Kryeministri Berisha: Terminali i ri i pasagjerëve në Portin e Durrësit, një portë hyrëse, e rëndësishme dhe moderne, e mbarë rajonit tonë drejt Perëndimit dhe Perëndimit drejt Ballkanit

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në mbrëmje në inaugurimin e Terminalit të ri të pasagjerëve në Portin e Durrësit.
Në ceremoninë e rastit morën pjesë edhe Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, zoti Sokol Olldashi, Drejtori i Autoritetit Portual Durrës, zoti Eduard Ndreu, deputetë të qarkut të Durrësit, përfaqësues të pushtetit vendor, punonjës të kompanisë ndërtuese, punonjës të Portit të Durrësit, si dhe shumë qytetarë.
Terminali, investim me vlerë rreth 21.9 milion euro, i bashkangjitet investimeve të shumta të realizuara në Portin e Durrësit që prej vitit 2006, duke bërë që ato të kalojnë vlerën e 60 milion eurove. Terminali i ri i Portit të Durresit është Porta e Shqipërisë Evropiane, si dhe Porta e re e Rajonit drejt Evropës.
Me këtë investim strategjik të qeverisë shqiptare ky terminal do te përmbush nevojat në rritje të trafikut, tregtisë, ekonomisë shqiptare në zhvillim si dhe qarkullimit të lirë të njerëzve. Ky terminal i ri do të jete porta moderne e rajonit falë edhe ndërtimit të mijëra kilometrave infrastrukturë rrugore.
Ky terminal i ndërtuar në përputhje me standardet më me te larta europiane do të mundësojë një shërbim modern, të shpejtë dhe cilësor për miliona qytetarë që kalojnë nga ky port cdo vit. Terminali është projektuar për ti shërbyer 1.2 deri në 1,5 milion pasagjerëve në vit, 200 mijë autoveturave dhe rreth 60 mijë kamionëve. Ai ka 65 mijë m2 sheshe, 25 mijë m2 ndërtime, 4500 m2 godina të pasagjerëve, 10 poste të kontrollit të njëkohshëm për pasagjerët këmbësorë, 36 poste për kontroll të njëhershëm për pasagjerët me autovetura, 12 poste për kontrolle të njëhershëm për kamionët.
Gjatë viteve të fundit, qarkun e Durrësit janë ndërtuar 400 km rrugë, 62 shkolla, 107 ambulanca e Qendra shëndetësore, 112 sisteme Ujësjellësash e kanalizimesh. Janë krijuar 8200 biznese të reja, nga të cilat 1080 biznese të lidhura me sektorin e turizmit. Gjithashtu janë subvencionuar 850 ha ne ullinj, vreshtari, sera e mbrojtje bimësh.
* * *
Pasi preu shiritin e inaugurimit së bashku me Ministrin Olldashi, Kryeministri Berisha u drejtua për në mjediset e brendshme të Terminalit, ku u takua dhe bisedoi me punojës të portit, si dhe u njoh nga afër me procedurat e punës në terminal.
Më pas, kryeministri Berisha iu drejtua të pranishmëve me një fjalë, në të cilën u shpreh:
“Së pari, dëshiroj tu përshëndes ju përzemërsisht, të përshëndes durrsakët dhe durrsaket, shqiptarët dhe shqiptaret kudo që janë, pasi kjo ditë shënon një ngjarje të madhe për Durrësin e shekujve dhe mijëvjeçarëve, shënon një ngjarje të madhe për Shqipërinë, shqiptarët dhe miqtë e tyre.
Ne inauguruam së bashku terminalin e ri të pasagjerëve, ndërtim me një vlerë prej 21 milion euro, i arkitekturës dhe teknologjisë së standardeve më të larta, ndërtim i cili përbën një portë moderne për këtë Port mijëravjeçar. Së bashku me aeroportin e Rinasit, Terminali i ri i pasagjerëve të portit të Durrësit janë dy hyrjet më të bukura, janë pasaportat më moderne të Shqipërisë.
Ky terminal me një kapacitet prej rreth 1 milion e 500 mijë pasagjerë iu ofron atyre shërbimet më të shpejta, më të mira, më të qytetëruara, më dinjitoze. Ky terminal përbën gjithashtu paraqitjen më të mirë të këtij qyteti të mrekullueshëm.
Shqiptarët dhe miqtë e tyre që do të vijnë nga deti apo do të largohen nga Durrësi për në destinacione të tjera do të shërbehen në një terminal të standardeve më të larta, më të shpejta, më të sigurta.
