E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në edicionin e 7-të të Forumit Strategjik të Bled-it, në Slloveni

Kryeministri Berisha mori pjesë në edicionin e 7-të të Forumit Strategjik të Bled-it, në Slloveni, një takim i përvitshëm, i cili organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme sllovene dhe Qendra për Perspektivë Evropiane.

Punimet e këtij Forumi u fokusuan në rolin e Evropës në një komunitet ndërkombëtar që ndryshon, sfidat rajonale në Evropën Jugore dhe Azinë Qendrore, si dhe marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian dhe Kinës. Temat e diskutimit iu referuan rrugëve dhe mundësive të reja drejt nxitjes së rritjes ekonomike dhe rolit të një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm.

Të pranishëm në punimet e Forumit ishin personalitete të larta ndërkombëtare nga Kroacia, Mali i Zi, Sllovakia, Jordania, Palestina, etj, drejtues të lartë të OECD-së, të OSBE-së, si dhe përfaqësues të fushave ekonomike, industriale, akademike, nga më shumë se 50 vende. I pranishëm në këtë forum ishte edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi.

Më poshtë vijon e plotë fjala e Kryeministrit Berisha, gjatë drekës së punës, të zhvilluar në kuadër të punimeve të Forumit Strategjik të Bled-it:

“Zonja dhe zotërinj,

Është një kënaqësi e veçantë për mua të adresoj sot, pas përfundimit të vizitës zyrtare të frytshme në këtë vend mik, këtë forum prestigjioz ku po diskutohen çështje të një rëndësie evropiane e globale dhe, natyrisht, për rajonin tonë të Evropës Juglindore.

Dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve ju për mundësinë që më dhatë për të adresuar këtë fjalë në këtë Forum prestigjioz. Por, më lejoni të falënderoj gjithashtu Presidentin e Republikës së Sllovenisë, z. Danilo Türk, Kryeministrin e Republikës së Sllovenisë, Janez Jansa dhe Presidentin e Asamblesë Kombëtare zotin Grigor Virant, për pritjen e ngrohtë dhe miqësore të treguar ndaj delegacionit tim, gjatë vizitës sime zyrtare në këtë vend të madh mik. Shfrytëzoj rastin t’u shpreh të gjithëve mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë këtyre 20 viteve. Ne jemi krenarë, mirënjohës dhe borxhlinj ndaj të gjithë atyre, për mbështetjen e tyre.

Një falënderim të veçantë dëshiroj të shpreh gjithashtu për Zëvendës Kryeministrin dhe ministrin e jashtëm të Sllovenisë Karl Erjavec, znj. Miriam Možgan, si dhe organizatorët e Forumit Strategjik të Bled-it për organizimin e shkëlqyer të këtij evenimenti të rëndësishëm.

Zonja dhe zotërinj,

Ky Forum organizohet në një çast shumë të veçantë për rajonin dhe Evropën dhe unë kam shumë kënaqësi të ndodhem këtu sot dhe t’i drejtohem këtij Forumi, në një moment shumë të rëndësishëm për kombin dhe vendin tim, në vitin jubilar për shqiptarët. Më 28 nëntor 2012, shqiptarët festojnë 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Kjo përbën një ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombi tonë të vjetër.

28 nëntori 1912 shënoi kurorëzimin e përpjekjeve shekullore, sakrificave, heroizmit, por gjithashtu, të mençurisë e patriotizmi të burrave dhe grave më të shquar të kombit dhe qytetarëve të tij, për një shtet të lirë, të pavarur të shqiptarëve, pavarësisht se kjo ëndërr u shndërrua në realitet vetëm në një pjesë të territoreve ku shqiptarët përbënin shumicën etnike dhe kishin vazhdimësi gjeografike.

Në të vërtetë, 100 vjet më parë, të shumta ishin përpjekjet e fuqive të mëdha që shqiptarët të mos ekzistonin si nocion politik. Këto njëqind vite, kombi ynë ka përjetuar copëtime të mëdha, pushtime të egra, spastrime etnike dhe diktatura oruelliane. Por sot, vendi im vjen në këtë 100 vjetor si vend i lirë, anëtar me të drejta të plota i Aleancës së Atlantikut të Veriut, që jep kontributin e tij në shërbim të paqes e vlerave të saj në rajon e më gjerë.

Shqipëria, në 100 vjetorin e pavarësisë së saj, kryeson sot Komitetin e Ministrave të tempullit më të vjetër të demokracisë evropiane, Këshillit të Evropës.

