E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha ngushëllon presidentin Obama për tragjedinë në bazën ushtarake të Teksasit

Kryeministri Sali Berisha, i dërgoi presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shkëlqesisë së Tij, z.Barack Obama, një telegram ngushëllimi për tragjedinë e ndodhur në bazën e Fort Hood, Teksas, ku humbën jetën 13 ushtarakë dhe u plagosën 30 të tjerë.

Në mesazhin e tij drejtuar presidentit amerikan, Kryeministri Berisha u shpreh:
 
I dashur z. President, Obama!
 
Me keqardhje të thellë mësuam për ngjarjen tragjike në bazën ushtarake të Fort Hood, Teksas, ku si pasojë e goditjes së pabesë me armë zjarri humbën jetën 13 dhe u plagosën 30 ushtarakë dhe qytetarë të tjerë të pafajshëm amerikanë, të cilët i ishin përkushtuar një misioni fisnik e shumë të vlerësuar.
 
Më lejoni që, në këtë çast zije kombëtare, të ndaj me Ju, qeverinë dhe kombin mik amerikan, si dhe forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, hidhërimin për humbjen e jetëve njerëzore, si edhe t’Ju përcjell, në emrin tim e të qeverisë shqiptare, por edhe në emër të të gjithë shqiptarëve, ngushëllimet dhe ndjenjat më të sinqerta të solidaritetit njerëzor, për këtë humbje të madhe, për familjet e viktimave dhe kombin tuaj, si edhe t’Ju uroj shërim të shpejtë për të gjithë të plagosurit.
 
Dëshiroj t’Ju siguroj se të gjithë shqiptarët ndajnë me Ju, me familjet e viktimave dhe me kombin mik amerikan, dhimbjen për këtë humbje të rëndë dhe luten që shpirtrat e tyre të gjejnë paqen e amshuar.
 
Me sigurimet e konsideratës sime më të lartë,
 
 
                                        Juaji
 
                                  Sali BERISHA
 06/11/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›