Kryebashkiaku i Kolonjës në SPAK, Erion Isai pyetet për tenderin e një rruge

Kryetari i bashkisë së Kolonjës, Erion Isai u mor në pyetje sot nga SPAK përreth një orë.
Ndonëse nuk u tregua spercifik për mediat se pse u thirr nga Prokuroria e Posaçme, ai tha se dha disa informacione në cilësinë e deklaruesit.
Duke iu referuar edhe herës së parë që u mor në pyetje në maj të vitit 2023, ai thotë se edhe sot ishte e njëjta gjë.
“Njësoj këndshëm! Mund të them që thashë disa shpjegim shtesë nga 2023. Nuk e di nëse duhet të them çështjen. Isha deklarues. Dhashë shpjegime shtesë”, tha Isai.
Përmes burimeve, Vizion Plus mëson se Isai është kallëzuar në SPAK për katër vepra penale, korrupsion pasiv e aktiv, shpërdorim detyre, shkelje e barazisë së pjesëmarrëësve në tendera dhe për fshehje pasurie.
Në cilësinë e kryetarit të bashkisë, kallëzuesi, avokati Esmerald Xhafa, thotë se ai i ka kryer krimet e mësipërme për një tender të rrugës Ersekë-Korçë.
Po ashtu avokati ka kallëzuar edhe anëtarët e njësisë së prokurimit plublik dhe administratorin e firmës që do të kryente punimet në këtë aks.
Erion Isai u zgjodh kryetar i bashkisë Kolonjë nga zgjedhjet vendore të vitit 2023.