Kryeministri Berisha i përgjigjet interesimit të anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës

Pas fjalës së mbajtur në seancën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Kryeministri Berisha iu përgjigj interesimit të anëtarëve të kësaj Asambleje mbi çështje të ndryshme.
Në përgjigje të këtyre pyetjeve, Kryeministri Berisha bëri këto komente:
Pyetje: I nderuar z. Kryeministër Berisha, së pari do të doja t’ju falënderoj dhe t’ju parashtroj edhe pyetjen time. Ju folët për “Pranverën arabe”, për Ballkanin si një rëndësi për dialogun ndërkulturor, gjithashtu dhe për tolerancë ndërfetare, por si e shihni rolin e Shqipërisë në kontekstin e Ballkanit, dhe demokracisë së re arabe dhe rolin që Shqipëria mund të ketë në këto zona gjeografike me shumë trazira?
Kryeministri Berisha: Faleminderit për pyetjen tuaj. I dashur mik, do të doja të siguroja Këshillin e Evropës se Shqipëria është shumë e përqendruar për sa i përket të drejtave të njeriut dhe pakicave. Unë jam shumë i sigurt se Shqipëria ka dhënë një kontribut të vërtetë, real, për sa u përket të drejtave të pakicave në Kosovë. Kemi një traditë respekti reciprok për pakicat në Shqipëri, që në fakt ka luajtur një rol mjaft të mirë edhe në Kosovë në periudhën e pas luftës. Në fakt kemi këtë traditë, tolerancë fetare të shkëlqyer dhe mund ta ofrojmë këtë traditë tek vendet e tjera, edhe tek vendet e “Pranverës arabe”. Kam takuar persona nga Libia dhe përfaqësues edhe nga vendet e tjera, të cilët kanë dëshmuar një interes të mirëfilltë për Shqipërinë. Duke qenë se Shqipëria është një vend multifetar, ku ka një përqindje të madhe feja Islame, është parë dhe është dëshmuar nga vendi ynë se Islami është i përputhshëm me demokracinë. Kjo është e vërteta absolute dhe kush thotë ndryshe, e përdor Islamin për të ndërtuar regjime teokratike, për të shtypur vendin e tyre. Në muajt që vijojnë ne do të organizojmë një konferencë lidhur me dialogun ndërfetar.
Pyetje: Duke pasur parasysh faktin që Shqipëria ka marrë presidencën e radhës të Këshillit të Evropës, ndoshta edhe në kontekstin e festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së vendit tuaj, çfarë mund të thoni në lidhje me gjakmarrjen që ekziston në vendin tuaj dhe që është shkelje e të drejtave të njeriut dhe të shtetit ligjor. Çfarë mund të thoni në lidhje me këtë?
Kryeministri Berisha: Faleminderit për pyetjen tuaj. Më duhet të pranoj që gjakmarrja ka qenë një zakon në kodet e vjetra të kombit tim. Ajo pothuajse është arkivuar në të kaluarën. Megjithatë ka ende raste të gjakmarrjes, nuk është ende një situatë e zeruar, por këto janë raste shumë të pakta. Gjithashtu, edhe vitin e kaluar takova të Dërguarin Special të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara, i cili erdhi në Shqipëri, hetoi dhe saktësoi vetë se fenomeni, dukuria në fjalë ekziston, por në përmasa mjaft herë më të vogla sesa ajo që mediatizohet apo shpallet. Në qoftë se me pyesni mua se cila është zgjidhja, mund t’ju them se zgjidhja është forcimi i sundimit të ligjit. Më lejoni t’ju jap një statistikë, kur erdhëm në pushtet në vitin 2005, popullata e burgjeve tona ishte 1800 persona, tani është 5 mijë dhe niveli i kriminalitetit është më i ulët se mesatarja e vendeve të BE. Ligji është zbatuar dhe mënyra më e mirë për ta parandaluar është zbatimi i ligjit.
Ne nuk kemi dënim me vdekje dhe jam i gëzuar që nuk e kemi këtë dënim, por ne kemi ndëshkime të tjera të cilat mund ta çojnë drejt zhdukjes zakonin e vjetër të gjakmarrjes.