Zoja dhe zotërinj,
Durrësi është një port mijëravjeçar, por në tërësinë e tij, faqen e këtij porti nuk ia ka ndryshuar asgjë më shumë për mirë, se sa ky terminal që ne inaugurojmë sot.
Me mbi 60 sportelet e tij për pasagjeret ,me automjete, pa automjete, me kamionë, ky terminal jep mundësi të mëdha kursimi të kohës së udhëtarëve dhe kapjes sa më të shpejtë të destinacionit të tyre. Por si portë hyrëse e sistemit të ri rrugor, më të riut, më të mirit në rajon gjithashtu, terminali është një portë hyrëse, e rëndësishme moderne, e mbarë rajonit tonë drejt Perëndimit dhe Perëndimit drejt Ballkanit.
Zonja dhe zotërinj,
Investimet në qarkun e Durrësit janë ndër më të mëdhatë të realizuara në këto vite. Kjo maxhorancë, qeveria e kësaj maxhorance nga 2005 deri më sot, ka ndërtuar 400 km rrugë në qarkun e Durrësit, 62 shkolla, 107 ambulanca e qendra shëndetësore. Brenda pak javëve ne së bashku do të inaugurojmë edhe impiantin e përpunimit të ujërave të zeza, kolektorin e lidhur me të dhe kjo përbën një ndryshim të madh cilësor në situatën e pastërtisë dhe shërbimeve në polin kryesor, turistik të vendit, në njërin nga plazhet më të bukura të Evropës, siç është Durrësi. Investime të mëdha janë bërë dhe bëhen në fushën e bujqësisë. Këto dite qeveria miratoi në Tiranë investimet për ujësjellësin e ri të Durrësit. E vërteta është se në Durrës, në këtë qark, dinamizmi i biznesit ka qenë më i madh se kudo tjetër. Gjatë këtyre viteve të një sistemi të favorshëm fiskal të reformave ekonomike janë krijuar në qarkun e Durrësit 8200 biznese të reja, janë krijuar në zonën turistike 1080 biznese të tëra në funksion të turizmit.
Qeveria vazhdon me konseguencë mbajtjen e premtimeve të veta për Durrësin. Shumë shpejt do të fillojë projekti dhe më pas ndërtimi i njërës prej shëtitoreve më të bukura të Shqipërisë, e cila do të lidhë Durrësin me zonën e bukur të përtej Currilave apo Kallmit, zonë e cila do të dyfishojë potencialin turistik të mrekullueshëm të Durrësit dhe plazheve të tij.
Zonja dhe zotërinj,
Shqipëria po ecën, natyrisht jo në një bulevard, por e vërteta është se ecën me shpejtësinë më të madhe se çdo vend tjetër. Të dhënat e fundit të institucioneve të ndërkombëtare faktojnë se ky është vendi i vetëm në rajon, në të cilin papunësia, jo vetëm që nuk u rrit këto vite të krizës evropiane, por ajo pësoi një ulje progresive nga viti në vit dhe kjo ulje është rezultat para së gjithash i inkurajimit, nxitjes së klimës miqësore për biznesin dhe investimet. Por kjo ulje është rezultat gjithashtu i investimeve më të mëdha publike të bëra ndonjëherë në historinë e vendit.
Këto investime do të vazhdojnë dhe ne do të bëjmë gjithçka që ti japim Durrësit dhe Shqipërisë, infrastrukturën më moderne. Ne do të bëjmë gjithçka që çdo pasuri të këtij vendi ta shndërrojmë në vlera për ju, ne do të bëjmë gjithçka që ajo, e cila është më e çmuar për çdo njeri, koha, tu jepet ju, tu kursehet ju, në maksimumin e mundshëm. Do të bëjmë gjithçka, të nderuar qytetarë shqiptarë, që tu ofrojmë ju shërbimet më moderne që meritoni.
