E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e Portalit të ri on-Line për Aplikimet dhe Ankesat e qytetarëve në ZRPP

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e Portalit të ri on-Line për Aplikimet dhe Ankesat e qytetarëve në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP), në Tiranë.

Ky portal i ri shërbimesh për qytetarët, i cili është pjesë e rëndësishme e reformës së dixhitalizimit të sistemit të drejtësisë do të kompletojë më së mirë dhe me transparencë të plotë kërkesat e qytetarëve ndaj ZRPP, në një kohë të shkurtër dhe me kosto të ulët.

Duke filluar nga dita e sotme, çdo qytetar për çdo veprim qe kërkon te kryeje ne këto zyra, si dhe për çdo shërbim qe kërkon te marre, do te paraqitet aty një herë të vetme për të plotësuar aplikimin përkatës dhe për tu pajisur  me Username dhe Password.  Pas këtij momenti qytetari nuk ka me asnjë kontakt fizik me ZRPP, por nëpërmjet  username e password-it personal ai do të mund të ndjekë në portal ecurinë e aplikimit të tij.

Nëse qytetari konstaton vonesa në ecurinë e aplikimit, ai mund të paraqesë një ankim online, nëpërmjet pjesës tjetër te portalit te ri.

Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe Ministri i Drejtësisë, zoti Eduard Halimi, Drejtori i Përgjithshëm i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zoti Arben Qirjako, punonjës të IT të angazhuar me realizimin  e këtij projekti, punonjës të ZRPP, etj.

Fillimisht, Kryeministri u njoh nga specialistët e fushës me shërbimet që ofron portali dhe  mënyrën e funksionimit të tij. Më pas, kryeministri përshëndeti të pranishmit dhe përgëzoi punonjësit e ZRPP për punën shumë të rëndësishme në shërbim të qytetarëve, në njërën prej fushave më themelore të shoqërisë dhe të shtetit, siç është regjistrimi i pasurive.

Kryeministri shprehu kënaqësinë që Shqipëria dixhitale, e cila deri pak vite më parë ishte e paimagjinueshme për qytetarët shqiptarë, tashmë po bëhet gjithnjë e më e prekshme, gjithnjë e më reale për ta.

Kryeministri tha se zbatimi i projekteve të tilla rrit transparencën e punës së administratës shqiptare dhe disiplinon zyrtarët për më shumë eficentë dhe shpejtësi në gjetjen e zgjidhjeve për kërkesat  e qytetarëve.

Gjithashtu, Kryeministri ftoi të gjithë specialistët në sektorin e ICT, studentët të cilët aktualisht studiojnë në fushën e informatikës dhe teknologjisë së informacionit, pedagogët, katedrat e  kompaninë, që në kohën e mundësive të mëdha, të guxojnë të ndërmarrin projekte në këtë fushë, në dobi të inovacionit dhe të ardhmes së Shqipërisë dixhitale.

Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari dëshiroj tu përshëndes shumë përzemërsisht ju punonjës së Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë të Tiranës, por të gjithë punonjësit e regjistrimit të pasurive në Shqipëri për punën e madhe që keni bërë dhe bëni në shërbim të qytetarëve në njërën prej fushave më themelore të shoqërisë dhe të shtetit siç është regjistrimi i pasurive.

Por unë shpreh gjithashtu kënaqësinë time të madhe, urimet e mia më të përzemërta për ju, që me këtë akt që inaugurojmë sot dilni në krye të përpjekjeve tona të Shqipërisë dixhitale. Shqipëria dixhitale  është Shqipëria, e cila vetëm pak vite më parë ishte jashtë çdo lloj imagjinate për Shqipërinë dhe shqiptarët, por Shqipëria dixhitale është Shqipëria e shpejtësisë më të madhe, është Shqipëria e shërbimit më të qytetëruar , është Shqipëria  e transparencës më të madhe.

Nuk ka një fushë në të cilën taksat e qytetarëve shqiptarë u rikthehen atyre në shërbime, në mirësi, në transparencë, më shumë se në fushën dixhitale. Dhe sot në këtë drejtim në mbarë vendin janë 120 projekte, të cilat ecin me shpejtësi, por dua tu them ju këtu, se projektet e kësaj zyre meritojnë të klasifikohen si më të shkëlqyerat dhe kjo së pari sepse vendosen gjurmshmëri. Kur pak muaj më parë ne kemi bërë fjalë për sistemet e gjurmshmërisë jam shumë i bindur se shumë të pakët kanë qenë ata të cilët imagjinuan se çfarë janë ato. Por brenda një harku kohor shumë të shkurtër kjo zyrë e shndërroi në realitet njërin nga shërbimet më jetike për qytetarët dhe gjurmshmëria është forma më e përkryer, më transparente, më e shpejtë, më pak e kushtueshme për qytetarin shqiptar dhe biznesmenët, por njëkohësisht ajo është një mekanizëm jashtëzakonisht i rëndësishëm në disiplinimin e burokratëve të administratës, e zyrtarëve të administratës. Ata çdo orë, çdo minutë dhe çdo ditë përballen me këtë sistem dhe duhet të qëndrojnë në lartësinë e detyrës, në mënyrë që ai të flasë mirë për ta, në mënyrë që ai të dëshmojë eficencën e tyre të shërbimit ndaj qytetarëve. Ky sistem mbi të gjitha u jep qytetarëve shqiptarë kohën dhe ne më shumë se çdo gjë përpiqemi me reformat tona tu japim atyre kohën, më të çmuarën.

