E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inaguron përfundimin e segmentit rrugor Levan – Damës, pjesë e superstradës Levan – Tepelenë

Segmenti rrugor Levan-Damës prej 38 kilometra, pjesë e superstradës Levan - Tepelenë, nga dita e sotme vihet në shfrytëzim të plotë për përdoruesit. Ceremonia e inaugurimit të përfundimit të punimeve për këtë segment të rëndësishëm të infrastrukturës rrugore kombëtare, u zhvillua sot paradite, në prani të Kryeministrit Berisha.  Gjithashtu, në këtë ceremoni ishte i pranishëm Ministri i Punëve Publike, Transportit e Telekomunikacionit Sokol Olldashi, anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar, deputetë të zonës, etj. 

Gjatë përshëndetjes së tij në këtë ceremoni, Kryeministri Berisha vlerësoi se përfundimi i kësaj superstrade përbën ndryshimin më rrënjësor në historinë e zhvillimit të Tepelenës, Gjirokastrës, Përmetit, Sarandës e zonave të tjera dhe realizon ndërtimin e një prej rrugëve më të bukura të Shqipërisë.

Superstrada  Levan – Tepelene është pjesë e Korridorit  Veri – Jug dhe ka një gjatësi  totale prej 70 km, një investim prej 70 milionë euro, financuar nga BERZH/BEI. Kjo superstradë është e ndarë në dy seksione: Levan –Damës, përfundimi i të cilës inaugurohet sot dhe Damës – Memaliaj që pritet të përfundojë së shpejti.

Segmenti rrugor Levan-Damës është realizuar me një investim prej 42 milionë euro. Ai ka një gjatësi prej 38 kilometra, gjerësi 10.5 metra, superstradë me 2x1 kalime. Ky segment shkurton me rreth 30 minuta rrugën nga Fieri në Fratar dhe me rreth 1 orë rrugën Fier – Memaliaj. Në këtë seksion rrugor janë ndërtuar 15 ura, me gjatësi totale prej afro 500 m dhe 35 vepra të tjera.

Segmenti rrugor Levan-Damës përfaqëson një superstradë të standardit evropian të rrugëve nacionale  interurbane, një nga infrastrukturat më moderne dhe më panoramike të vendit, e cila shërben për tranzitimin e trafikut të njerëzve dhe mallrave, përgjatë korridorit kombëtar Veri-Jug, në kushte të sigurisë dhe komoditetit më të lartë. Me vënien e plotë në shfrytëzim, në fund të vjeshtës, edhe të segmentit tjetër Damës-Memaliaj, prej 25 km, përfitimet në aspektin e vlerës së kohës, sigurisë dhe amortizimit të mjeteve, do të maksimizohen më tej.

Për sa u përket investimeve të bëra nga qeveria, këto vite, në qarqet Fier,  Vlorë  e Gjirokastër, rezulton se në këto 3 qarqe janë investuar  1.8 miliardë dollarë, janë ndërtuar  1400 km rrugë, me një vlerë 700 milionë dollarë, 565 km rrugë kombëtare dhe 835 km rrugë  rajonale  e rurale, ndërsa 200 km janë autostradë, pjesë të korridorit Jug – Veri, me vlerë 280 milionë dollarë. Këtu  përfshihen autostradat Lushnjë –Fier, Levan – Vlorë, superstradat Levan – Tepelenë, Gjirokastër – Tepelenë, Kardhiq – Delvinë  dhe  Sarandë (Kranë) -  Qafë Botë. Gjithashtu, janë ndërtuar 210 shkolla e kopshte, 280 sisteme të ujit të pijshëm e kanalizime, 177 qendra shëndetësore e ambulance. Janë restauruar 80 objekte të trashëgimisë. Janë subvencionuar  4600 hektarë me ullinj, dru frutorë sera e vreshta. Janë investuar 700 milionë dollar për fuqizimin e rrjetit dhe rehabilitimin e nënstacioneve elektrikë të qarkut, si dhe në ndërtimin e TEC dhe HEC –ve  të rinj.