Pyetje: Zoti kryeministër, ne fjalën tuaj ju folët për problemet në Ballkanin Perëndimor, megjithatë nën kryesimin tuaj të Komitetit të Ministrave, çfarë planesh specifike keni për të asistuar më tej stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore?
Kryeministri Berisha: Unë mendoj se shtysa më e madhe për kombet dhe vendet tona është integrimi në BE. Kur shikoj se cila ka qenë situata 12 apo 15 vjet më parë shohim një të kaluar shumë tragjike, por nëse e shihni sot, të gjitha këto kombe duan të punojnë me njëri-tjetrin, duan të kenë një të ardhme të përbashkët dhe unë besoj, mendimi dhe opinioni im modest është se kjo ndodh sepse të gjitha këto kombe shohin si të ardhmen më të mirë integrimin në BE. Prandaj mendoj se kjo është vendimtare t’i ndihmojmë këto vende t’i bashkohen BE-së. Shikoni marrëveshjen e fundit midis Serbisë dhe Kosovës, për mua ishte një sukses shumë i madh, sepse kjo është një marrëveshje, që do të implementohet, që siguron një zgjidhje, edhe pse jo të plotë, por një zgjidhje shumë të rëndësishme për një rajon të vogël, me pasoja të mëdha. Prandaj mendoj se integrimi në BE është një mënyrë për të konsoliduar paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, dhe në të gjithë Ballkanin gjithashtu.
Pyetje: Zoti Kryeministër, së pari dua t’ju përshëndes në emër të Grupit Liberal. Kam patur mundësinë ta vizitoj vendin tuaj dy herë dhe pata mundësinë të vërej progresin institucional dhe të demokracisë në vend, ashtu siç jam i sigurt se për muaj e muaj me radhë opozita ka munguar në Parlament dhe dua të pyes nëse situata është normalizuar dhe gjithashtu nëse ka përfaqësim proporcional të drejtë të atij Parlamenti në këtë Asamble. Faleminderit.
Kryeministri Berisha: Faleminderit për pyetjen tuaj. Është e vërtetë se pas zgjedhjeve të vitit 2009 opozita adoptoi një qëndrim bojkoti dhe gjysmë bojkoti sepse mbeti e pakënaqur nga rezultatet e zgjedhjeve. Ndonëse vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se zgjedhjet plotësuan shumicën e standardeve të OSBE-së, se nuk kishte prova për manipulimin e rezultateve apo numërim të parregullt. U desh pak kohë në fakt, pasi opozita shqiptare është opozitë pro-evropiane, nuk është aspak anti-evropiane. Problemi është se lideri i opozitës mendoi se duke bllokuar qeverinë mund të fitonte kapital politik. Zgjedhjet lokale erdhën dhe Këshilli i Europës ishte thellësisht i përfshirë për të ndihmuar dhe ndihmoi. Në fakt Komiteti Presidencial dhe Rezoluta e përgatitur këtu ishte shumë e dobishme. Tani opozita është në Parlament, tetorin e kaluar arritëm një marrëveshje, që pothuajse respektohet nga të dyja palët. Ne po finalizojmë reformën zgjedhore nën një frymë shumë konsensuale. Jam i lumtur t’ju informoj se kjo reformë filloi në dhjetor dhe deri më tani komiteti i reformës ka diskutuar vetëm amendamentet e paraqitura nga opozita, sepse kërkoi të kishte iniciativën, dhe ne ramë dakord me ta. Unë mendoj se ne nuk do të lodhemi kurrë duke i ofruar atyre frymën konsensuale.
Pyetje: Zoti Kryeministër faleminderit për fjalimin. Dua t’ju bëj një pyetje: Fjalimi juaj ishte shumë optimist. Në fakt në të kaluarën janë bërë shumë gjëra në Shqipëri për të marrë statusin e vendit kandidat për BE. Në të njëjtën kohë ka shumë probleme që duhen zgjidhur, si niveli i lartë i korrupsionit, nevoja për një reformë zgjedhore, etj. Ne duam t’ju kujtojmë juve raportin e kolegut tonë Dick Marty mbi trafikun e organeve njerëzore nga Kosova gjatë konfliktit. Cili është pozicioni juaj mbi këtë çështje dhe si do të bashkëpunoni në hetimin e atyre ngjarjeve? Faleminderit.
