Kryeministri Berisha i dorëzon Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule përgjigjet e pyetësorit të KE-së për Shqipërinë
- Komisioneri Fule vlerëson dhe përgëzon Kryeministrin Berisha për rezultatet e mëdha në lidhje me plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave. Vlerëson punën e bërë nga institucionet shqiptare për pregatitjen e kësaj pakete kaq gjithpërfshirëse.
- Kryeministri Berisha theksoi se me hapjen e dialogut me Komisionin, në trasparencë të plotë do të bëhet ç’është e mundur që të merret një vlerësim pozitiv i punës së bërë.
Kryeministri Berisha i dorëzoi sot komisionerit Stefan Fule përgjigjet e pyetësorit të Komisionit Evropian për Shqipërinë.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Kryeministri Berisha duke e cilësuar si një moment historik për Shqipërinë dorëzimin e përgjigjeve prej 3854 faqeve të 2284 pyetjeve, ku pasqyrohen gjithë përpjeket dhe universi i reformave për të ndryshuar vendin e për të realizuar idealin e integrimit evropian, theksoi se me një dialog të hapur me Komisionin, në trasparencë të plotë ne do të bëjmë ç’është e mundur që të kemi një vlerësim pozitiv të punës sonë.
Më tej Komisioneri Fule pasi vlerësoi punën shumë të mirë të bërë nga institucionet shqiptare për përgatitjen e kësaj pakete kaq gjithpërfshirëse, siguroi se Komisioni do të japë një mendim të drejtë dhe do të vlerësojë në përputhje me gatishmërinë e Shqipërisë për të përmbushur krieteret për anëtarsim në BE.
Liberalizimi i vizave është një proces i mbështetur në merita dhe Komisioni do të jetë në gjendje të bëj një propozim Këshillit dhe Parlamentit Europian, kur vendi të ketë plotësuar kërkesat.
Në lidhje me situatën politike në Shqipëri komisioneri theksoi se puna parlamentare e opozitës nuk i përmbush standardet e institucioneve demokratike të Bashkimit Europian, e cila duhet të aktivizohet nga dy parime themelore: respektimi i kushtetutës dhe transparenca në frymën evropian.
Fjala e Kryeministrit Berisha në Konferencën për Shtyp
Zoti Komisioner Fule,
Zonja dhe zotërinj,
Për mua ky është një moment i jashtëzakonshëm. Për vendin tim, dorëzimi Komisionerit Fule i përgjigjeve të 2284 pyetjeve të pyetësorit të Komisionit Evropian për Shqipërinë është një moment historik. Libri që shohim këtu, është më i madhi i printuar deri tani në historinë e vendit tim. Eshtë një libër që përfaqëson përpjekjet e jashtëzakonshme të vendit tim gjatë këtyre 18 viteve, për të ndërtuar një demokraci funksionale, për të ndërtuar shtetin ligjor, ekonominë e tregut e për ta kthyer në realitet projektin ëndërr, idealin kryesor, idealin europian, integrimin europian.
1200 ekspertë dhe zyrtarë shqiptarë, më shumë se 30 ekspertë ndërkombëtarë nga vende mike, kanë punuar për përgjigjet e këtij pyetësorir, për të prezantuar gjithçka çfarë ka bërë Shqipëria gjatë këtyre viteve, universin e reformave për të ndryshuar vendin. Bazuar në këto përpjekje, vendi, pavarësisht faktit që nuk është shumë i njohur, ka ndryshuar shumë.
Zonja dhe zotërinj,
Nëse ktheheni pas 18 vite, vendi im klasifikohej si një nga vendet më të varfra të planetit. Ishte me një ekonomi totalisht të rënuar, me institucione krejtësisht të dështuara. Dhe tani kombi im, vendi im, solli sot përgjigjet e tij me shpresën më të mirë për një vlerësim pozitiv. Komisioneri Fule më tha se ky është një fillim i ri dhe unë i thashë se për mua fillimi i ri është momenti më interesant, më emocionues. Unë e konsideroj këtë si një moment energjish të reja, përpjekjesh të reja dhe jam i sigurt se në muajt që do vijnë, me një dialog të hapur me Komisionin, në trasparencë të plotë ne do të bëjmë ç’është e mundur që të kemi një vlerësim pozitiv të punës sonë.