Shqiptarët, dikur qytetarët e vendit që përjetonte vet-izolimin më të thellë, lëvizin sot pa viza në Evropë. Shqipëria, dy dekada më parë, renditej si vendi i tretë më i varfër në bote, duke lënë pas vetëm Ugandën dhe Angolën. Njëzet vjet më parë, në tetor, në vizitën time të parë zyrtare, si President i Shqipërisë, në këtë vend mik, një zonjë e re e Ministrisë së Jashtme sllovene më tha se pak vite më parë, ajo merrte një rroge prej 3600 markash gjermane. Ndërsa në kohën kur po bisedonim, ajo merrte një rrogë prej 380 Tolar. Por, më tha se ndihej shumë më e lumtur sepse jetonte tashmë në Slloveninë e pavarur. Ndërsa unë, iu përgjigja zonjës se, në atë kohë, qytetarët shqiptarë kishin vetëm 204 dollarë të ardhura për frymë në vit dhe i thashë se, personi me të cilin po fliste, ka një rrogë shumë herë më të ulët se sa rroga e saj, por u shpreha se le të vazhdojmë rrugën tonë për një të ardhme më të mirë.

Sot shqiptarët ende nuk janë të pasur, por ata kanë rreth 9000 dollarë të ardhura për frymë dhe Shqipëria renditet në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Shqipëria përballet me probleme te shumta zhvillimi, por ajo ka arritur disa tregues themelore të vendeve të zhvilluara. Shqipëria ka sot vdekshmëri foshnjore dhe amtare njëshifrore. Nivelin e vdekshmërisë në tërësi më të ulët se në të gjitha vendet ish-komuniste. Aksesi në sistemin shëndetësor e arsimor, si dhe përdorimi i internetit në vendin tim janë afër ose në të njëjtat nivele me vendet e zhvilluara. Po kështu, janë garantimi i investimeve, regjistrimi i biznesit dhe investimet ndërsektoriale.

Shqiptarët, të cilët në vitin 2001 kishin banesa për 1000 banorë më pak se çfarë ka pasur çdo komb tjetër evropian në vitin 1980, kanë arritur të tejkalojnë, me ndërtimet e banesave të tyre në 10 vjet, 5 kombe anëtare të Bashkimit Evropian dhe OECD-së, në numrin e banesave për 1000 banorë.

Ekonomia shqiptare natyrisht që i ka ndier pasojat e krizës ekonomike multidimensionale, e cila do të jetë me sa duket e afatgjatë. Rënia e remitancave të emigrantëve, rënia e eksportit nga Italia, për shkak të krizës atje, problemet e krijuara nga euro në sistemin bankar, të gjitha të ardhura nga vendet anëtare të Eurozonës, kanë krijuar vështirësi reale.

Por me gjithë këtë, Shqipëria në këto vite nuk ka rënë në recension. Kjo, jo sepse ekonomia shqiptare është e izoluar, përkundrazi, ekonomitë e vogla nuk mund të jenë tjetër veçse hiperglobale. Ekonomia shqiptare i rezistoi krizës pa rënë në recension, para se gjithash, për shkak të modelit të saj. Ky model bazohet në taksa të ulëta, në standardet më liberale të tregut, në administratë të vogël, në klimën më miqësore ndaj biznesit. Shqipëria ka nivelet më të ulëta të taksave në Evropë. Ka një ndër 10 administratat më të vogla e më dorë-shkurtra ndaj biznesit në botë. Ajo qëndron mbi mesataren e OECD, për sa i përket investimeve ndër‑sektoriale, regjistrimit të biznesit dhe mbrojtjes së investimeve.

Ekonomia shqiptare është rritur 22% në pesë vitet e fundit të marra sëbashku, një shifër katër herë më e lartë sesa mesatarja e rajonit.

Shqipëria po ndërton një nga infrastrukturat më moderne në rajon. Eksportet e Shqipërisë u dyfishuan për periudhën 2009-2011. Investimet e huaja direkte u rritën në 4 vjet me 316 për qind. Vitin e kaluar, vendi im mikpriti mbi 4 milionë turistë e vizitorë nga 300 mijë që priti gjithsej në vitin 2004.

