E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Ekonomia shqiptare mbetet dhe mbahet në stabilitetin më të sigurtë dhe të qëndrueshëm në rajon

-          Objektivi ynë kryesor është stabiliteti ekonomik, deri ditën që ne ia dorëzojmë maxhorancës së re

-          Ftoj administratën të mos ndikohet, por të vazhdojë me përgjegjësi detyrat dhe detyrimet e veta ligjore në ushtrim të pushtetit ekzekutiv në këtë vend, deri ditën që fillon mandati i ekzekutivit të ri

Kryeministri Berisha bëri të ditur sot, në mbledhjen e Këshillit te Ministrave, fakte dhe të dhëna të Komisionit Europian lidhur me situatën ekonomike në Shqipëri. Duke iu refereuar atyre, kryeministri u shpreh se situata ekonomike ne Shqipëri vazhdon në përmirësim progresiv. “Rritja  e tre mujorit të parë ka qenë 1,7 %, nuk është një rritje  e madhe, por është një rritje 4 herë më  e madhe se sa ishte rritja në tremujorin e parë të vitit 2012.” komentoi kryeministri.

Duke iu referuar të dhënave krahasuese me vende të tjera të rajonit, kryeministri konkludoi se “për kushtet aktuale të ekonomisë rajonale dhe evropiane, ekonomia shqiptare mbetet dhe mbahet në stabilitetin më të sigurtë dhe të qëndrueshëm në rajon”.

Kryeministri ftoi administratën të vazhdojë me vendosmëri zbatimin e të gjithë programit të qeverisë, deri në ditën e vendosjes së qeverisë. “Kushtetuta i ka të përcaktuara qartë kur fillon mandati i mazhorancës së re, kur mbaron mandati i mazhorancës që ikën. Unë ftoj administratën të mos ndikohet, por të vazhdojë me përgjegjësi detyrat dhe detyrimet e veta ligjore në ushtrim të pushtetit ekzekutiv në këtë vend, deri ditën që fillon mandati i ekzekutivit të ri dhe pastaj është ky ekzekutiv që do të vendosë si për programin e vet, ashtu dhe për administratën.” u shpreh kryeministri.

Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri Berisha u shpreh:

Dy fjalë zotërinj ministra dhe ministra në detyrë, për sa i përket  situatës ekonomike. Sipas KE, situata ekonomike ne Shqipëri vazhdon në përmirësim progresiv, d.m.th. rritja  e tre mujorit të parë ka qenë 1,7 %, nuk është një rritje  e madhe, por është një rritje 4 herë më  e madhe se sa ishte rritja në tremujorin e parë të vitit 2012.

Pozitive qartësisht është fakti se bilanci tregtar ka një përmirësim të ndjeshëm, nga një deficit prej – 13, ka zbritur në – 9. Është ruajtur ne parametrat e parashikuar deficiti buxhetor dhe inflacioni ishte rreth 2.4 %. Pra ekonomia vazhdon rritje, vazhdon krijimin e vendeve të punës. Vendet e punës në sektorin jobujqësor u rritën me 7,1 %  në tërësi, u rritën me 1.9% por rritja  e forcës punëtore, gjithashtu për shkak të rënies në treg të mijëra qytetarëve në procesin e urbanizimit, ka bërë që ulja e papunësisë të jetë me 0,5 %. Sidoqoftë të dhënat sipas KE, në rast se Eurozona ka në papunësi prej 12,2%, Shqipëria është i vetmi vend jashtë eurozonës, pra jashtë 15-tesh, jo 28-shme nje papunësi prej 12.8 %. Papunësia e të rinjve, po sipas kësaj statistike, është 22,8% në Shqipëri, dhe 22.2% në eurozonë, është 51 % në Serbi, është 58 % në Bosnje Hercegovinë, është 47% në Kroaci, është 48 % në Maqedoni dhe kështu me rradhë. Pra, për kushtet aktuale të ekonomisë rajonale dhe evropiane, ekonomia shqiptare mbetet dhe mbahet në stabilitetin më të sigurtë dhe të qëndrueshëm në rajon.

Ndaj dhe dua të përgëzoj të gjithë administratën për funksionimin e saj. Zgjedhjet kaluan dhe ato nuk patën ndikimin të ndjeshëm negativ në performancën ekonomike. Ftoj përsëri administratën me përkushtimin më të madh të vazhdojë detyrën, pasi interesi ekonomik dhe interesat në tërësi të shqiptarëve janë ato që duhet të frymëzojnë punën e saj.