Më gjerësisht në fjalën e tij Kryeministri Berisha u shpreh:

Të dashur qytetarë dhe qytetare, banorë të Levanit

Zotërinj ministra, deputetë, qeveritarë vendorë

Sot ne inaugurojmë superstradën Levan-Damës, segmentin prej 38 km të superstradës  Levan-Tepelenë. Kjo është një ditë e madhe, kjo është një ngjarje historike për jugun e Shqipërisë në radhë të parë, por për të gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që janë. Kjo përbën ndryshimin më rrënjësor  në historinë e zhvillimit të Tepelenës, Gjirokastrës, Përmetit  e Mallakastrës dhe përbën njëkohësisht ndërtimin e njërës prej rrugëve më të bukura të Shqipërisë.  Ata që nuk kanë njohur luginën e Vjosës nga Levani në Damës, nuk kanë njohur jugun e Shqipërisë dhe bukuritë e tij mahnitëse. Kjo rrugë, kjo superstradë, shkurton distancën  Memaliaj-Levan me më shumë se një orë.  Ajo ka një gjatësi  prej 38 kilometrash, një investim prej 42 milion euro.

Zonja dhe zotërinj,

Në një hark kohor të shkurtër pothuajse një javor, ne inauguruam sëbashku autostradën Levan –Vlorë dhe sot superstradën Levan-Damës. Unë mendoj se për turizmin shqiptar, për qytetarët shqiptar nga Saranda deri  në Levan, ky është shërbimi më i madh që ne mund tu bënim atyre. Ndërtimi i një rrjeti rrugor modern është kushti më themelor për një Shqipëri të zhvilluar e moderne, për një Vlorë, Gjirokastër, Tepelenë, Sarandë të zhvilluar dhe moderne.

Studimet më të besueshme të Bankës Botërore kanë faktuar se, çdo dollar i investuar në asfaltimin e rrugës kthehet me një fitim prej 4.6 deri ne 5 dollarë pra 460 deri ne 500% më shumë. Rrugët janë para së gjithash dhe mbi të gjitha punësim, sepse rrugët janë korridoret e energjisë së tregut. Vetëm lugina që qarkon kjo rrugë, me prodhimet e saj mund të mbajë për një kohë të mirë tregun e Tiranës, por përpara ,natyrisht , nxjerrja e prodhimeve në treg ishte e vështirë për të mos thënë  e pamundur. Distanca që shkurton rruga është punësim dhe vetëm punësim, sepse çdo investitorë  që ka ndërmend të investojë jashtë Tirane, mund të përzgjedhë pa i dhembur koka, mund të përzgjedhë qytete të tjera të jugut, në të cilat arrin me një shpejtësi dhe transport shumë të mirë.

Rruga është punësim, sepse i jep mundësi zhvillimit të fermave bujqësore në të gjithë territorin e tyre. Rruga është punësim, sepse rrit shumë efiçencën e punës së gjithësecilit, rrit të ardhurat , rrit investimet.

Shqipëri në vitin 2005 kishte gjithsej 2430 kilometra rrugë të asfaltuara. Shqipëria  ka asfaltuar nga 2005 deri më sot, mbi 10 mijë kilometra rrugë në qytete, fshatra  në mbarë vendin.  Kjo qeveri do të bëjë gjithçka  që të asfaltojë kudo dhe në të gjithë vendin që ku jetojnë shqiptarë të kenë rrugë të asfaltuara. Kjo është “Leva e Arkimedit”  për të nxjerrë njerëzit nga varfëria, për të  bërë të vlefshme tokën e tyre aty ku janë, për të bërë që të punojnë dhe të prodhojnë dhe të mbrothsojnë  jetën e tyre.  Është e faktuar si drita e diellit se varfëria dhe mungesa e rrugëve janë binjakë të pamëshirë që mbajnë dhe mbështesin njëri -tjetrin, se rrugët dhe infrastruktura janë “Leva e vërtetë e Arkimedit” për zhvillimin dhe begatinë e qytetarëve në Shqipëri dhe mbarë botën.

