Kryeministri Berisha pret ministrin e Jashtëm të Republikës Popullore të Kinës Yang Jiechi
Kryeministri Berisha priti sot, në takim, ministrin e Jashtëm të Republikës Popullore të Kinës Yang Jiechi.
Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen ministrit Yang Jiechi dhe e konsideroi këtë vizitë si një kontribut të madh në zhvillimin e marrëdhënieve midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës. Kryeministri nënvizoi faktin që kjo vizitë zhvillohet në 40 vjetorin e pranimit të Republikës Popullore të Kinës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku Shqipëria luajti një rol të rëndësishëm në këtë proces. Kryeministri e vlerësoi pranimin e Republikës Popullore të Kinës si një moment të rëndësishëm edhe për mbarë botën dhe se gjatë këtyre 40 viteve, Kina ka dëshmuar se ka qenë faktor paqeje, stabiliteti dhe zhvillimi në nivel botëror.
Kryeministri Berisha konstatoi me kënaqësi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve në të gjitha sferat, si dhe faktin se këto marrëdhënie njohin rritje dhe konsolidim nga viti në vit. Ai gjithashtu shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen ekonomike që Kina i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e saj të zhvillimit. Kryeministri çmoi se zhvillimi i vrullshëm ekonomik i Kinës e ka bërë atë jo vetëm një nga aktorët më kryesorë të ekonomisë botërore, por ka ndihmuar që të dalin nga varfëria qindra miliona njerëz në Kinë dhe në mbarë botën. Kryeministri Berisha vlerësoi se Partia Komuniste Kineze dhe Partia Demokratike e Shqipërisë kanë qenë dhe janë promotorët e zhvillimit epokal në dy vendet tona.
Kryeministri theksoi se deklarata e përbashkët e miqësisë, e nënshkruar në vitin 2009 gjatë vizitës zyrtare në Republikën Popullore të Kinës, është një bazë e shkëlqyer për zhvillimin në stade edhe më të larta te marrëdhënieve dypalëshe. Kryeministri ilustroi potencialet e mëdha që Shqipëria ofron në një sërë fushash me interes për investimet kineze. Ai theksoi se investitorët kinezë janë të mirëpritur në Shqipëri dhe se qeveria shqiptare do të krijojë të gjitha lehtësitë e nevojshme, në mënyrë që ato të kthehen në histori të vërteta suksesi.
Duke vënë në dukje pozicionin e favorshëm gjeografik të Shqipërisë, Kryeministri u shpreh i gatshëm të mbështesë krijimin e një zone të lirë për investimet kineze, si dhe inkurajoi investime në infrastrukturën portuale.
Ministri i Jashtëm Yang Jiechi falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i përcolli përshëndetjet e Kryeministrit kinez Wen Jiabau. Ai e cilësoi si shumë të suksesshme vizitën e Kryeministrit Berisha në vitin 2009, në Republikën Popullore të Kinës dhe vlerësoi lart angazhimin e të dyja palëve për konsolidimin dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale, si dhe e falënderoi Kryeministrin për rolin e tij themelor në këtë drejtim. Ministri Yang Jiechi shprehu gjithashtu, falënderimet për rolin e rëndësishëm që Shqipëria luajti në anëtarësimin e Republikës Popullore të Kinës në OKB, si dhe për politikën konstante të qeverisë shqiptare për njohjen e një Kine të vetme.
Ministri Yang Jiechi ndau të njëjtin mendim me Kryeministrin se Partia Komuniste Kineze dhe Partia Demokratike e Shqipërisë janë dëshmuar forca transformuese të shoqërive në të dy vendet.
Duke theksuar rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit politik, ekonomik, kulturor dhe në fusha të tjera me interes reciprok, ministri Yang Jiechi u shpreh se qeveria kineze synon jo vetëm që të forcohet më tej miqësia tradicionale midis dy popujve, por këto marrëdhënie të bazohen në një partneritet me interes reciprok. Ai u shpreh se nisja e një turi vizitash në disa vende, me Shqipërinë, dëshmon rëndësinë që qeveria kineze i jep marrëdhënieve midis dy vendeve. Ministri i Jashtëm vlerësoi progresin e vrullshëm që ka njohur Shqipëria, veçanërisht nën drejtimin e Kryeministrit Berisha. Ai nënvizoi se të dy vendet duhet të zhvillojnë me prioritet marrëdhëniet ekonomike dhe se qeveria kineze do të krijojë lehtësi për kompanitë dhe produktet shqiptare. Ai u shpreh gjithashtu, se do të inkurajojë kompanitë kineze me reputacion që të shfrytëzojnë potencialet që ofron ekonomia shqiptare. Në këtë kuadër, ministri Yang Jiechi u shpreh se zyrtarët midis dy vendeve duhet të studiojnë të gjitha projektet e zhvillimit dhe mundësitë për financimin e tyre, si dhe shprehu interes për krijimin e një zone të lirë për investimet kineze.
Në takim u fol edhe për situatën në rajon dhe zhvillimet në Kosovë. Kryeministri Berisha mbështeti procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë si rruga më e mirë për zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve. Ai u shpreh se marrëdhëniet në rajon duhet të karakterizohen nga shkëmbimi i lirë ekonomik dhe tregtar pa asnjë barrierë, por, nga ana tjetër, Kryeministri nënvizoi se zhvillimet e fundit në Kosovë kanë në themel embargon shumë vjeçare të Serbisë ndaj Kosovës. Ai mbështeti përpjekjet për zbatimin e Kushtetutës dhe vendosjen e shtetit të së drejtës në gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe inkurajoi vazhdimin e dialogut mes palëve. Kryeministri i kërkoi ministrit të Jashtëm që në të ardhmen qeveria kineze të marrë në shqyrtim njohjen e pavarësisë së Kosovës si veprimi më i drejtë, në kuadër të stabilitetit dhe paqes në rajon.
Ministri Yang Jiechi u shpreh se qeveria kineze i ndjek me vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe se Kina është për një zgjidhje të përshtatshme me dialog dhe në bazë të rezolutave të OKB-së. Ai gjithashtu mbështeti dialogun midis dy vendeve.
Në përfundim, Kryeministri ripërsëriti ftesën për Kryeministrin Wen Jiabau për të vizituar Shqipërinë.
04/08/2011