E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kryebashkiaku i Nju-Jorkut në Vlorë: Shqipëria, potencial të madh në turizëm dhe inovacion

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Kryetari i Bashkisë së Nju-Jorkut, Eric Adams, së bashku me një delegacion amerikan, ka mbërritur sot pasdite në qytetin bregdetar të Vlorës.

Gjatë një prononcimi për mediet, Adams ka vlerësuar zhvillimin e turizmit dhe sigurinë në vend. Adams shtoi se bashkëpunimi në fushën e turizmit dhe inovacionit është një mundësi e re për të forcuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Adams u shpreh se ka qenë një qëllim i hershëm për të ardhur në Shqipëri dhe për të parë mundësitë në fushën e biznesit dhe të turizmit.

“Epo, disa vite më parë, djali im erdhi këtu për të performuar dhe më tha se ishte një vend i mrekullueshëm. Gjatë viteve, edhe kur isha kryetar bashkie, kam bashkëpunuar me kryeministrin dhe i isha zotuar se do të vija për të parë mundësitë në fushën e biznesit, të turizmit dhe për të folur mbi çështjet e sigurisë publike. Ai më kishte ftuar të vija që para gati një viti e gjysmë, por atëherë nuk ishte momenti i duhur. Tani është koha e duhur, sepse dua të shoh zhvillimin e inovacionit.

“Kisha mundësinë të vizitoja një biznes në pronësi të një gruaje dhe të ulesha me drejtues të tjerë biznesesh për të parë si mund të zhvillojmë turizmin këtu dhe në Nju Jork, si dhe si mund të përdorim inovacionin për t’i bërë qytetet tona të funksionojnë bashkë. Nju Jorku është Shqipëria e Amerikës, aty jeton dhe komuniteti më i madh shqiptar. Shumë herë shqiptarët e Nju Jorkut më kanë kërkuar të vizitoj vendin e tyre, dhe tani më në fund erdhi mundësia ta bëj këtë”, tha Adams.

Kryebashkiaku i Nju Jorkut thekson se Shqipëria ka potencial për t’u zhvilluar në fushën e turizmit.

“Ky është një vend i mrekullueshëm. Para së gjithash, njerëzit janë shumë miqësorë. Siguria publike është e jashtëzakonshme. Mund të ecësh nëpër rrugë në çdo orë të ditës apo të natës dhe ndihesh i mirëpritur”, tha ai.

Po shqyrtojmë disa prej vendeve këtu për t’i prezantuar në fushatat tona të turizmit në Nju Jork, në mënyrë që të tërheqim njerëz të vijnë këtu dhe, në të njëjtën kohë, të inkurajojmë shqiptarët të vizitojnë Nju Jorkun. Jemi duke diskutuar edhe për mundësinë e një fluturimi të drejtpërdrejtë nga Nju Jorku në Shqipëri, diçka që e kemi realizuar tashmë me Azerbajxhanin, ku tani ka fluturim direkt. Mendojmë se kjo do të ishte një mundësi e shkëlqyer”, thotë Adams.

I pyetur për Vlorën, Adams u shpreh se “është një qytet i bukur. Shpresojmë të tërheqim njerëz nga këtu që të vizitojnë Nju Jorkun tonë të mrekullueshëm, dhe në të njëjtën kohë, të nxisim edhe njerëz nga Nju Jorku të vijnë e të zbulojnë këtë vend të mahnitshëm”.

Zëdhënësja e Bashkisë se Nju-Jorkut, Kayla Mamelak ka njoftuar se “kryebashkiaku Adams gjatë vizitës në Shqipëri, do të takohet me kryeministrin Edi Rama, drejtues të biznesit dhe teknologjisë, do të vizitojë fabrika dhe do të diskutojë mundësi të reja për rritjen e aktivitetit ekonomik dhe turizmit drejt qytetit të Nju-Jorkut”.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›