E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përuroi, sot paradite, ristrukturimin e rrugës Fushë Arrëz-Qafë Mali (Kukës), investim i qeverisë shqiptare me vlerë 400 milion lekë. Kryeministri përgëzoi kompanit

Kryeministri Berisha përuroi, sot paradite, ristrukturimin e rrugës Fushë Arrëz-Qafë Mali (Kukës), investim i qeverisë shqiptare me vlerë 400 milion lekë.

Kryeministri përgëzoi kompanitë për punën cilësore për rindërtimin e rrugës, duke lehtësuar në këtë mënyrë udhëtimin jo vetëm të banorëve të zonës, por edhe atë të qytetarëve të Kosovës që vizitojnë Shqipërinë.

Në ceremoninë e përurimit, Kryeministri, ndër të tjera, theksoi se "rruga lehtëson shumë jo vetëm udhëtimin e banorëve të Kukësit, por edhe udhëtimin e qindra e mijëra qytetarëve nga Kosova, të cilët kanë kaluar pushimet në Shqipëri ose vijnë në mënyrë të pandërprerë për ta vizituar apo për çështje pune në Shqipëri. Ky është një nga investimet që qeveria ka bërë në këtë rreth. Sot, ne kemi edhe inagurime të tjera të rëndësishme. Dy javë më parë, inaguruam minierën e granitetit, e cila do të shpërndajë këtë gur në Shqipëri dhe në të gjithë botën. Sot, inagurojmë gjithshtu një ndërmarrje tjetër në Pukë. Siç e shihni, shpresat janë relae. Po e inagurojmë këtë rrugë në ditë të vështirtë nga mori, por sërish tapeti i shtruar është i shkëlqyer."

• Më pas Kryeministri përuroi fabrikën e këpucëve "Filanto", në Pukë, një investim privat, ku janë punësuar 150 vetë. Gjithashtu hapja e fabrikës është shoqëruar edhe me hapjen e shkollës së formimit profesional për trajnimin e punonjësve të ardhshëm të saj.

Duke përgëzuar investitorin për këtë investim të rëndësishëm për Pukën, Kryeministri ndër të tjera u shpreh: "Dëshiroj të përshëndes shumë përzemërisht zotin Radovani, i cili me inisiativën, guximin, mençurinë dhe ekspertizën është një nga biznesmenët më të suksesshëm të Shqipëri. Ai është njeri i projekteve dhe i realizimit të tyre. Muaj më parë, ai mori nismën për të shtrirë investimet e tij në Pukë dhe ju e shihni sot keni një fabrikë, në të cilën punojnë 150 punëtorë, por që kapacitetet e së cilës do të dyfishohen. Gjithashtu ai ka hapur edhe klasa për të kualifikuar vajza e gra të tjera që të vazhdojnë punën.

Ky investim është një bashkëpunim shumë i mirë me Ministrinë e Punës, e cila duhet të përballojë një pjesë të mirë të kostos së kualifikimit. Unë garantoj se në listën 1 euro sipërmarrësit për kualifikimin nuk do të paguajnë më shumë se një 1 euro në muaj për punëtorët. Pjesën tjetër të shpenzimeve do ta ketë qeveria për nxitjen e punësimit. Kjo do të jetë një nismë që do të shtrihet në të gjithë vendin, sikundër ne po shohim të gjitha mundësitë për lehtësira reale për të gjithë investitorët që investojnë në zona të thella të vendit. Jam i bindur se ne do t'i realizojmë ato.

Ne jemi angazhuar në një program me FMN-në e duhet t'i përmbahemi atij. Por ju them se ky është një program i shkëlqyer dhe e gjithë hapësira në këtë program varet nga mirëfunksionimi i qeverisë. Në rast se qeveria funksionon mirë, do të ketë autorizimin që të ndërmarrë të gjitha ndryshimet që nuk cënojnë të ardhurat buxhetore, por, në të kundërt, rriten. Prandaj hapin e parë të madh e bëmë me trefishimin e nivelit të kredisë për vendin, që realisht do ta quaja trefishimi i nivelit të besimit për qeverinë e vendit.

Gjithashtu do të ndërmarrim edhe nisma të tjera dhe dua të siguroj të gjithë qytetarët që punësimi është qëllimi ynë i parë. Unë besoj se dy janë shtyllat e lumturisë së njeriut: puna dhe familja. Familjen, njeriu e krijon vetë, punën duhet ta ndihmojmë ne. Do të përpiqemi me çdo kusht që njerëzit të kenë mundësi të punojnë.

Dëshiroj të përgëzoj edhe kryetarin e bashkisë për bashkëpunimin shumë të mirë dhe frut i këtij bashkëpunimi është kjo fabrikë."

Gjatë vizitës në Pukë, Kryeministri u interesua nga afër edhe për gjendjen e një pallati të dëmtuar nga diegia disa kohë më parë në këtë qytet dhe u premtoi banorëve të tij se qeveria ka vendosur që Enti i Banesave ta rindërtojë këtë pallat.

"Qeveria ka marrë vendimin dhe janë përcaktuar të gjitha fondet dhe shpresojmë që të nisë puna shumë shpejt për rindërtimin e pallatit. Ministri i Punëve Publike i ka marrë të gjitha masat që Enti i Banesave ta kryejë këtë detyrë në një kohë sa më të shkurtër dhe të realizojë strehimin sërish të familjarëve në këtë pallat, sipas premtimit.", siguroi banorët Kryeministri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›