Shqipëria, theksoj edhe njëherë, nuk e ka një bulevard rrugën e saj, por e ka të sigurtë, e ka rrugë mundi, djerse, nderi dhe suksesi të padiskutueshëm. Do të ndalem këtu vetëm në një moment , të cilin mund ta konstatojë çdo qytetar i këtij vendit. Kudo që të hedhësh sytë do të shikosh shtëpi të reja, vila të reja dhe dua tu rikujtoj këtu të dashur miq, se në vitin 2001 në statistikën evropiane, ne shqiptarët kishim shtëpi banimi më pak se çdo komb tjetër në vitin 1980. Por statistika e vitit 2011 dëshmon se ne kemi ndërtuar me mundin, djersën tonë, shtëpi banimi më shumë se çdo komb tjetër në Evropë, për 30 vjet. Tregon se ne, në sipërfaqe banimi dhe shtëpi, qëndrojmë më mirë se 5 kombe të BE, tregon se ne, në banesa për 1 mijë banorë, jemi më mirë se 5 kombe të vendeve të zhvilluara të Evropës dhe të botës.
Pra, tregon se ne, në çështjet me themelore te zhvillimit po ecim me ritmet më të shpejta. Ne kemi besim të madh se reformat që po ndërmarrim, siç e mbrojtën deri sot Shqipërinë nga kjo krize e paparë në 80 vitet e fundit, do ta mbrojnë edhe më tej Shqipërinë.
Vëllezër dhe motra,
Ju të gjithë ndiqni radiot dhe televizionet dhe dëgjoni se si në këtë vend apo në atë vend shkurtohen rrogat me 30 % apo 40 %, shkurtohen pensionet me 20 %, ngrijnë ato për vite të tëra dhe nuk rriten. Ju jeni dëshmitarë që ne i kemi rritur çdo vit rrogat, kemi rritur çdo vit pensionet, por ne nuk e kemi rritur borxhin. Ne e kemi mbajtur borxhin në ato shifra dhe që nga viti 2008 e deri më sot, borxhi i Shqipërisë nuk është rritur as edhe 1 %, ndërkohë që borxhet e vendeve fqinjë janë rritur dy apo tre herë më shumë.
Kriza, sigurisht që ka ndikimin e saj, por përsëri duhet të ndihemi të lehtësuar pasi Komisioni Evropian fakton para disa ditësh se Shqipëria pati rritjen mesatare 4 herë më të lartë, se sa rajoni i Evropës juglindore. Të gjitha këto janë rezultate të politikave të drejta ekonomike, të atyre politikave të cilat kanë synuar rritjen e prodhimit, të atyre politikave që kanë synuar ndryshimin me shpejtësi të kushteve të jetesës suaj, të atyre politikave që kanë synuar dhe synojnë të shndërrojnë Shqipërinë në një vend të zhvilluar, të ndërtojnë infrastrukturën, jo vetëm në Durrës, Tiranë, Shkodër apo Korçe, por ta zhvillojnë atë në Mokër, ta zhvillojnë atë në Ballaban të Përmetit, ta zhvillojnë atë në Delvine, në Dukagjin, në Valbonë e kudo.
Sot anembanë vendit janë në ndërtim dhe ne përfundim mijëra kilometra rrugë. Një kundërshtar i yni do të thoshte se udhëtova kudo për të gjetur rrugë të paasfaltuara, por nuk gjeta. Natyrisht ka rrugë të paasfaltuara , por e vërteta është që ato po pakëson çdo ditë dhe ne do ti asfaltojmë kilometër pas kilometri të gjithë rrugët tona, aty ku janë.
Kjo është alternativa jonë, është alternative jo e fjalëve por është alternative e terminalit, është alternativa e autostradave, e Shqipërisë në moshën dixhitale, alternativa e shërbimeve dixhitale, alternativa e rrugëve të asfaltuara kudo, alternativa e shkëputjes së Shqipërisë nga gropat septike, alternativa e zhvillimit të bujqësisë shqiptare, alternativa e thithjes së investimeve të huaja, për tre vjet resht, mbi 1 miliard dollarë. Kemi përballë nesh alternativën e nihilizmit. Qëndrimi i opozitës, të rikujton qëndrimet e partisë së origjinës së saj , e cila mohonte çdo gjë të kapitalizmit të vendeve të tjera, mohonte çdo gjë të sistemit të lirë, por e vërteta është se ne jemi të vendosur dhe këto që ne kemi realizuar këtë mandat do të bëjmë që mandatin tjetër ti harrojnë qytetarët shqiptare me ato që ne do të bëjmë.
Potencialet e këtij vendi janë të jashtëzakonshme. Do të bëjmë gjithçka që ti shndërrojmë ato në vlera për ju, në vlera për fëmijët tuaj, në vlera për familjet tuaja,
Gëzuar terminalin e ri!
11/07/2012