Kryeministri Berisha inauguron shkollën 9 - vjeçare “Qamil Guranjaku”, në qytetin e Elbasanit
- Kryeministri Berisha garantoi mësuesit e Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë se edhe gjatë këtyre katër viteve ata do të jenë në epiqendër të reformës së arsimit
- Kryeministri Berisha informoi qytetarët e Elbasanit se projekti për autostradën Tiranë – Elbasan ka përfunduar dhe se brenda këtij viti qeveria do të nisë ndërtimin e saj
- Kryeministri Berisha u shpreh se procesi i heqjes së vizave për Shqipërinë po ecën në mënyrë të sigurt dhe se qeveria ka plotësuar dhe plotëson çdo kërkesë që shtrohet ndaj vendit
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të shkollës 9 - vjeçare “Qamil Guranjaku”, në qytetin e Elbasanit, një investim me vlerë 61 milionë lekë, ndërsa pajisjet e saj kanë kushtuar rreth 20 milionë lekë.
Pas ceremonisë së inaugurimit, Kryeministri Berisha vizitoi ambientet e kësaj shkolle duke u ndalur fillimisht në kabinetin e informatikës. Duke përgëzuar stafin pedagogjik, Kryeministri kërkoi që programi i informatikës të shtrihet edhe në klasat më të ulëta, në klasat e I-ra, klasat e II- ta dhe klasat e III-ta, duke i pajisur edhe kabinetet me kompjuterë të përshtatshëm për këto mosha. “Këto katër vite kemi përparësi absolute moshën dixhitale”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Më pas, Kryeministri Berisha u takua me stafin pedagogjik të kësaj shkolle, të cilët i garantoi se edhe gjatë këtyre katër viteve arsimtarët do të jenë në epiqendër të reformës së arsimit. “Ne e marrim arsimin si çështjen më serioze, sepse për një komb nuk ka asgjë më serioze se arsimi. Mendoj që në disa drejtime është lëvizur mirë. është lëvizur në drejtim të rritjes së numrit të studentëve në universitete. Sot ne kemi 135 mijë studentë në universitete, prej të cilëve 120 mijë në universitetet publike dhe 15 mijë studentë në universitetet private, por duhet të shkojmë tek 150 mijë studentë”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Gjithashtu, Kryeministri theksoi se duhet të rendet edhe pas cilësisë në arsim. “Duhet të rendim pas cilësisë në përgatitjet e mësuesve, në kualifikimin e vazhdueshëm të tyre dhe për cilësinë në kërkimin shkencor në universitete. Në universitete mbetet problem serioz numri i pedagogeve për studentë. Duhet të rritet numri i pedagogëve dhe duhet t’a sjellim atë në nivelin e grupit të vendeve të zhvilluara. Gjithashtu, është ulur dhe do të vazhdojë të ulet edhe numri i nxënësve për mësues”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Në këtë ceremoni, Kryeministri Berisha shoqërohej nga ministri i Arsimit z. Myqerem Tafaj, ministri i Brendshëm z. Lulzim Basha, deputetë të qarkut të Elbasanit, etj.
Fjala e Kryeministrit Berisha në ceremoninë e inaugurimit të shkollës 9 - vjeçare “Qamil Guranjaku”:
“Të dashur nxënës dhe mësues të shkollës “Qamil Guranjaku”,
është nder i madh dhe kënaqësi e veçantë për mua që të ndaj me ju, me prindërit dhe familjet tuaja, kënaqësinë e inaugurimit të një shkolle të re që mban emrin e një personaliteti të shquar, të një shkolle, e cila me të gjithë parametrat e saj qëndron në lartësinë e traditës së shkëlqyer arsimdashëse të qytetit të Elbasanit. Shkolla që ne inaugurojmë sot është një investim prej 61 milionë lekë, ndërsa pajisjet e saj kanë kushtuar rreth 20 milionë lekë. Shkolla është pajisur me teknologji të lartë të informacionit dhe më të gjitha mjetet e simotrave të saj jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë Evropën.