Zhvillimi i qëndrueshëm, i bazuar në rritjen e konkurueshmërisë dhe rritjen jeshile, mbeten objektiva madhorë të qeverisë sime. Shqipëria është një vend i pasur në ujëra, një lloj “Norvegjie e vogël ne Ballkan”. Qeveria ka nënshkruar me sektorin privat rreth 120 kontrata për ndërtimin deri tani të 330 hidrocentraleve. Kompani nga vendet tuaja, nga e gjithë bota, po punojnë në Shqipëri për energjinë e gjelbër. 70 nga këto hidrocentrale kanë përfunduar së ndërtuari. Të tjerë janë në ndërtim e sipër. Në vitet që vijnë, vendi do të shndërrohet në një superfuqi të vogël të energjisë së rinovueshme në rajon.

Zonja dhe zotërinj,

Qeveria shqiptare është tërësisht e angazhuar në ecjen përpara me shpejtësi në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Integrimi Evropian përbën projektin më të rëndësishëm kombëtar i cili mbështetet nga mbi 96% e opinionit publik si e ardhmja më e mirë për qytetarët shqiptarë, për Shqipërinë, por edhe për rajonin tonë të Evropës Juglindore konsolidimin e mëtejshëm të paqes e bashkëpunimit midis vendeve tona.

Qeveria shqiptare e konsideron anëtarësimin e Shqipërisë në BE si një proces të bazuar tërësisht mbi meritë, pasi, në bindjen time më të thellë, ky është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë. Megjithatë, disa probleme të brendshme, për mendimin tim, plotësisht të bazuara në kalkulime politike të gabuara dhe të dështuara, e kane ngadalësuar pak procesin. Së fundmi, një frymë bashkëpunimi bipartizan bëri të mundur miratimin me konsensus të reformës zgjedhore dhe të disa ligjeve të tjera të rëndësishme për procesin e integrimit. Një debat i ndezur po zhvillohet mbi çështjen e imunitetit. Jam thellësisht i bindur se vendi im duhet ta heqë imunitetin dhe kjo duhet të ndodhë. Ne po punojmë që ta heqim atë në Parlament. Por, në rast se kjo nuk do të jetë e mundur, shqiptarët do të kenë të drejtën të shprehin mendimin e tyre mbi këtë çështje themelore. Gjej rastin të përsëris vullnetin e qeverisë shqiptare për miratimin e çdo mase, çdo reforme, ligji apo vendimi tjetër të nevojshëm, që vendi ynë të ecë përpara drejt rrugës së tij të pandalshme drejt BE-së. Ne po punojmë ngushtë me komisionin e BE dhe vendet mike për të plotësuar sa më shpejtë që të jetë e mundur të gjitha detyrimet tona për statusin e vendit kandidat.

Gjatë këtyre 20 viteve të fundit, Shqipëria dhe shqiptarët kanë përjetuar solidaritetin dhe mbështetjen më të madhe në historinë e tyre nga vendet e kombet miq, si edhe ndihmën e paçmuar të tyre. Ndaj dhe unë, gjej rastin të shpreh mirënjohjen më të thellë për SHBA, Bashkimin Evropian dhe vendet e tij anëtare dhe të gjitha vendet mike anë e mbanë globit, qeveritë e taksapaguesit e tyre, për bujarinë dhe miqësinë që ato kanë dëshmuar ndaj Shqipërisë e kombit shqiptar.

Ne shqiptarët, jemi një komb i vogël, por mbartim një mesazh të shumë madh, atë të tolerancës së shkëlqyer fetare dhe respektit shembullor ndërfetar e bashkëpunimit ndëretnik, traditë kjo shekullore e kombit tonë. Gjatë luftës së dytë botërore, shqiptarët, me sakrificat e tyre qëndruan dhe luftuan në anën e drejtë të historisë. Shqiptarët nuk morën pjesë në Holokaust, përkundrazi, numri i hebrenjve në fund të luftës në Shqipëri ishte disa herë më i lartë se ne fillimet e saj.

Zonja dhe zotërinj,

Pavarësisht luftërave shkatërruese e dramave të dhimbshme që ka përjetuar gadishulli i Ballkanit në të kaluarën, rajoni po përjeton tashmë një kohë përpjekjesh të mëdha nga ana e popujve të vet, për të arritur një bashkëpunim më të ngushte me njëri-tjetrin, si në integrimin rajonal, ashtu edhe atë evropian.

Shqipëria ruan marrëdhënie miqësore me të gjithë fqinjët e saj dhe vendet e tjera në rajon. Shqipëria ka mbështetur dhe mbështet dialogun mes Republikës se Kosovës dhe Serbisë, për të gjitha çështjet teknike dhe ka përshëndetur marrëveshjet e ndërmjetësuara nga BE mes të dy vendeve. Ne besojmë se zbatimi i plotë i tyre është dhe mbetet një faktor i rëndësishëm, jo vetëm për marrëdhëniet mes këtyre dy shteteve, por edhe për rajonin në tërësi.

