Kryemadhi në Lezhë: Ju jap besën se do zgjidh problemet tuaja 23 vjeçare
Kryemadhi në Lezhë: Ju jap besën se do zgjidh problemet tuaja 23 vjeçare
Monika Kryemadhi që kryeson listën e LSI-së në qarkun e Lezhës, deklaroi se LSI do të lidhë besëlidhjen me banorët e këtij qarku me një premtim të madh, punësimin dhe zgjidhjen e problemeve që kanë shqetësuar banorët në 23 vjet demokraci. Jam shumë e privilegjuar që kam nderin sot (dje) që të prezantoj para jush ekipin fitues të LSI. Jam këtu që të realizojmë besëlidhjen mes jush kurbinasve dhe mirditorëve. Kjo besëlidhje duhet nga ky shesh entuziast për të kthyer besimin e humbur tek politika shqiptare. Të kthejmë besimin tek atë që bëri politika, të rikthejmë në mendjen e të gjithëve atë që bëri Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Këtë do bëjmë dhe ne sot pikërisht, duke më besuar mua dhe ekipin e LSI, ne do shkojmë drejt Europës, atë rrugë që e kemi nisur rreth 600 vjet më parë. Ne do bëjmë realitet që e ardhmja të mos jetë emigracioni por puna juaj. Se e ardhmja duhet investuar kudo në çdo segment të Lezhës. Në këto ditë që kam qëndruar këtu, kam kuptuar se në çdo derë që kam trokitur se ju jeni njerëz të besës dhe unë ju jap besën këtu se do zgjidh problemet që nuk janë zgjidhur në këto 23 vjet.
*********
LSI prezanton kandidatët e saj për deputetë në qarkun e Lezhës
Meta në Lezhë: Me 23 do ti japim fund epokës së krizave
Lëvizja Socialiste për Integrim ka prezantuar dje pasdite kandidatët e saj për deputetë në qarkun e Lezhës. Ilir Meta duke folur para simpatizantëve të LSI-së në këtë qytet deklaroi se më 23 qershor duhet të marrë fund epoka e krizave, si ekonomike, politike, institucionale dhe shoqërore.
Deklarata
Është një kohë krizë sigurie për jetën, krizë politike dhe institucionale qeverisëse, krizë besimi që ka mbërthyer qeverinë tonë. Kjo krizë ka lënë mijëra familje në mëshirë të fatit, nuk po kursen humbjen e mijëra vendeve të punës. Sot të gjithë e dinë se janë rritur çmimet jo thjesht për produktet e luksit, por edhe për elementet më jetikë për të përballuar jetesën, tha ai. Punësimin ka përcaktuar si kryeaxhendë të partisë së tij zoti. Meta, ku garantoi lezhjanët se LSI do të bëjë gjithçka që ta shndërrojë post 23 qershorin si fushatë për të vënë në punë të gjithë Shqipërinë. Papunësia është problemi më i madh, mijëra shqiptarë humbasin vendin e punës, qindra biznese mbyllin aktivitetet e tyre, shitjet e bizneseve po bien në mënyrë drastike, nga ana tjetër janë qindra milionë euro që qeveria u ka borxh bizneseve për punët publike. Ndërkohë që fushat tuaja përmbyten vazhdimisht, fermerët mbjellin tre herë dhe nuk korrin asnjëherë. Çdo ditë mijëra studentë e gjejnë veten në udhëkryq, ndaj ende shumë prej tyre vazhdojnë të shpresojnë si para 20 vitesh, duke e parë shpëtimin e vetëm jashtë vendit. Por rinia është shpresa jonë dhe potenciali më i mirë. Ne angazhohemi për të pasur një rini aktive, ku diploma dhe profesioni të gjejnë vendin e punës. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka në interes të punësimit. Ne zotohemi se në 24 qershor do të angazhohemi për të vënë të gjithë Shqipërinë në punë. Vetëm kështu do arrijmë të ndërtojmë një ekonomi të sigurt familjare dhe një ekonomi të qëndrueshme dhe konkurruese kombëtare. Punësimi është kryefjala e axhendës sonë politike dhe ekonomike. Plani ynë i punësimit është një plan konkret dhe afatgjatë dhe i përqendruar në sektorët kryesorë, deklaroi Meta.
Lezha
Duke u ndalur konkretisht në qarkun e Lezhës, Meta u premtoi banorëve zhvillimin e portit të Shëngjinit, ndërtimin e një flote detare për ta kthyer peshkimin në një industri të mirëfilltë dhe bazë të fuqishme eksporti si dhe ndërtimin e një parku industrial. Qarku i Lezhës ka potenciale të jashtëzakonshme për zhvillimin e të gjitha llojeve të turizmit. Angazhohemi për të zhvilluar rezorte turistike të standardeve europiane, në Shëngjin, Tale dhe Patos. Kam vizituar disa fabrika të përpunimit të peshkut, pjesa më e madhe e tyre importojnë lëndën e parë për shkak të mungesës së investimeve për një flotë peshkimi. Ne kemi nevojë ta kthejmë në një industri të mirëfilltë, për të qenë bazë e fuqishme e eksporteve tona. Angazhohemi për ta mbështetur dhe financuar me grante ndërtimin e një flote të mirëfilltë detare. Ekonomia shqiptare ka nevojë të jetë edhe një ekonomi shërbimesh përveçse prodhuese. LSI ka qenë dhe do mbetet promotor i biznese të reja, do të fokusohet në biznesin fason, parqet industriale, industrinë tekstile. Angazhohemi për një paketë fiskale one-stop-shop për investitorët vendas dhe të huaj. Brenda dy viteve do ta bëjmë realitet parkun industrial, duke thyer çdo barrierë dhe pengesë në mënyrë që çdo i ri dhe e re në Lezhë të ketë mundësi të punësohet këtu. Një tjetër neglizhencë e qeverisë është porti i Shëngjinit, do ta kthejmë në një port të vërtetë bashkëpunimi, do bëjmë gjithçka që përmes bashkëpunimit me investitorë të huaj të kthehet në lokomotivë të zhvillimit të ekonomisë sonë, tha më tej kreu i LSI.
QARKU LEZHE
1. MONIKA KRYEMADHI
2. PETRIT GJONI
3. GJOK BUNA
4. BIB GJOMARKAJ
5. EDMOND PIROLI
6. ERISI ZAIMI
7. PRENDA SEJDIA