Ne në projektin tonë për një Shqipëri me rrugë moderne, po ecim me shpejtësi. Këto ditë Institucioni  i Statistikave të Bashkimit Evropian deklaronte se gjatë këtyre viteve Shqipëria ka ndërtuar rrugë, autostrada dhe superstrada më shume se të gjitha vendet e rajonit të marra sëbashku.  Përsëri ky projekt nuk ka përfunduar. Janë edhe qindra, mos mijëra kilometra rrugë për tu ndërtuar, por ne jemi të vendosur ti ndërtojmë ato dhe të bëjmë Shqipërinë me rrjetin rrugor më modern në Europë.  Ne jemi të vendosur ti ndërtojmë ato dhe të bëjmë të mundur krijimin e vendeve të punës për shqiptarët në çdo skaj të këtij vendi.  Nuk ka vend më të pasur me pasuritë e tij natyrore.  Në qoftë se në vitin 2005 do ti premtonin Vlorës se ne do të dhjetëfishojmë turizmin, natyrisht sheshi  edhe i demokratëve që na besojnë do të gajasen, nuk mund ta besonte, por ja që sot turizmi është rritur me 12 herë krahasuar me vitin 2004. Kur ne deklaruam se do të asfaltonim 6 mijë kilometra rrugë, kundërshtarët tanë përqeshën. Ku do ti gjejnë, në qiell, ato nuk ekzistojnë në Shqipëri! Shqipëria nuk ka kurrë 6 mijë kilometra . Nuk merrnin mundimin të futeshin në Google dhe të shikonin, se Shqipëria ka 18 mijë kilometra rrugë. Nuk njihnin as Shqipërinë.

Sot ata nuk gjejnë rrugë të pa asfaltuara, sepse ata nuk shkojnë në ata zona dhe thonë pse asfaltoni. A mund ti imagjinoni ju ish-deputetin e Mallakastrës, të ngrihet në Parlament dhe të thotë pse asfaltoni ju rrugën e Cakrranit , kur autostrada po ndërtohet ?!  Le ta dijë ai zotëri se densiteti i rrugëve është treguesi më besnik, më i qëndrueshëm  i zhvillimit të një zone.  Sa më të dendura të jenë rrugët,  aq më e zhvilluar është zona. Rrugët janë më të dendura në qytetet dhe zonat  më të zhvilluara të planetit, ndaj mos u shqetëso ti pse paska një rrugë që kalon kodrave të bukura kur shkon drejt Cakranit dhe rruga tjetër shkon  buzë Vjosës dhe qytetarët e Cakranit  mund të dalin në autostradë.

Ne ndërtojmë rrugët, ata përpiqen të bllokojnë rrugët. Nuk votuan në Parlament shtesën që u kërkua për ndërtimin e kësaj rruge. Shtesa u kërkua të dashur qytetarë, sepse preventivi  ishte i vitin 2001-2002. Cilat janë çmimet sot pas 10 vitesh? Nuk janë më ato çmime. Kjo rrugë ndërtohet me një financim të Bankave Europiane, natyrisht larg asaj që ato do të mund të pranonin një abuzim nga kushdo qoftë. Nuk votuan sepse donin me çdo kusht të bllokonin përfundimin e tyre para zgjedhjeve. Donte me çdo kusht z. Rama që të shkonte në Vlorë nga rruga e vjetër. Le të shkojë. Ja tek e ka dhe se ndalon askush.  Nuk e mora vesh pse nuk e votuan por mesa duket kishin problemin që të mos i inauguronim para zgjedhjeve, por ne do të inaugurojmë. Ne para zgjedhjeve do të shkojmë në Memaliaj, ne do të shkojmë në Elbasan para zgjedhjeve, ne do të  fillojmë tunelin e Qafë-Murrizit para zgjedhjeve, ne do inaugurojmë rrugë në të katër anët e vendit dhe do të vazhdojmë në mënyrë të pandalshme zhvillimin e këtij vendi. 

Jo bllokimi, por zhvillimi është ajo që kanë nevojë jetike fëmijët tuaj, ju, brezat që vijnë dhe Shqipëria në tërësi. Jo bllokimi, por zhvillimi është potenciali i madh i këtij vendi, ndaj dhe ne do të shfrytëzojmë  gjithçka, për të zhvilluar Shqipërinë.

Vëllezër dhe motra,

Kjo rrugë kalon në tre qarqe, në qarkun e Fierit, të Vlorës dhe të Gjirokastrës.  Në këto tre qarqe janë investuar gjatë qeverisjes nga 2005 deri më sot mbi 1.8 miliard  dollarë, janë ndërtuar mbi 1400 kilometra rrugë  në të katër anët e këtyre qarqeve. Janë ndërtuar 565 kilometra rrugë kombëtare, 200 kilometra autostradë dhe superstradë. Janë ndërtuar 835 kilometra rrugë rajonale dhe rurale dhe do t’ju jap fjalën banorëve të këtyre qarqeve se, do të ndërtohet çdo kilometër rrugë në tërë territorin e tyre.

