Kryeministri Berisha nderohet me titullin “Qytetar Nderi” i Deçanit
"Nuk ka dhe nuk mund të ketë forcë më të madhe, nuk ka burim force më të madh se ideja e bashkimit kombëtar, bashkimit të fuqive, energjive të këtij kombi për të ardhmen e vet evropiane".
Vizitën e tij në Kosovë, Kryeministri Berisha e vijoi në Deçan, ku u ndal fillimisht për të nderuar dhe për të vendosur nga një buqetë me lule pranë shtatoreve të heronjve Luan Haradinaj dhe Sali Çeku, në qendër të Deçanit. Të pranishëm në këto homazhe ishin dhe Presidentja e Republikës së Kosovës znj. Ahtifete Jahjaga, Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, zv/Kryeministri kosovar Hajredin Kuçi, Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, zoti Agim Çeku, si dhe familjarë të familjes Haradinaj.
Më pas, kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha u drejtua për në Komunën e Deçanit, ku u prit nga Kryetari i kësaj komune, zoti Rasim Selmanaj, këshilltarë të komunës, si dhe qindra qytetarë të mbledhur në shesh për ti uruar mirëseardhjen Kryeministrit Berisha.
Në një ceremoni të organizuar, në sallën e Asamblesë Komunale të Deçanit, kryeministri Berisha u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Komunës së Deçanit, dorëzuar nga kryetari i Komunës së Deçanit, zoti Rasim Selmanaj i cili u shpreh se ky titull më shumë se simbolikë është mesazhi i përjetësisë dhe respektit, i lirisë dhe dinjitetit njerëzor.
Me emocion dhe mirënjohje, kryeministri Berisha u shpreh se meritën e këtij titulli, ia dedikon në radhë të parë të rënëve të Deçanit, Drenicës dhe mbarë Kosovës, pa sakrificën sublime të të cilëve, nuk do të ishte e mundur që shqiptarët në të dy vendet të takoheshin lirisht mes tyre.
“Nuk ka dhe nuk mund të ketë forcë më të madhe, nuk ka burim force më të madh se ideja e bashkimit kombëtar, bashkimit të fuqive, energjive të këtij kombi për të ardhmen e vet evropiane”, u shpreh kryeministri Berisha, i cili u zotua se “nën këtë moto do të punojmë me përkushtim të madhe që ne shqiptarët kudo që jetojnë në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo të arrijmë të ndërtojmë atë të ardhme të ndritur për të cilën flijuan jetën, heronjtë e Deçanit, heronjtë e Kosovës, heronjtë e kombit shqiptar në mbarë trevat shqiptare.