Ne ndërtojmë rrugë në të katër anët e vendit sepse duam me çdo kusht të shkurtojmë distancën kohore që ju duhet atyre për të arritur në destinacionin e tyre. Ne vendosim këtë sistem sepse duam me çdo kusht që qytetarët të shpenzojnë kohën minimale për të realizuar qëllimin  e tyre. Por sistemi i gjurmueshmërisë që ne inaugurojmë si forma më e avancuar e një zyre të regjistrimit dixhital, sepse procesi në disa etapa ka filluar që në vitin 2007. Në vitin 2007 është  vendosur  One Stop Shop dhe me rradhë. Ky sistem ka një specifikë të madhe, do ta quaja për vendin të jashtëzakonshme, është ndërtuar nga ekipi i IT së Zyrës, ndaj dhe unë ju zoti Xhevahir dua tu jap përgëzimet më të mëdha të qeverisë, ju dhe ekipit tuaj. Dua tu them ju se në rast se nuk do të ishte shpirti i inovacionit të këtij ekipi, ky sistem nuk them se nuk do të ndërtohej, pasi ai ishte qëllim i zyrës, ministrisë, i qeverisë, por nuk do të inaugurohej kurrë ditën e sotme, do të kishte zgjatur pothuajse dhe 6 deri 8 muaj të tjerë, ndoshta dhe një vit për të mos thëne që kurrë nuk do të ndërtohej pa një shifër prej 200 mijë apo 300 mijë euro, dhe ekipi e ndërtoi në një kohë rekord me shpirtin e inovacionit, po kështu Aristoteli i cili ofroi si bashkëpunëtor i zyrës sistemin dixhital të noterisë.

Unë mendoj se Xhevairi dhe ekipi i tij, Aristoteli janë frymëzues për të gjithë punonjësit e ICT së vendit, të cilët duhet të guxojnë, të ndërmarrin me guxim projekte. Qeveria i garanton se do ti mbështesë ata, sikundër qeveria do ti shpërblejë ata sepse ky është një shërbim shumë i madh që i kanë bërë vendit. Por, për ne e rëndësishëm është që këto janë produkte të punonjësve tanë, produkte të standardeve më të mira botërore. Prandaj unë ftoj këtu punonjësit e ICT së vendit, studentët e fakulteteve të teknologjisë së informacionit, pedagogë, katedra, kompani, të guxojnë dhe të ndërmarrin projekte në këtë fushë. Unë kam bindjen se mundësitë i kanë shumë të mëdha.

Duke kujtuar këtu një histori ju tregoj se në vitin ’81 i vetmi kompjuter personal ishte Apple 2, një kompjuter me kapacitet 64 Mb. Një i ri i talentuar arriti, duke punuar në një prej metodave kompjuterike ta programojë atë, por problemi ishte ndërfaqja me aparaturën tjetër. Ndërfaqe nuk kishte dhe ndoshta ndërfaqja në Apple 2 nuk ekzistonte askund sepse të tjerët punonin me kompjutera të mëdhenj. Ne punonim me Apple 2 sepse atë kishim mundur të siguronim dhe kjo ishte arritja jonë më e madhe. Ky djalë i talentuar u angazhua që të bënte ndërfaqen dhe ia doli. Një kompani britanike ia kërkoi t’ia blinte, por natyrisht shteti i asaj kohe nuk ia lejoi kurrsesi. E solla këtë shembull për të inkurajuar kërkuesit tanë, novatorët tanë, studiuesit tanë, se në Shqipërinë e 2012-s kushtet dhe mundësitë janë qindra herë më të mëdha. Dhe uroj që të vazhdojnë të inaugurojnë. Gjurmshmëria është dhe do të mbetet qëllimi ynë themelor deri sa ne të arrijmë që qytetari shqiptar të marrë në një sportel, të gjithë informacionin që i duhet atij në raport me këtë shtet, që qytetari shqiptar të ndjekë në çdo hap kërkesën apo dokumentin e tij në të gjithë labirintin e kësaj administrate.

Ky është qëllimi për të bërë këtë njërën nga administratat me transparente të Evropës dhe të botës.


06/07/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›