Kryeministri Berisha: Në katër vitet që vijnë qeveria ime do të investojë katër herë më shumë në qytetin e Elbasanit

Kryeministri Berisha zhvilloi pasditen e sotme një takim me qytetarë të Elbasanit. Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:
“Të dashur qytetar dhe qytetarë të Elbasanit,
Së pari, ju sjell përshëndetjet më të përzemërta të kryeqytetit të Shqipërisë, të Tiranës, si dhe ju falënderoj me shumë mirënjohje për mbështetjen tuaj. Unë kam ardhur sot këtu tek ju për të garantuar qytetarët e Elbasanit dhe për t’u zotuar se në rast se në katër vite ne i’a dolëm të katërfishojmë investimet në këtë qark, në rrugët e tij, ujësjellësit dhe në bujqësinë e tij, në katër vitet që vijnë qeveria ime do të investojë në këtë qytet, jo 15 miliard, por katër herë më shumë.
Unë vij tek ju pas katër vitesh, kur në ndërgjegjen e çdo shqiptari është i qartë si nata ime ditën ndryshimi i madh i këtyre katër viteve që shndërruan Elbasanin, djepin e dijes e të qytetërimit tonë. Unë vij tek ju pasi në përputhje me premtimet e bëra në këtë qytet dyfishuam rogat e mësuesve të Shqipërisë, dyfishuam numrin e studentëve në Shqipëri dhe shndërruam universitetin tuaj në një nga universitet më të fuqishme të Shqipërisë. Unë vij sot tek ju pasi i mbajtëm premtimet që unë kam bërë këtu në qytetin tuaj, në teatrin Skampa, ku kam thënë se në katër vite do të dyfishojmë të gjitha pensionet e fshatit, se në Elbasan dhe në mbarë Shqipërinë nuk do të ketë pension nën 100 dollarë. Unë vij sot tek ju pasi u zotova se me gërshërët ligjit do t’u pres duart atyre që fusin duart në xhepat tuaja. Por, ku jemi sot? Sot, katër vite më pas, mbi 4, 2 miliard dollarë u shpëtuan nga kthetrat e zeza të korrupsionit dhe mbi 160 duar u prenë nga gërshërët ligjit, në emër tuajin.
Qytetarë dhe qytetare të Elbasanit,
Këtu në Elbasan u formësua dija shqiptare si dija e perëndimit, por sot për çdo njërin prej nesh gëzimi dhe kënaqësia është më e madhe, sepse ne mblidhemi në këtë shesh si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s dhe si Elbasani në NATO. Ne mblidhemi në shesh pasi i’a dolëm të aplikojmë me konsensus të plotë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ne mblidhemi në këtë shesh pasi me përpjekje të mëdha i’a dolëm që Shqipërinë, e cila rënkonte nën kthetrat e informalitetit, ta nxjerrim në krye të rritjes ekonomike në Evropë, si dhe i’a dolëm që vitin e fundit në qarkun tuaj të jenë të projektuara dhe të firmosura me dhjetëra e dhjetëra vepra energjetike. Unë nuk vij këtu për të kërkuar votën për këto që kemi bërë, megjithëse jemi të bindur se këto kanë ndryshuar dhe do të ndryshojnë shumë për mbarë jetën tonë, por vij sot para jush për t’u zotuar se në këtë qytet, pavarësisht se qeverisin socialistët, nuk do të ketë rrugë të paasfaltuara në fund të mandatit tonë të dytë. Unë vij sot këtu tek ju për t’u zotuar njësoj si katër vite më parë se Elbasani evropian dhe Shqipëria evropiane për mua do të thotë që pensionistët e Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë të shpërblehen jo si tani, që kemi parakaluar dy vende anëtare të BE-së, por të parakalojmë me paga dhe pensione edhe katër vende të tjera. Vij sot këtu me angazhimin tim të plotë se punësimi dhe vetëm punësimi do të jetë përparësia ime më madhore për Elbasanin dhe për Shqipërinë. Në mbi 15 hidrocentrale, ndër të cilët edhe gjigandi i Evropës me 68 km tunel në kaskadën e Devollit, do të punësohen dhjetëra e mijëra qytetarë të këtij qarku. Unë vij sot këtu për t’ju garantuar ju se për ndërtimin e infrastrukturës së këtij rrethi do të punësohen me mijëra të tjerë. Unë vij këtu për t’ju garantuar ju se parku industrial që do ngremë, pasi u vendosën standardet më të mira të mbrojtjes së mjedisit në metalurgjik, çimento e krom, do të punësojë me mijëra e mijëra qytetarë të Elbasanit.