Kryeministri Berisha: Faleminderit për pyetjen tuaj. Së pari, padyshim korrupsioni është mater matris e të gjitha të këqijave në një vend të lirë, prandaj ne jemi shumë të përkushtuar për ta luftuar atë dhe kemi arritur disa rezultate shumë të rëndësishme në luftën kundër tij. Nuk e kemi çrrënjosur, por në luftën kundër tij qeveria shqiptare ka mbledhur rreth më shumë se 8 miliardë dollarë amerikanë nga taksat, prokurimet edhe pse i përgjysmuam taksat. Përsa i përket raportit të Dick Marty-t, zyrtarisht unë jam shumë i interesuar për hetimin e çdo akuze që lidhet me krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës. Nuk duhet të ekzistojë asnjë dallim kombëtar. Duke thënë këtë më ka ardhur keq për disa nuanca raciste në atë raport. Kur mësova se një pjesë e madhe e tij ishte shkruar nga Vukcevic, më ka ardhur më shumë keq. Por, kjo nuk e bllokonte atë çfarë kërkova për hetimin. Për njohuritë tuaja dhe të kolegëve tuaj, ne aprovuam një ligj të veçantë në Parlament, që i jep të gjitha autoriteteve, skuadrës hetuese të EULEX, të drejtën për hetim në vendin tim. Ata skicuan ligjin, ne e votuam ashtu siç ishte. Qëndrimi im në lidhje me këtë çështje është se duhet hetuar plotësisht.
Pyetje: Zoti Kryeministër mirëserdhët ne Asamblenë tonë. Nëse ju kujtohet në vitin 1993, vit kur ju erdhët këtu dhe na u drejtuat si President i Shqipërisë dhe unë ngrita çështjen e të drejtave të bullgarëve që jetonin në vendin tuaj. Tani që vini si kryeministër i Shqipërisë, po e ngre sërish këtë pyetje duke ju pyetur se cili është progresi i arritur nga Shqipëria në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe pakicave të bullgarëve që tradicionalisht jetojnë në Shqipëri. Faleminderit.
Kryeministri Berisha: I dashur mik, ju siguroj se ne mbetemi shumë të përkushtuar për të respektuar plotësisht Konventën e Këshillit të Evropës ndaj pakicave. Në vendin tim ne bëjmë më të mirën për t’i mbështetur ata, për të forcuar identitetin e tyre. Për të forcuar lidhjet dhe marrëdhëniet e tyre me kombet e tyre. Ne jemi shumë të gëzuar që kemi një numër të vogël, por të ndritshëm, pakicash në zona të ndryshme të vendit.
Pyetje: Zoti Kryeministër, për një kohë të gjatë kam kryesuar grupin e miqësisë Francë – Shqipëri, në senatin francez. Megjithatë miqësia ime për Shqipërinë nuk mund të zvogëlojë shqetësimet e mia për sa i përket vonesave që po shohim në rrugën për integrimin evropian. BE nëpërmjet Komitetit të Monitorimit ka asistuar në reforma ambicioze në lidhje me median, sistemin gjyqësor apo ligjin zgjedhor. Pa nënvlerësuar përpjekjet e kryera nga qeveria juaj në fusha të tjera, si për shembull fusha e luftës ndaj krimit, a mundeni ju të na sillni disa detaje Asamblesë sonë, të një kalendari specifik mbi këto reforma të pritshme?
Kryeministri Berisha: Së pari, dua t’ju siguroj që ne jemi krenar dhe e vlerësojmë shumë miqësinë tuaj. Së dyti është e vërtetë që ka patur diskutime përsa i përket kodit zgjedhor, madje edhe mbi kodin aktual zgjedhor, që ka qenë rezultat i një konsensusi në secilin prej paragrafëve të tij. Unë shpresoj që në javët në vijim reforma zgjedhore do të përfundohet. Së pari, prej tetorit të kaluar ne kemi parë një bashkëpunim konstruktiv midis mazhorancës dhe opozitës. Ne kemi kaluar disa ligje dhe kode të tjera të rëndësishme. Ligjet që i përkasin drejtësisë janë gati tani dhe u janë shtuar amendamente që janë propozuar nga opozita dhe përputhen me të gjitha standardet e nevojshme, dhe do të aprovohen në të ardhmen e afërt.
