliaj, Albert Malaj shprehu kundërshtimin ndaj skenarëve që parashikojnë bashkimin e bashkive më të vogla me ato më të mëdha.

“Bashkia Memaliaj nuk është rasti për t’u bashkuar me një njësi tjetër. Një lëvizje e tillë do të rrezikonte humbjen e zërit dhe identitetit në vendimmarrje, duke lënë nevojat e komunitetit në hije”, deklaroi Malaj.

Ndërsa nënkryetarja e bashkisë Këlcyrë, Albiona Hoxha vuri theksin te vështirësitë e bashkive të vogla për sa i përket kapaciteteve njerëzore dhe vetëfinancimit.

“Bashkitë e vogla e kanë shumë të vështirë vetëfinancimin, veçanërisht ato me numër të kufizuar biznesesh. Duhet rishikuar formula e shpërndarjes së financimit”, u shpreh ajo.

Diskutimet për reformën e pushtetit vendor vijojnë edhe për qarqe të tjera, në kuadër të procesit të konsultimeve me aktorët lokalë dhe institucionet përkatëse.

Komisioni i Reformës Territoriale, foto: Andrin Hoxha 1 nga 8

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›