Zonja dhe zotërinj!
Nxitja e biznesit do të jetë rruga kryesore e punësimit. Sot u takova me biznesmenë të Tiranës, të cilët po lëngonin nën taksat e rritura të bashkisë. Unë dua t’i them kryebashkiakut të Tiranës, të Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë që mos guxoni të merrni as edhe një qindarkë të vetme mbi 10 % , sepse ligji do të veprojë me forcën më të madhe. Nëse keni nevojë për fonde ejani në qeveri, ne i kemi katërfishuar dhe i pesëfishojmë fondet, por mos prekni biznesmenët. Ata janë pasuri kombëtare, janë gjeneratorë të pasurisë kombëtare dhe gjeneratorë të punësimit. Ne do të zbatojmë vetëm ligjin.
Qytetarë dhe qytetare të Elbasanit,
Nuk e kemi pasur të lehtë rrugën tonë, por kemi qenë të forte në moralin tonë, kemi qenë të forte në qëndresën tonë, kemi qenë të fortë në djersën tonë dhe ndaj ia dolëm dhe do ia dalim. Ne mundemi sepse ne besojmë tek njëri-tjetri, besojmë tek vlerat, besojmë tek Elbasani dhe besojmë tek Shqipëria. Në emër të vlerave të mëdha që keni shpirtin tuaj dhe të trashëgimisë tuaj të ndritur, e cila i ka bërë dritë gjithë Shqipërisë, unë ju ftoj ju që të bashkohemi dhe të vazhdojmë ndryshimin.
Nga sheshi Elbasanit, në emër të popullit të Elbasanit, do t’i kërkoj zotit Rama, i cili u deklaronte mbrëmë durrsakëve se nuk mund të hynte në Parlament pasi nuk mund të tradhtonte qytetarët. Por, t’ju pyes ju, a është tradhti ndaj jush në se ju votoni drejtuesin tuaj për në parlament? Çfarë tradhtie përbën kjo? Së dyti zoti Rama, destinacioni dhe standardi i këtyre qytetarëve, pavarësisht nga hallet që kanë, është vetëm një; Evropa dhe vetëm Evropa.
Na thuaj ti zoti Rama, se cili lider partie në historinë e Evropës demokratike e ka nisur forcën e vet politike drejt zgjedhjeve dhe nuk është vendosur në krye të listës? Zoti Rama, cili lider e ka bërë këtë veprim? Ti kujton se shqiptarët nuk i dinë këto? Ti nuk e bën dot këtë, ndonëse unë, në emër të respektit që kam për socialistët dhe për vendin tim, të jap ty ende kohë ta vendosësh emrin në krye të listës, por ti se bën dot këtë sepse për ty standardi evropian janë lejet e bashkisë dhe lejet e ndërtimit. Ti nuk e bën dot këtë, sepse ti zoti Rama nuk do zgjedhje, do karrige dhe leje ndërtimi. Kjo është e vërteta, thuaja shqiptarëve sepse me ty dhe pa ty, zgjedhjet do të jenë madhështia e demokracisë shqiptare.
Rroftë Elbasani, rroftë Shqipëria!"
02/06/2009