Pyetje: Unë kam një pyetje specifike që lidhet me luftën ndaj korrupsionit. Sipas jush çfarë mund të bëhet për këtë kancer të demokracisë?
Kryeministri Berisha: Më lejoni t’ju njoh me atë çfarë ne kemi bërë. Unë mendoj se korrupsioni është armiku më i madh i njerëzve të lirë. Ne filluam me principin e luftës ndaj korrupsionit prej zyrave tona, qe do të thotë se vendosëm disa standarde që i lejoi administratës publike të zvogëlojë shpenzimet operative prej 3.2% të GDP-së në 1.8 % të GDP-së. Së dyti, bëmë privatizimin e të gjitha ndërmarrjeve më të mëdha. Së treti, zvogëluam me 33% të gjithë administratën publike, jemi një nga 10 administratat më të vogla në botë, në proporcion me popullatën. Së katërti, ne u bëmë vendi i parë në botë më prokurime elektronike 100%. Ka mjaft vende me një nivel shumë më të lartë të penetrimit të teknologjisë së informacionit, por vendi im në vitin 2009, u bë vendi i parë në botë me prokurime 100% elektronike, qe na lejoi të fitojmë rreth 29% më shumë para nëpërmjet kësaj praktike. Tani jemi vendi i koncesioneve elektronike, dhe së shpejti do të bëhemi vendi i blerjeve të vogla elektronike. Po përdorim shumë praktikat dixhitale për të rritur transparencën. Në të njëjtën kohë qindra e qindra zyrtarë janë penalizuar për shkak të korrupsionit. Korrupsioni mbetet ende një problem për t’u luftuar, por ka një luftë të fortë kundër tij. Kemi punuar shumë ngushtë me njësinë Greco këtu, e cila sipas meje është njësia më e mirë në Evropë. Ne kemi plotësuar pothuajse të gjitha rekomandimet, përveç dy prej tyre. Unë mendoj se një prej tyre, që është shumë e rëndësishme, heqja e imunitetit, do të ndodh së shpejti në Shqipëri. Lufta jonë kundër tij vazhdon si një interes vendimtar. Gjithashtu dua të theksoj se nëpërmjet kësaj klime kemi arritur të kemi më shumë se 8 miliardë dollarë amerikanë në buxhetin tonë, më shumë se qeveria paraardhëse, krahasuar në të njëjtën periudhe kohore. Faleminderit.
Pyetje: Zoti Kryeministër, dua të përmend një aksident që ndodhi muajin e kaluar ku një zëvendës ministër i mbrojtjes komentoi mbi paradën e parë gay në Shqipëri duke thënë se njerëzit që marrin pjesë në paradë, kuotojë këtu “duhen rrahur me shkopinj gome”. Kryeministri e hodhi poshtë deklaratën si të papranueshme dhe të tepërt. Dua të mësoj prej zotit Berisha se çfarë saktësisht planifikon të bëj qeveria për të shmangur qëndrimet homofobike dhe veprimet nga anëtarë të qeverisë dhe administratës së tij. A mund të na thoni zoti Berisha se çfarë mund të bëhet që zyrtarët e lartë të respektojnë të drejtat LGBT?
Kryeministri Berisha: Faleminderit për pyetjen tuaj. Unë besoj se orientimi seksual është e drejtë e çdo qytetari dhe duhet respektuar. Në këtë kuadër ne kemi miratuar një ligj shumë të mirë, gjithashtu kemi një Komisioner për këtë ligj. Për herë të parë në histori këta njerëz kërkuan të mbanin paradën e tyre, që ishte në të drejtën e tyre, dhe padyshim qeveria ime qëndroi në mbështetje të plotë ndaj tyre dhe bëri thirrje për tolerancë të plotë ndaj tyre. Është e vërtetë që një zyrtar bëri një deklaratë që nuk ishte e mirë, por pa pasoja, sepse parada shkoi shumë mirë. Besoj se para dy javësh ka patur një konferencë shumë të rëndësishme mbi këtë çështje, mbi mbështetjen dhe kundër diskriminimit, kundër homofobisë, dhe kjo konferencë shkoi shumë mirë. Unë gjithashtu besoj, sipas meje, se kjo gjë që ishte një tabu përpara disa viteve, nuk është me e tillë. Ne media dhe kudo këta njerëz janë të pranishëm duke kërkuar të drejtat e tyre, duke treguar veten e tyre. Ka një ndryshim pozitivë, dhe isha shumë i gëzuar që parada shkoi paqësisht, pa aksidente.