Këto të dhëna dëshmojnë për një qëndrueshmëri dhe zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare. Ka një rritje të ndjeshme dyshifrore të prodhimit industrial, ka një rënie prej 03-04 % të ndërtimit, por në tërësi rritja është progresive krahasuar me vitin 2012, pra është një rritje  e shëndetshme.  Viti 2012 ishte më i vështirë, ekonomia pati rritje, por kjo rritje ishte me 0,4 %.

Kështu që përmbushja e objektivave të programit është shumë e rëndësishme dhe objektivi ynë kryesor është stabiliteti ekonomik, deri ditën që ne ia dorëzojmë maxhorancës së re, e cila po shfaq disa shenja revanshi të papranueshme, shenja që janë dëshmi në njërën anë e një epshi për pushtet të papërmbajtur, sepse do ti diktojë qeverisë në detyrë rregulla që janë të shkruara në Kushtetutën e Bangladeshit, i cili është një vend demokratik, por ata për të patur qeverinë teknike kanë shkruar në Kushtetutën e tyre që tre muaj para zgjedhjeve, qeveria dorëzon dhe e merr detyrën kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Ky model në Evrope nuk ekziston, përkundrazi në Evropë dhe në SHBA ka akte të  qarta, të cilat ekzekutivit i njohin kompetenca të plota, deri në ditën e dorëzimit dhe të instalimit të pushtetit të mazhoranës tjetër. Ka dhe disa pretendime që vijnë nga mosnjohja totale  e realitetit, siç është ideja e një Auditi ndërkombëtar.

Zotërinjtë duhet ta dinë se Auditi ndërkombëtar është on-line, është i përditshëm, i përjavshëm, i përmuajshëm. Përveç kësaj, Shqipëria është një ndër vendet e pakta që boton, publikon në faqen e thesarit, çdo qindarkë që shpenzohet në territorin e Republikës së Shqipërisë nga buxheti i shtetit, të nesërmen e shpenzimit të tij dhe këtë mund ta kontrollojë pa asnjë vështirësi, cilido qytetar shqiptar dhe i huaj, në mbarë planetin, por Auditin më të shkëlqyer të financave shqiptare ia ka bërë dhe ia bën siti në Londër, ku Eurobondi i Shqipërisë nga 7,6 % interesi që u ble në fillim ka zbritur në 5,6 %, pra një dëshmi e besimit shumë më të lartë se sa në vitin 2008, për financat shqiptare të vitit 2013. Është Moody’s, e cila sërish e renditi Shqipërinë në të njëjtin pozicion. Shqipëria ka përveç të tjerash, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Institucion i pavarur që kontrollon buxhetin dhe përdorimin e tij në të gjithë territorin e vendit. Unë e ftoj të marrin jo një por 5 kompani Auditi ndërkombëtar i cili është konstant, është FMN, është BB, janë të gjitha këto institucione, është KE në mënyrë të veçantë të cilët ndjekin me interesin më maksimal çdo zhvillim ekonomik të vendit.

Qytetarët duhet ta dinë se dosja ekonomike, jo e Shqipërisë që nuk diskutohet, por dosja ekonomike  e vendeve më të zhvilluara të botës është në shqyrtim dhe analizë të vazhdueshme nga institucionet ndërkombëtare, me qëllimin më të mirë që të parandalohen përkeqësimet, ndihmohen qeveritë dhe vendet për të ruajtur, për ta dale nga kriza.

Sot, më shumë se çdo gjë tjetër në analizën dhe tryezat  e këtyre institucioneve është analiza ekonomike. Ndaj dhe ftoj administratën të vazhdojë me vendosmëri zbatimin e të gjithë programit të qeverisë, deri në ditën e vendosjes së qeverisë. Kushtetuta i ka të përcaktuara qartë kur fillon mandati i mazhorancës së re, kur mbaron mandati i mazhorancës që ikën, po kështu dhe për ministrat. Ky është një debat shterpë që ka në bazë thjesht revanshe dhe epshe të papërmbajtura të pushtetit, i paqytetëruar, i panevojshëm dhe unë ftoj administratën të mos ndikohet, por të vazhdojë me përgjegjësi detyrat dhe detyrimet e veta ligjore në ushtrim të pushtetit ekzekutiv në këtë vend deri ditën që fillon mandati i ekzekutivit të ri dhe pastaj është ky ekzekutiv që do të vendosë si për programin e vet, ashtu dhe për administratën, të cilën unë kam bërë thirrje që asnjeri të mos japë dorëheqjen.