Ne ftojmë udhëheqjen e re politike në Beograd të pranojë, në interesin e saj më të mirë, Kosovën e pavarur si një realitet të parikthyeshem në rajonin tonë dhe të tregojë të njëjtin vullnet të dëshmuar nga Republika e Kosovës për implementimin e plotë të marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel, si rruga më e mirë për konsolidimin e paqes dhe bashkëpunimit në rajon, që në të njëjtën kohë, është në dobi të interesit më të mirë të qytetarëve të të dy vendeve dhe të rajonit në përgjithësi.

Republika e Kosovës është shndërruar sot në një faktor real paqeje e stabiliteti në rajon, çka u dëshmua qartësisht edhe nga ndërprerja nga ana e komunitetit ndërkombëtar e procesit të mbikëqyrjes së pavarësisë së saj. Qeveria shqiptare përshëndet rolin dhe kontributin thelbësor të EULEX dhe KFOR në lidhje me paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit.

Gjithashtu, uroj që në të ardhmen e afërt, disa vende evropiane, anëtare të BE dhe NATO, të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën, të marrin vendimin e tyre të duhur.

Zonja dhe zotërinj,

Rajoni ynë, vetëm pak vite më parë, njohu luftërat dhe konfliktet më të egra në Evropën e pasluftës. Sot ky rajon ka bërë progres të jashtëzakonshëm në drejtim të bashkëpunimit, paqes dhe stabilitetit rajonal, integrimit euroatlantik dhe evropian.

Kështu, sot Sllovenia, Kroacia, Shqipëria, janë anëtare të NATO-s, Sllovenia e Kroacia janë anëtare të BE-së dhe vendet e tjera janë në marrëdhënie gjithnjë e më të ngushta me BE-në. Proceset integruese kanë qenë forca lëvizëse kryesore, plazma e këtyre bashkëpunimeve. Këto procese shtyjnë, shkëpusin popujt tanë nga e shkuara e hidhur recente dhe distante dhe i shtyjnë ata drejt një të ardhmeje të merituar.

Por unë mendoj se, pavarësisht nga progresi i jashtëzakonshëm që ka njohur rajoni ynë, sërish ai përballet me probleme e sfida për t’u zgjidhur. Këto probleme ekzistojnë në përpjekjet për të vështirësuar funksionimin e Federatës së Bosnje -Hercegovinës, përpjekjet për të kontrolluar me struktura paralele tre komuna të veriut të Mitrovicës dhe shndërruar ato në vatra të fuqishme të krimit të organizuar dhe kontrabandës, këto janë probleme serioze në rajon. Me qëndrimet ndaj Bosnjës dhe veriut të Mitrovicës, qarqe ultranacionaliste të Beogradit dëshmojnë se nuk kanë hequr dorë nga ëndrra e tyre e keqe që zhyti Ballkanin në njërin prej konflikteve më të egra të historisë së tij. Unë mendoj se respektimi i kufijve ekzistues në rajonin tonë, shndërrimi i tyre në kufij evropianë, është kusht themelor për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Por duhet të theksoj se një tjetër kërcënim në Ballkanin perëndimor është Albanofobia. Ky fenomen ka lënë gjurmë në sjelljen e fqinjëve ndaj shqiptarëve për dekada dhe shekuj. Kjo doktrinë racizmi, urrejtjeje dhe përçmimi ndaj shqiptarëve, fatkeqësisht, ka edhe sot shpërthimet e veta të shëmtuara.

Nuk mund të kenë shpjegim tjetër sulmet politike ndaj shqiptarëve të Preshevës ditën e heshtjes zgjedhore, të drejtuara nga njeriu që sot drejton ekzekutivin e Serbisë, me qëllimin e vetëm terrorizimin e shqiptarëve, që ata të mos dilnin në zgjedhje për të pasur deputetin e tyre në Parlamentin e Serbisë. Dhe sot, pas gati 70 vjetëve, këta njerëz nuk kanë përfaqësuesin e tyre në Parlamentin e Serbisë.

Gjithashtu, është e pa justifikueshme denoncimi i nderimit të luftëtarëve të lirisë që, me sakrificën e tyre sublime, bënë të mundur Marrëveshjen e OHRIT, që përbën një bazë solide për paqen, stabilitetin e Maqedonisë.

