Kryeministri Berisha: Franko Fratini, mik i çmuar i Shqipërisë dhe shqiptarëve, me kontribut historik në arritjet e vendit dhe kombit shqiptar

Kryeministri Berisha ishte i ftuar sot pasdite, në ceremoninë e organizuar nga Bashkia e Tiranës, me rastin e nderimit me titullin “Qytetar Nderi”, të zotit Franko Fratini me motivacionin “Për kontributin e çmuar për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen dhe integrimin Euroatlantik të Shqipërisë.
Ceremonia mblodhi në mjediset e Pallatit të Brigadave në Tiranë, personalitete të jetës politike dhe kulturore të vendit si, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, anëtarë të Këshillit Bashkiak, drejtues të institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik midis të cilëve ambasadori italian, zoti Massimo Gaiani, Kreu i Delegacionit të BE-së ambasadori Ettore Sequi, etj
Pas fjalës së rastit të mbajtur nga Kryetari i Bashkisë, zoti Lulzim Basha, Kryeministri Berisha, në emër të qytetarëve të Tiranës i dhuroi çelësin simbolik të qytetit, Qytetarit të Nderit, zotit Franko Fratini.
Kryeministri iu drejtua të pranishmëve me një përshëndetje, ku vlerësoi zotin Fratini si një prej personaliteteve më të shquara të skenës politike italiane dhe evropiane dhe një nga miqtë më të mëdhenj dhe më të çmuar të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Duke sjellë në kujtesë, kontributin e zotit Fratini në vite, si dhe rolin e tij tejet të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Shqipërisë dhe veçanërisht në heqjen e vizave, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që Shqipëria me performancën e saj e ka justifikuar plotësisht, besimin e dëshmuar ndaj saj, nga vendet mike dhe partnere.
Kryeministri vlerësoi gjithashtu edhe kontributin e çmuar të zotit Fratini në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke garantuar se qeveria shqiptare mbetet thellësisht e angazhuar për të punuar për një të ardhme edhe më të mirë në marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe kombeve.
Kryeministri u shpreh për të pranishmit:
“Jemi sot këtu për të shprehur nderimin tonë më të madh, mirënjohjen e thellë, respektin e palëkundur ndaj njërit prej personaliteteve më të shquara të skenës politike italiane dhe evropiane dhe njërit prej miqve më të mëdhenj, me të çmuar të Shqipërisë dhe shqiptarëve, i cili me përkushtimin, dashurinë respektin, ndaj vendit dhe kombit shqiptar ka dhënë një kontribut historik në arritjet e tyre.
Me doktor Franko Fratinin jam takuar shumë e shumë herë, por dua tu rrëfej këtu, se që në takimin e parë kam ndjerë me kënaqësi shumë të madhe se u takova me një mik shumë të çmuar, u takova me një personalitet, i cili ushqente ndjenjat më miqësore ndaj shqiptarëve, u takova me një zyrtar të lartë të Brukselit që do të ishte dhe avokati ynë kryesor në Komisionin Evropian.
Ndaj dhe sot dua tu shpreh ju mirënjohjen më të thellë. Unë jam i vetëdijshëm për mbështetjen tuaj shumë të çmuar, rolin tuaj të jashtëzakonshëm, në ndihmën e dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik në tërësi, por dhe në heqjen e vizave në veçanti. Ka qenë angazhimi juaj personal me kolegët tuaj, ministrat e vendeve anëtarë të BE, angazhimi juaj i fuqishëm me ish kolegët tuaj në Komisionin Evropian, garancitë, që ju keni dhënë për performancën e institucioneve shqiptare dhe heqjen e vizave.
Kënaqësia jonë është se ne ju nderojmë ju sot, pasi kemi dëshmuar se garancitë tuaja, besimi juaja është justifikuar plotësisht dhe ndër vendet, të cilat përfituan heqjen e vizave, shqiptarët i kanë krijuar vendeve mike dhe partnere problematikën më të pakët. Por unë u ndala në këtë aspekt. Një aspekt tjetër madhor i kontributit tuaj shumë të çmuar ka qenë dhe ai në rrafshin bilateral. Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Italisë janë të shkëlqyera, por në këto marrëdhënie, ju doktor Fratini keni kontributin më të çmuar. Zyra juaj në Ministrinë e jashtme ka qenë një derë e hapur për diplomacinë dhe diplomatët shqiptarë ku kanë gjetur mbështetje dhe mirëkuptim të plotë. Ndaj dhe njëherë shpreh kënaqësinë time që ju nderojmë ju sot, shpreh krenarinë time dhe të shqiptarëve që ne sot këtu, nderojmë një mik si ju.
Ju uroj ju shumë suksese në të ardhmen. Ju garantoj se ne mbetemi të privilegjuar dhe thellësisht të angazhuar të punojmë së bashku për një të ardhme dhe më të mirë në marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe kombeve tona.
Edhe njëherë shumë urime dhe falënderime për ndihmën tuaj.
10/07/2012