Asnjeri nuk është këtu përveç një grupi këshilltarësh politkë, të tjerët janë që të gjithë në funksion të zbatimit qeverisjes, në funksion të ushtrimit të qeverisjes së vendit. Duke theksuar këtë, administrata ka të drejtat e saj brenda ligjeve të ndërmarr qëndrimet që mendon se i përshtaten asaj më shumë për të zbatuar programin e saj.

Përsa i përket shërbimit civil, historiku i tij është ky, ky sherbim fjeti administratë publike dhe u zgjua shërbim civil, për faktin se hyri në fuqi ligji, por pa asnjë lloj shkalle kualifikimi të veçantë dhe merite në këtë drejtim. Dhe kur erdhëm në pushtet ne gjetëm në këtë shërbim dhe në tërësi në administratë vetëm 1 % e punonjësve të tij të shkolluar në shkolla perëndimore, ndërkohë që ishin dhjetëra, mijëra shqiptarë të formuar në këto vende dhe këto shkolla. Për shkak të ligjit, këto nuk mund të futeshin në shërbim civil, sepse ligji kishte mbyllur hermetikisht dyert. Ne sigurisht hapëm dyert për këta dhe për këtë, me ndonjë përjashtim të rrallë, ka patur mirëkuptim të plotë.

Sot janë 21 % e punonjësve, të cilët janë të shkolluar në shkollat më të mira perëndimore dhe ky është interesi i vendit dhe kjo është e domosdoshme të bëhet në çdo fushë. Në botën akademike kryeson në këtë drejtim sepse ata kanë qenë tërësisht të hapur. Qeveria përcaktoi një seri stimujsh për të inkurajuar angazhimin e tyre në administratë dhe kjo ka ndodhur. Uroj që edhe qeveria që vjen të konsiderojë shumë të rëndësishëm brain-gain, sikundër me qeverinë franceze po punohet për ngritjen e një universiteti për administratën publike, për trajnimin, kualifikimin e saj të mëtejshëm.

Para disa muajsh, ne miratuam ligjin e ri për koncesionet dhe partneritetin  publik, privat. Në qoftë se ligji i parë kishte koncesionet, ligji i dytë ka të përcaktuar qartë kushtet ligjore të partneritetit publik, privat dhe ky është një zhvillim shumë pozitiv për vendin, do të mundësojë autoritetet qendrore dhe vendore të përdorin këtë leve të fuqishme tashmë në interesin më të mirë të qytetarëve për të shumëfishuar fuqinë buxhetore dhe investuese të qeverise dhe të vendit. Ligji ka kaluar para disa muajsh dhe ne sot miratojmë rregullat për vlerësimin, dhënien me koncesion të partneritetit publik privat, e propozuar kjo nga kryeministri. I kanë parë vendimet ministria e drejtësisë. Po kështu kthehemi në një vendim tradicional, i cili disiplinon përdorimin  e shpenzimeve për periudhën që ka mbetur, pra përsëritet një vendim i përvitshëm, sipas të cilit nuk mund të bëhen tendera dhe prokurime pa autorizimin e Këshillit të Ministrave. Kjo ka qënë një praktikë konstante dhe bëhet me qëllimin më të mirë që shpenzimet të mbeten të sigurta në nivelin e parashikuar të votuar nga Parlamenti për buxhetin e viti 2013.

Ka një vendim tjetër për buxhetin afatmesëm 2014-2016, një detyrim i radhës, disa financime për landfill-in e Vlorës, financim nga Banka Gjermane për zhvillim dhe përcaktimi i autoritetit kontratues “Për dhënien me koncesion të hec “Shengjun” dhe miratimin bonusit në procedurën përzgjedhës konkurruese që i jepet shoqërisë”.

Edhe njëherë, unë kërkoj nga ministritë të gjitha ligjet që janë në hartim e sipër të shpejtohen në mënyrë që ato të depozitohen në parlament dhe parlamenti i ri të fillojë punën me ligjet dhe marrëveshjet që duhet të shqyrtojë.   


10/07/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›