Unë u ndala tek këto dy raste, por ka dhe shfaqje te tjera, të cilat janë dhe mbeten të papranueshme për shqiptarët. Unë besoj se respektimi i plotë i minoriteteve në Kosovë dhe kudo tjetër, është vendimtar dhe jetësor për paqen dhe stabilitetin dhe unë përshëndes të gjithë progresin e bërë nga autoritetet e Kosovës në këtë aspekt. Por, cilido që shikon realitetin, do të gjejë një pamje interesante rreth Ibrit. Atje janë tre komuna plotësisht homogjene, pa asnjë shqiptar. Ata thonë se nuk mund të jetojmë në paqe me shqiptarët, por shumica e serbëve që jetojnë jashtë Ibrit, jetojnë në paqe dhe harmoni të plotë me fqinjët shqiptarë, pa incidente.

Është bindja ime e thellë se ideja e krijimit përmes ligjit dhe kushtetutës të një superminoriteti Serb në Kosovë, nuk i shërben aspak minoritetit. Ne jemi të pasur në minoritete dhe jemi të lumtur që i kemi, por gjithashtu duhet të pranojmë se dokumentet evropiane mbi minoritetet janë punimet më të mira dhe më të përditësuara dhe ne duhet te jemi krenarë t’i implementojmë ato në letër dhe në frymë.

Një çështje me ndikim negativ në rajonin tonë është bllokimi i integrimit euroatlantik dhe europian të Maqedonisë nga Greqia, për shkak të kundërshtive për emrin. Për Shqipërinë, Maqedonia është një vend shumë i rëndësishëm për paqen dhe bashkëpunimin rajonal. Ajo ka ndërmarrë reforma të thella dhe të suksesshme që e kanë bërë atë defakto anëtare të NATO-s dhe me statusin e avancuar te vendit kandidat. Gjetja e një kompromisi midis palëve dhe zhbllokimi i integrimit të saj, është i një rëndësie të veçantë për të gjithë rajonin.

Prandaj, unë uroj dhe shpresoj që SHBA dhe Evropa do të japin të gjithë kontributin e tyre për të dy këto vende, në gjetjen e një zgjidhjeje, një zgjidhjeje të ndryshme për të dy vendet, që të shohin së bashku drejt të ardhmes.


Zonja dhe zotërinj,

Pranvera arabe, e cila filloi me përmbysjen e diktatorit Ben Ali, në Tunizi, solli zhvillime të rëndësishme pozitive, të përshëndetura nga popujt e vendeve të përfshira në të dhe mbarë opinioni ndërkombëtar. NATO dhe vendet e lira dëshmuan sërish se i qëndrojnë fuqishëm vlerave më të lartë të njerëzimit. Pas ndërhyrjes në Libi dhe rrëzimit të tiranit Ghadaf, ky vend mik zhvilloi për herë të parë zgjedhje të lira dhe të drejta.

Shqipëria përshëndeti përfundimin e zgjedhjeve në Egjipt, duke besuar se pas rrëzimit të regjimit të Mubarakut, ky vend ka hedhur hapat e para pozitive drejt konsolidimit të demokracisë dhe rifitimit të vendit që meriton, si një komb i madh e i rëndësishëm në arenën globale.

Populli sirian po përballet me masakrat e barbaritë e Bashar al-Asadit. Ky diktator, me mizoritë që po kryen, ka dhunuar frymën dhe çdo gërme të Deklaratës Universale të të drejtave të Njeriut, Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në këtë kontekst, mendoj se është jetike që komuniteti ndërkombëtar, Aleanca e Atlantikut të Veriut, të ndërmarrë të gjitha masat, si edhe në Bosnje-Hercegovinë, në Kosovë, edhe në Libi, për të shpëtuar nga shfarosja një popull që po martirizohet për liri dhe për dinjitet njerëzor. Çdo vonesë kushton çdo ditë me qindra jetë të pafajshme e të pambrojtura njerëzore.

Për sa i përket bashkëpunimit dypalësh me këto vende, Shqipëria si një vend multifetar, mund t’u ofrojë këtyre vendeve mike shembullin më të shkëlqyer se islami është plotësisht i pajtueshëm, si me sistemin demokratik të qeverisjes, ashtu edhe me të drejtat dhe liritë universale të individit.

Shqipëria, si kryesuese e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, po përpiqet për t’i afruar këto vende me Këshillin e Evropës, një institucion i shkëlqyer, me një përvojë të jashtëzakonshme e shumë të dobishme për to.

Faleminderit për vëmendjen!”


04/09/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›