Përfitoj nga rasti për të falënderuar ju, Komisioner që nga muaji i parë pas rënies së Murit të Berlinit në Shqipëri deri më sot, keni dërguar miliarda euro për shqiptarët, duke i dhënë një mbështjetje të jashtëzakonshme reformave të vendit. Dhe me të vërtetë është institucioni më i kujdesshëm kundrejt vendit tim.
Faleminderit.
Fjala e Komisionerit Fule në Konferencën për shtyp
Zoti Kryeministër,
Pajtohem plotësisht me ju, se ky libër është më i rëndësishmi në historinë moderne të vendit tuaj të bukur.
Keni bërë një punë shumë të mirë, për të përgatitur këtë paketë kaq gjithpërfshirëse, që i jeni përgjigjur 2284 pyetjeve që kemi bërë, në një mënyrë të gjithanshme. Më lejoni të shpreh vlerësimin tim për punën e të gjithë kolegëve tuaj dhe të gjitha institucioneve që kanë marrë pjesë në këtë punë, të cilët bënë të mundur realizimin e një libri të tillë.
Tani është rradha jonë, tani është detyra jonë të analizojmë përgjigjet që ju keni dhënë, të organizojmë gjatë muajve të ardhshëm misionet e ekspertëve tanë për të verifikuar çështje të ndryshme, për të kryer konsultime me kolegët tuaj dhe me aktorë të tjerë të përfshirë në këtë proces, për të marrë mendime të tjera, për të krijuar opinionin tonë.
Mendimi i Komisionit do të jetë i drejtë dhe do të vlerësojë në përputhje me gatishmërinë e Shqipërisë për të përmbushur kriteret për anëtarësim në BE. Ne do t’i kushtojmë vëmendje të posaçme plotësimit të kritereve politike të Kopenhagenit dhe detyrimeve që keni ju në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Koha kur do të jepet opinioni do të varet shumë nga cilësia dhe nga informacionet që kemi marrë mbështetur në këtë opinion të Komisionit. Pastaj është Këshilli që do të vendosë për hapat e tjerë.
Zoti Kryeministër më lejoni të përfitoj nga ky rast të informoj gazetarët, kolegët tanë, se përdora rastin e takimit tonë për t’ju theksuar shqetësimin që kam unë për mungesën e përparimit për të normalizuar situatën politike në Shqipëri. Puna parlamentare pa pjesën e opozitës nuk i përmbush standardet e institucioneve demokratike të Bashkimit Europian, dhe rruga përpara duhet të shënohet nga dy parime themelore demokratike: respektimi i Kushtetutës dhe transparenca në frymën europiane. Shteti ligjor, duke përfshirë edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, është një element kyç për funksionimin e demokracisë dhe ekonomisë, sikurse edhe për avancimin e procesit europian. Dhe për këtë çështje diskutuam gjatë takimit tonë, e jo vetëm përparimin e madh që është bërë por edhe për sfidat që mbeten përpara për vendin.
Në diskutimin që patëm i mirëprita zhvillimet politike pozitive në lidhje me përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Shqipëria ka arritur rezultate të mëdha dhe për këtë e uroj Kryeministrin Berisha, megjithatë përpjekjet për të siguruar plotësisht kërkesat duhet të vazhdojnë. Liberalizimi i vizave është një proces i mbështetur në merita dhe Komisioni do të jetë në gjendje të bëj një propozim Këshillit dhe Parlamentit Europian, kur vendi të ketë plotësuar kërkesat.
Zoti Kryeministër, më lejoni të theksojë edhe njëherë, për sa i takon Komisionit, për sa më takon mua, ne jemi tërësisht të angazhuar që të ndihmojmë vendin tuaj të ecë përpara dhe të arrijë një piketë të re në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Urime dhe Faleminderit!
Në vijim të konferencës, kryeministri Berisha dhe komisioneri Fule iu përgjigjën interesimit të mediave:
Pyetje për Komisionerin Fule
Mesa duket, ka ende problem në lidhje me zgjedhjet pasi dy partitë kryesore nuk po arrijnë konsensus në lidhje me këtë çështje. Komisioni Evropian do të presë zgjedhjet e reja për të dhënë një mendim apo do të bëni të ditur opinionin për statusin e kandidatit përpara zgjedhjeve?