Janë ndërtuar 210 shkolla dhe kopshte, 280 sistemesh kanalizimesh dhe ujësjellësash, 177 qendra shëndetësore. Janë subvencionuar rreth 5 mijë hektarë vreshta, ullinj, sera dhe dru frutorë. Natyrisht me rrugët, me investimet, me infrastrukturën moderne, ne kemi shndërruar themelet e një mandati të ardhshëm, në të cilën Shqipëria do të ecë me shpejtësinë më të madhe, në të cilën Shqipëri do të kapë nivelin e vendeve të zhvilluara. Sot ne nuk jemi sërish një vend i zhvilluar, por sot jemi një vend që ecim me shpejtësi të madhe drejt nivelit të vendeve të zhvilluara dhe ne ecim me shpejtësi të madhe sepse ne zhvillimin tonë e bazojmë tek liria. Dy ditë më parë një grup institucionesh më serioze të planetit do të botonin  lajmin, që po qarkon sot anembanë botës, se Shqipëria renditet e 12 përsa i përket lirisë ekonomike dhe se ajo me shpejtësi arriti nga vendi i 83 që ishte pak vite më parë, në vendin e 12. Nuk ka lajm më të mirë se ky që mund tu çojmë  ne qytetarëve evropianë dhe të mbarë botës, për të investuar në Shqipëri , për të ardhur në vendin e lirive të garantuara.

Po Komisioni  Europian, dy javë më parë do të njoftonte se, rritja ekonomike në Shqipëri gjatë viteve më të thella të krizës së Europës ishte katër herë më e madhe se mesatarja e rritjes ekonomike të rajonit. Po Komisioni Evropian dhe institucione të tjera, do të pohonin se Shqipëria është vend i vetëm në të cilën papunësi u ul në mënyrë progresive dhe pastaj, vazhdoje i nderuar zotëri përrallën e Ramizit se Shqipërai ka 1 milion të papunë.  Jo more zotëri, ulet papunësia, se ndërtimi i rrugëve ul  papunësinë  në mënyrë të ndjeshme.  Se ndërtimi i rrugëve krijon shanse të mëdha për zhvillimin e tregut, për zhvillimin e fermave, për zhvillimin e sipërmarrjeve  lehtëson transportin. Se zhvillimi i rrugëve ju kursen para në xhep çdo qytetari, i cili harxhonte dy herë më shumë për të shkuar në Gjirokastër  sesa harxhon sot, apo për të shkuar në Vlorë.

Ndaj dhe nuk keni pse çuditeni zotërinj opozitarë, sepse Komisioni Evropian shpalli se Shqipëria është vendi i vetëm ku papunësia gjatë viteve të krizës u ul në mënyrë progresive. Nuk ka sesi të mos ulet papunësia në këtë vend, kur sot ka një bum turistik më të madh se çdo vend tjetër të marrë për një hark kohor. Nuk ka sesi të mos ulet papunësia në këtë vend, ku për shkak të turizmit dyfishohet tregu, fuqia blerëse dhe për rrjedhojë prodhimet e vendit shitet në mënyrë më të leverdishme.

Nuk ka sesi të mos ulet papunësia në këtë vend kur vitin e kaluar ne thithëm dhe morën 1 miliard e 30 milion dollarë investime të huaja dhe të dhënat fillestare të këtij viti janë se ato po ecin drejt dyfishimit. Nuk ka sesi të mos ulet papunësia në këtë vend, kur prodhimi bujqësor në disa sektorë është rritur jo 10 por 16 herë, siç është rritur me prodhimin e mollëve në Korçë.

Nuk ka sesi të mos ulet papunësia në këtë vend kur secili prej  jush që shkon në Dumre konstaton se vetëm Dumreja sot ka sera diellore më shumë seç kishte  gjithë Shqipëria pak vite më parë.

Pra rruga, në tërësi ,nuk është si kjo superstradë apo kjo autostradë, e lehtë , as me lule, as bulevard, por rrugë me djersë, me mund , me suksese, me një të ardhme të sigurt për ne dhe fëmijët tanë.

Gëzuar dhe njëherë ju të gjithë qytetarëve të qarkut të Fierit, Gjirokastrës dhe Vlorës superstradën e bukur e të mrekullueshme Levan –Tepelene të segmentit  Levan-Damës.

Faleminderit.


02/08/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›