Pyetje: Zoti Kryeministër, Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, çfarë masash mendoni të merrni ju gjatë kryesimit tuaj, në mënyrë që Azerbajxhani të vendos negocime të drejtpërdrejta me autoritetet në Nagorni-Karabak?
Kryeministri Berisha: Qëndrimi ynë në lidhje me këtë rajon është qëndrimi i Këshillit të Ministrave. Ne e mbështesim, do të shohim se çfarë kontributi mund të sjellim. Këshilli i Evropës ka ofruar asistencën e tij për të ndihmuar në ndërtimin e institucioneve demokratike atje dhe të angazhohet më shumë në përmbushjen e zotimeve atje.
Pyetje: I dashur Shkëlqesi, prej vitit 2008, 93 shtete kanë njohur Kosovën si një shtet i pavarur, ndërmjet tyre edhe vendi im, Hungaria. Ne gjithashtu jemi avokatë të vendosur të hyrjes së Shqipërisë në BE. Sipas principeve të OKB dhe Këshillit të Evropës të drejtat e vetëvendosjes duhet të sigurohen për të gjitha komunitetet tradicionalisht kombëtare. Jeni dakord me opinionin se për komunitetin serb që jeton në Kosovë duhet të sigurohet autonomi territoriale, por/ose për dyfishin e hungarezëve që jetojnë në pjesën veriore të Serbisë dhe Vojvodinës gjithashtu?
Kryeministri Berisha: Këshilli i Evropës e ka ndihmuar shumë Kosovën në ndërtimin e institucioneve të saj dhe konsolidimin e të drejtave të njeriut dhe pakicave. Unë mendoj se e mbështes plotësisht iniciativën e Sekretarit të Përgjithshëm, afrimi me autoritetet kosovare është vendimtare dhe jetësore. Siç e dini vazhdimisht ka bisedime dhe punime me Komisionin Evropian, Parlamentin Evropian, Këshillin e Sigurisë se OKB, Sekretarin e Përgjithshëm të OKB, dhe ka shumë arsye për të punuar më ngushtë me Këshillin e Evropës. Është thelbësore për të gjitha vendet të pranojnë pakthyeshmërinë e situatës, të realitetit, kjo është vendimtare. Pasi kemi pranuar pakthyeshmërinë e situatës nuk kemi zgjidhje të tjera veç bisedimeve, dialogut, pranimit të standardeve më të mira. Ajo çfarë ndodh në Mitrovicën veriore, ka tre komuna serbe, serbët në jug të Ibrit, që përbëjnë shumicën e tyre, jetojnë në paqe dhe harmoni të plotë me shqiptarët. Serbët në tre komunat në veri të Mitrovicës, ku nuk ka shqiptarë, nuk janë në paqe dhe stabilitet. Unë besoj se të drejtat e tyre duhet të vëzhgohen plotësisht, unë besoj se integriteti dhe sovraniteti i Kosovës nuk mund të vihet ne dyshim. Jam optimist se pas marrëveshjes së rëndësishme të nënshkruar midis Prishtinës dhe Beogradit, një marrëveshje tjetër për situatën si të tërë, do të arrihet dhe jam plotësisht dakord. Nuk është aspak në interes të Serbisë apo të ndonjë vendi tjetër në rajon të kërkojë më shumë se sa siguron Konventa Evropiane mbi pakicat. Bazat për pakicat në vendet tona duhet të jetë Konventa Evropiane për pakicat.
Pyetje: Faleminderit. Së pari dua t’ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe jam shumë i gëzuar që populli shqiptar, njerëz të rinj dhe dinamikë, janë në krye të këtij semestri, sepse ka shumë për të kontribuar për Evropën. Pyetja ime është: Fuqizimi i marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Turqisë çfarë do të thotë sipas jush. Ministri i Jashtëm turk ka shprehur idenë e krijimit të një grupi kundër bllokut greko-bullgar.