Në lidhje me opinionin ne tani kemi informacionet që na duhen për të filluar procesin e vlerësimit dhe të përgatitjes së këtij opinioni. Nuk do të presim deri në zgjedhjet e ardhshme për të dhënë opinionin tonë. Në të njëjtën kohë duhet të them se çdo zgjedhje përfaqëson një qëndrim demokratik të çdo vendi. Ne jemi të angazhuar në një proces i cili nuk është se do të përfundojë këtë vjeshtë, do të duhen disa vite. Ne do të shohim qëndrueshmërinë e demokracisë në Shqipëri. Me siguri do të ndjekim me interes edhe zgjedhjet lokale të viti 2011 dhe shpresojmë shumë që qeveria dhe opozita do të bëjnë ç’është e mundur që kësaj here, vlerësimi i ODHIR dhe OSBE-së të jetë shumë më pozitiv se ç’ka qenë herën e fundit.
Pyetje për kryeministrin Berisha
Cfarë rezultati prisni nga Komisioni Evropian duke pasur parasysh se ka 7 muaj që Shqipëria nuk po plotëson kriteret e Kopenhagenit?
Përsa i takon zgjedhjeve, është tashmë e njohur se ODHIR dhe OSBE erdhën në përfundimin se zgjedhjet plotësuan shumicën e standardeve dhe sipas raportit nuk pati prova për manipulime apo numërime të parregullta. Ky është përfundimi i watch-dogut ndërkombëtar. Ka një kërkesë nga ana e opozitës për të rinumëruar votat, pasi gjykata e Apelit ka marrë vendim për ta hedhur poshtë këtë kërkesë. Qeveria ime dhe unë vetë, jemi tërësisht të hapur për të kryer çdo hetim, duke respektuar vendimet e gjykatave, por ndarja e pushteteve është një nga dy- tre parimet bazë të çdo vendi të lirë. Ne kemi bindjen tonë të thellë se kuadri ynë kushtetues ligjor siguron të gjitha mundësitë për respektimin e shtetit ligjor. Shqipëria i ka të gjithë potencialet dhe mundësitë që të sigurojë transparencë të plotë duke respektuar plotësisht institucionet dhe shtetin ligjor. Kjo është edhe arsyeja pse unë vazhdoj të mbetem shumë i angazhuar që të bëj maksimumin, që të bëj më të mirën për të dyja këto që thashë. Gjithashtu, dua të sqaroj këtu përpara të gjithëve, i kam ofruar dhe vazhdoj t’i ofroj udhëheqësit të opozitës që të hartojmë çdo amendament të mundshëm, madje të ndryshoj edhe sistemin e zgjedhjeve, unë do ta votoj pa kushte. Me kushtin e vetëm që të kem një mendim të një organi ndërkombëtar, qoftë të Komsionit të Venecias apo të ODHIR për zgjedhjet e ardhshme. Dhe do të punojmë që të bashkëpunojmë me opozitën.
Pyetje për komisionarin Fule
Siç thatë me të drejtë komisionieri Fule, ky është një fillim i ri, por meqenëse përmendet bojkotin parlamentar, situata politika është larg të qenurit e përshtatshme dhe ju dërguat një mesazh mjaft të rëndësishëm në Tiranë, lidhur me bojkotin që deri tani nuk ka ndryshuar shumë. çfarë ju bën ju të besoni tani se kjo situatë do të ndryshojë?
Mesazhi që transmetuam kur ishim në Tiranë, vazhdon të jetë akoma në fuqi. Ne, e diskutuam edhe sot këtë çështje dhe unë përsërita që duhet akoma shumë për të bërë. Unë vura në dukje se ka një dritare për të gjithë ata që kanë një pjesë përgjegjësie për të gjetur një zgjidhje, në mënyrë të tillë që opinioni t’i referohet këtij problemi në të shkuarën.
Pyetje për Kryeministrin Berisha
çfarë garancish i keni dhënë komisionierit se ju do të bëni ç’është e mundur që të ndryshoni situatën politike?
