Kryeministri Berisha merr pjesë në Samitin “Global Creative Leadership”, në New York
Gjatë vizitës së tij në SHBA, Kryeministri Berisha mori pjesë në Samitin “Global Creative Leadership”, organizuar nga Fondacioni Louise Blouin, me partneritetin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Financial Times.
Ky fondacion prestigjioz bazohet në dy fusha kryesore, të inkurajojë një mirëkuptim dhe bashkëpunim më të mirë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në fushën kulturore përmes një veprimi të përbashkët ndërkombëtar dhe përmes një dialogu të vazhdueshëm dhe të hapur, si dhe për të promovuar idetë dhe kreativitetin drejt një njohjeje më të mirë të vendeve dhe humanitetit.
Kryeministri Berisha pati një shkëmbim të shkurtër idesh me Presidenten e këtij Fondacioni, zonjën Louise Blouin, e cila është dhe Presidentja e Louise Blouin Media, një korporatë e madhe mediatike që publikon mbi 130 tituj periodikësh dhe revistash me përhapje botërore, për të promovuar artin dhe kulturën, në bindjen e plotë se gjuha e tyre është mënyra më e mirë për të nxitur dialogun mes kombeve dhe popujve.
Në takimin përpara fillimit të Samitit, Kryeministri Berisha e njohu zonjën Blouin me përpjekjet e qeverisë shqiptare për një reformë të thellë e të gjithanshme për përhapjen në vend të teknologjisë së informacionit. Gjatë takimit u diskutua mbi bashkëpunimin me Fondacionin Louise Blouin lidhur me promovimin e potencialeve të mëdha turistike dhe kulturore të Shqipërisë.
Në këtë aspekt, Kryeministri Berisha dhe zonja Blouin ranë dakord se ky fondacion mjaft prestigjioz ka një potencial dhe mundësi të madhe për të ndihmuar vendin në promovimin e këtyre vlerave.
Samiti “Global Creative Leadership” është një samit i përvitshëm, në të cilin marrin pjesë për të diskutuar përballë një paneli akademikësh dhe studiuesish kryetarë shtetesh dhe qeverish nga e gjithë bota dhe ku diskutohet gjerësisht mbi sfidat me të cilat përballet globalizimi.
Kryeministri Berisha ishte në këtë edicion relatori kryesor në panelin mbi edukimin arsimor dhe në fjalën e tij, Kryeministri u përqendrua në rëndësinë e teknologjisë dixhitale dhe në reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në këtë drejtim, duke u ndalur në prioritetin që i ka dhënë përhapjes së dijeve dhe projekteve të Shqipërisë në moshën dixhitale.
Kryeministri theksoi se në vitet e fundit qeveria shqiptare ka ndërmarrë një seri hapash për të krijuar një infrastrukturë që të mbështesë një strategji kombëtare për shoqërinë e informacionit përmes shumë projekteve, duke nënvizuar penetrimin e dixhitalizimit në arsim dhe mes të rinjve.
Kryeministri gjithashtu shpjegoi për të pranishmit suksesin e disa prej reformave të rëndësishme të ndërmarra nga qeveria si prokurimet elektronike, regjistri elektronik i shtetasve, qendra e regjistrimit të biznesit etj., si dhe shume aspekte të tjera në këtë drejtim.
Kryeministri në fjalën e tij hodhi dritë mbi projektin ambicioz të arritjes së internetit në çdo shtëpi për çdo të ri, si dhe garantoi se qeveria shqiptare nuk do të kursejë fondet dhe mbështetjen financiare në ecurinë e projekteve në fushën e teknologjisë dixhitale dhe penetrimit të internetit në Shqipëri.
25/09/2009