Të dashur nxënës dhe mësues,
Arsimi ka përbërë dhe do të përbëjë përparësinë më madhore për qeverinë që unë drejtoj. Ne jemi të bindur se gara e dijes do të mbetet ende promotori kryesor i ecjes sonë me shpejtësi drejt të ardhmes evropiane. Në këtë kontekst, gjatë këtyre viteve u bënë ndryshime të mëdha. Sot, në këtë shkollë dhe në mbarë shkollat e vendit funksionojnë kabinetet e informatikës, interneti, libraria virtuale dhe laboratorë të tjerë. Unë ju garantoj se gjatë viteve që vijnë, së bashku, do të shënojmë garantimin e internetit në gamë të gjerë në çdo familje shqiptare dhe kompjuter për çdo fëmijë shqiptar. Shqipëria në moshën dixhitale është zotimi ynë. Ajo është dhe do të jetë leva e Arkimedit për të ndryshuar Shqipërinë. Unë i garantoj mësuesit e Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë se edhe gjatë këtyre katër viteve ata do të jenë në epiqendër të reformës së arsimit. Trajtimi i tyre, pagat dhe trajnimi i tyre përbëjnë shtyllën më kryesore të reformës në arsim.
Ne inaugurojmë sot një shkollë të re, por jemi zotuar se gjatë katër viteve që vijnë do të rindërtojmë apo ndërtojmë nga e para edhe 1000 shkolla të tjera në mbarë Shqipërinë. Në fund të këtij mandati fëmijët shqiptarë do të ulen në banka të shkollave tërësisht të rindërtuara apo të ndërtuara nga e para. Në fund të këtij mandati do të ketë marrë një shtrirje masive edhe arsimi parashkollor, në mënyrë që kujdesin për dijen ta shtrijmë edhe në moshat para se fëmijët tanë të ulen në bankat e shkollës.
Unë dua t’u përcjell sot para jush një përshëndetje të përzemërt qytetarëve të Elbasanit, qytetarëve të jugut dhe juglindjes së Shqipërisë, si dhe t’i informoj ata se projekti për autostradën Tiranë – Elbasan ka përfunduar. Gjithashtu, dua t’i informoj se brenda këtij viti qeveria viti do të nisë ndërtimin e kësaj autostrade dhe se ky projekt, me tunelin e tij, shkurton në mënyrë të ndjeshme jo vetëm distancën Elbasan - Tiranë, por edhe distancën Korçë - Tiranë, Berat - Tiranë dhe Tepelenë - Tiranë. Pas rrugës së Arbrit, autostrada Tiranë - Elbasan do të jetë një nga projektet më madhore të qeverisë sonë gjatë këtyre viteve. Ne jemi të vendosur që Shqipëria e vitit 2013 të jetë një Shqipëri krejt tjetër, ku shqiptarët nga të katër anët e vendit të lëvizin në një kohë dy herë më të shkurtër për të mbërritur në kryeqytetin e tyre.
Gjithashtu, kam kënaqësinë t’ju informoj se procesi i heqjes së vizave për Shqipërinë po ecën në mënyrë sigurt. Qeveria ka plotësuar dhe plotëson çdo kërkesë që shtrohet ndaj vendit, në mënyrë që qytetarët shqiptarë, brenda afatit të përcaktuar, të lëvizin të lirë në mbarë hapësirën evropiane.
Edhe një herë ju uroj gëzuar inaugurimin e shkollës së re. Ky është një ndryshim për arsimin në Elbasan, është një ndryshim për arsimin në Shqipëri dhe ju garantoj se gjatë këtyre katër viteve ritmet e ndryshimit do të jenë më të mëdhatë dhe më të shpejtat në të tërë historinë e Shqipërisë.
Faleminderit!”
08/02/2010