Zgjedhjet janë një proces themelor, pjesëmarrësit nuk do të bien asnjëherë dakord, nëse nuk do të pranojnë vendimet e arbitrave që kanë zgjedhur së bashku. Së bashku me opozitën ne zgjodhëm Gjykatën e Apelit; së bashku me opozitën ne zgjodhëm Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që votoi 7 me 1 për çdo mandat në parlament; së bashku me opozitën ne pranuam organin ndërkombëtar që erdhi për t’u kujdesur për zgjedhjet; së bashku me opozitën kam pranuar disa ndërmjetës dhe asnjëhetrë nuk do të refuzoj të pranoj këdo që të jetë. Jam i gatshëm të siguroj fleksibilitetin më të madh në lidhje me këtë çështje. Komisionin i Këshillit të Evropës erdhi në Shqipëri me një dëshirë shumë të mirë dhe unë i pranova të gjitha ata që më propozuan ato, por propozimet u hodhën poshtë nga opozita.
Unë synoj të vazhdoj punën time sepse vazhdoj të jem plotësisht i bindur se nuk ka asnjë dokument në vendin tim, i cili nuk mund të bëhet transparent si votimi, qoftë fletë-votimi, qoftë çdo gjë tjetër, por duhet të ndiqen procedurat që janë të shkruara në ligjet e vendit. Ju i njihni propozimet e mia. Sistemi ynë ligjor i siguron njëkohësisht edhe transparencën, ashtu edhe respektin dhe ne duhet t’u përmbahemi këtyre.
Pyetje për komisionarin Fule
Përpara të se të vinte këtu dhe përpara se t’ju dorëzonte përgjigjet e pyetësorit, kryeministri u shpreh se po priste një opinion objektiv nga ju dhe ne e dimë që Komisionin është institucioni më i mirë për ta bërë këtë. Ajo që unë dua të pyes është se që prej 7 muajsh, që nga fillimi i mandatit të kësaj qeverie nuk ka stabilitet politik në vend. A do të merret kjo parasysh dhe cila do të jetë pasoja?
Opinioni i Komisionit do të jetë pa diskutim objektiv dhe gjithëpërfshirës. çështja është se sa çështje do të përfshihen te siguria. E vetmja çështje që varet nga qeveria e Shqipërisë dhe opozita e saj, është nëse do t’i referohemi si një çështje ende e pazgjidhur, me të gjitha implikimet që ka në lidhje me rekomandimet tona dhe me vendimet e vendeve anëtare, apo do t’i referohemi si një çështje e zgjidhur në bazë të parimeve që përmendi kryeministri dhe e mbështetur në parimet e njohura dhe të pranuara nga përgjegjësia e të dyjave palëve, me një frymë evropiane.
Pyetje për kryeministrin Berisha
Ka një paqartësi kur bëhet fjalë për vendimin. Të gjithë në Shqipëri thonë se vendimi për vizat do të merret përpara verës. A e konsideroni propozimin e Komisionit si një vendim apo ndoshta do të jetë Këshilli i Ministrave që do të marrë një vendim në vjeshtë për vizat?
Së pari më lejoni të bëj të qartë se ne asnjëherë nuk kërkojmë diçka të cilën ne nuk e meritojmë. Dhe nuk është çështje krenarie, por është çështje përgjegjësie. Ne duhet të bëjmë punën tonë, kjo është në interesin më të mirë të çdo qytetari shqiptar. A e bëjmë punën apo nuk e plotësojmë atë që na kërkohet? Kjo është motoja ime në çdo gjë. Ju po më pyesin për procedurat e komisionit. Por unë nuk jam anëtar i komisionit, unë jam kryeministri i një vendi. Sigurisht që do të ketë një vendim të komisionit, do të ketë një komision, siç më thanë të ministrave të brendshëm apo të jashtëm, do të ketë një vendim të parlamenti, kjo është procedura që ndiqet. Por ajo që është pozitive për mendimin tim është se kemi të bëjmë me një vlerësim shumë objektiv dhe transparent siç thatë ju dhe ne jemi shumë të kënaqur dhe të lumtur që të shohim një vlerësim të tillë kaq transparent. çdo gjë do të na thuhet hapur dhe kjo është shumë pozitive.
14/04/2010