Kryeministri Berisha: Faleminderit. Shqipëria ka marrëdhënie tradicionalisht miqësore me Turqinë, ka marrëdhënie shumë të rëndësishme miqësore me Bullgarinë dhe Greqinë, dhe e vlerëson shumë kontributin që japin këto vende në procesin e integrimit evropian dhe vendosjen e paqes në rajon. Kemi zgjedhur projektin më të mirë për të ardhmen tonë që është integrimi në BE dhe ne shpresojmë që edhe Turqia një ditë do të bëhet një anëtar i BE.
Pyetje: Zoti Kryeministër, Shqipëria luan një rol shumë të rëndësishëm në kontekstin e Ballkanit perëndimor. A do ta përdorni kryesimin tuaj 6 mujor të Këshillit të Evropës për të promovuar paqen/stabilitetin, në veçanti në Kosovë ku mendoj se është i domosdoshëm dhe kusht paraprak për njohjen e saj nga vende të tjera, por gjithashtu edhe ne Maqedoni ku ka tension të lartë?
Kryeministri Berisha: Në këtë moment duket se ka patur shumë probleme ne dukje ndër-etnike në Maqedoni, por që në fakt janë rezultat i kauzave të tjera. Paqja dhe stabiliteti në Maqedoni janë të një rëndësie jetësore për rajonin, prandaj ne jemi shumë të interesuar në bashkëpunimin dhe respektin reciprok midis maqedonaseve dhe shqiptarëve. Ka një progres në këtë nivel. Një gjë duhet theksuar që është implementimi dhe respekti i plotë i marrëveshjes së Ohrit, i cili është i një rëndësie jetësore për marrëdhëniet në të ardhmen, të bazuara në paqen dhe stabilitetin midis maqedonaseve dhe shqiptarëve. Përsa i përket Kosovës, unë besoj se është bërë një progres shumë i madh në lidhje me pakicat, dhe dua të theksoj faktin se në vendet ku nuk ka shqiptarë, apo ku serbët jetojnë në komunitete homogjene, është e vështirë të kuptohen arsyet e qenësishme nacionaliste të sjelljes apo qëndrimit të tyre. Është e vështire të kuptosh instabilitetin në rajon, që mund të shpjegohet nga kauzat nacionaliste. Por në planin Ahtisari është parashikuar një kuadër ligjor dhe besoj se ajo çfarë presidenti Ahtisari ka parashikuar mund të çojnë në stabilitet të vërtetë në tre komunat në Mitrovicën veriore dhe mund të shmangim manipulimet nga ana e forcave nacionaliste serbe. Qeveria e Kosovës aktualisht po punon mbi një plan shumë serioz, në mënyrë që të zbatohet sa më shumë të jetë e mundur kuadri ligjor aty, me bashkëpunimin e BE dhe qeverisë amerikane.
Pyetje: Zoti Kryeministër, ende e kujtoj prezencën tuaj në qytetin tim, Valencia, përpara disa vitesh në kuadrin e takimit të BE për Europën Lindore. Së pari dua të theksoj pyetjen për Kosovën dhe qëndrueshmërinë e saj, por pikësëpari për vetdeklarimin e pavarësisë. Cili është mendimi juaj për këtë formulë të vetdeklarimit të pavarësisë? Faleminderit.
Kryeministri Berisha: Faleminderit për pyetjen. Në vitin 1993 ish presidenti i ish Jugosllavisë, Dobrica Ćosić, i cili gjithashtu është themeluesi i nacionalizmit modern serb, shkroi një libër në të cilin thoshte se e vetmja rrugë për Serbinë për të patur vendin e saj midis vendeve të civilizuara është të shpëtojë nga Kosova. Kjo është shumë e vërtetë sepse nëse shkoni më thellë në histori, Kosova nuk ka qenë kurrë pjesë e Serbisë. Realiteti i tyre historik dhe mitologjik është i ndryshëm, i’u dha si ndëshkim ndaj perandorisë otomane, një proces që filloi në Shën Stefan dhe Kongresin e Berlinit dhe përfundoi me Konferencën e Londrës. Robin Cook, kryetari i ndjerë i House of Commons, në vitin 1999 tha se nuk po bëjmë asnjë gjë tjetër veçse po rregullojmë gabimin kur kombet europiane dhanë forcat ajrore për të çliruar Kosovën.
