E Enjte, 5 Nëntor 2026

Kryemadhi depoziton ndryshimet ligjore: Forcim i rolit të deputetit në kontrollin e organeve publike

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi depozitoi sot në Kuvend një projektligj i cili parashikon disa ndryshime në ligjin për statusin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë.

Në një deklaratë për mediet nga kryesia e Kuvendit, Kryemadhi theksoi se ndryshimet ligjore kanë në fokus forcimin e rolit të ligjvënësit në kontrollin e veprimtarisë së organeve publike.

“Si deputete, vlerësoj se transparenca dhe e drejta e informimit janë thelbësore për ruajtjen e interesit publik dhe në luftën kundër abuzimit me pushtetin dhe korrupsionit, fenomene që janë shqetësuese në administratën qendrore dhe vendore”, tha Kryemadhi.

“Ky propozim për një rol më efektiv të deputetit të Kuvendit është mbi të gjitha një shërbim për qytetarin, në mënyrë që deputetët të kenë të gjitha mundësitë për t’u interesuar për zgjedhësit, për të ndjekur problemet e tyre, për t’i mbrojtur qytetarët nga abuzivizmi i institucioneve dhe për të ofruar zgjidhje konkrete për ta”, shton Kryemadhi.

Deputetja e Partisë së Lirisë sqaroi se ndryshimet ligjore të paraqitura prej saj parashikojnë që në rast se drejtuesi i institucionit nuk jep informacion në mënyrë të përsëritur, procedura do të përfshijë pasoja administrative dhe penale ndaj drejtuesit të institucionit, si dhe do ngarkojë me veprime konkrete Kryetarin e Kuvendit, Sekretarin e Përgjithshëm dhe Kryeministrin, për të siguruar që kjo çështje të mos mbetet në vullnetin e lirë të strukturave.

Kryemadhi e pyetur nga mediet për komisionin antikorrupsion, u shpreh se opozita nuk duhet të bojkotojë punën në Kuvend.

“Nuk jam kundër asnjë komisioni. Mendoj se bojkoti ka treguar se dëmton shumë opozitën. Megjithatë secili prej nesh duhet të bëjë punën e tij lidhur me luftën ndaj korrupsionit. Dhe pjesëmarrja në komision, por dhe mos pjesëmarrja në komision nuk ndalon asnjë deputet të bëjë punën e tij si ligjvënës në të gjithë raportet që krijojmë si ligjvënës me elektoratin, ligjin dhe medien. Nuk e di si është historia e komisionit. Pra kush e janë inisatorët, me kë janë dakortësuar dhe me kanë negociuar, konsultuar për ndërtimin e këtij komisioni. Cila është axhenda…etj. Duke mos qenë transparente lindin dyshimet dhe rritet skepticizmi mes mazhorancës dhe opozitës”, tha Kryemadhi.

“Mendoj që të qenurit një opozitë kompakte, realiste në problematikat që ka shoqëria shqiptare do të ndihmonte në procesin e krijimit të një hapësire më të madhe për ristrukturim të shoqërisë dhe jetës politike”, përfundoi Kryemadhi. /a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›