Unë kam qenë dy herë në pushtet, dhe ju siguroj se në vitin 1997, nuk ka pasur asnjë projekt tjetër përveç ndarjes së Kosovës nga autoritetet e Beogradit, të cilin ne e kundërshtuam. Rambuje ishte një përpjekje e madhe për të gjetur një zgjidhje, por u refuzua nga Beogradi. Në fakt Beogradi më shumë donte ndarjen. Prandaj pavarësia e Kosovës ishte e vërtetë. Kur Mali i Zi po shpallte pavarësinë, shumë kombe europiane pyesnin si mund të mbijetojë ky vend i vogël, dhe mbijetoi me shekuj si vend i pavarur, dhe po sjell një kontribut shumë të madh për paqen dhe stabilitetin në rajon, po ashtu edhe Kosova. Nëse shohim historinë e Ballkanit, 100 vjet kryengritje, luftëra, demonstrata në Kosovë të bëra për liri. Që kur Kosova është deklaruar e pavarur rajoni është i qetë dhe po bëhet ende më i qetë. Te gjitha kombet e lira, përveç disave, kanë njohur pavarësinë e saj. Edhe Gjykata e Hagës vendosi në favor të kësaj pavarësie. Nëse shohim ish republikën Jugosllave do të shohim se provinca e Kosovës ka pasur të drejtë veto-je, ka kryesuar dy herë presidencën qarkulluese të ish Jugosllavisë, pra nuk ka arsye për të mos qenë e pavarur. Dhe unë shpresoj se siç jeni një vend i madh mik, të dërgoni misione atje. Ju po jepni një kontribut të madh atje, por më shumë misione janë të nevojshme për të parë në thellësi realitetin e ri, të madh që po rritet atje.
Pyetje: I dashur kryeministër, dua t’ju uroj për faktin se Shqipëria ka arritur një progres shumë të madh, si ekonomikisht ashtu edhe politikisht, në dy dekadat e fundit. Është e jashtëzakonshme që ekonomia shqiptare nuk ka pushuar së rrituri edhe gjatë krizës së viteve të kaluara, është një shembull shumë interesant për shumë vende europiane. Shkëlqesia juaj, mund të na jepni një pasqyrë të shkurtër se cilat janë burimet e performancës impresionuese ekonomike të Shqipërisë, dhe si e trajton qeveria juaj impaktin e krizës financiare ndërkombëtare.
Kryeministri Berisha: Shumë faleminderit. Unë jam një njeri i taksave të ulta. Kur fillova politikën nuk dija asnjë gjë rreth ekonomisë, por isha një besimtar dhe ndjekës i patundur i Ronald Reagan. Ai më frymëzoi, Reagan shkruante: paraja në llogaritë e personave privatë ka më shumë vlerë se në llogarinë e qeverisë. Kështu që në atë kohë vendosa barrën më të ulët fiskale për qytetarët e mi dhe funksionoi. Vendi im së shpejti u bë një vend me rritje ekonomike dyshifrore. Më vonë pasi u ktheva sërish në pushtet, i’u ktheva taksave të ulëta; ne implementuam taksën mbi fitimin 10%, 10% taksën e korporatave, 15% taksën e kontributeve të sigurimeve shoqërore e kështu me rradhë. Unë besoj se ky lehtësim i madh dyfishoi dhe trefishoi aktivitetin e biznesit në vendin tim. Gjithashtu punova shumë për të çliruar bizneset nga barrierat burokratike: së pari, ne jemi një nga 10 administratat më të vogla ne proporcion me numrin e popullsisë, në botë. Së dyti, ne jemi një nga qeveritë më dorëshkurtra ndaj biznesit. Kur shoh këtë krizë, besimi im është se sektori privat do t’i drejtojë vendet të dalin jashtë saj dhe është jetësore të gjesh një mënyrë se si mund të ndihmosh këtë sektor, sepse si sektor publik ne jemi shumë modest.
25/06/2012