Kryeministri Berisha takohet në Mynih me Zëvendës Presidentin e SHBA-ve, z. Joseph Biden

Kryeministri Berisha takoi sot Zëvendës Presidentin e SHBA-ve, z. Joseph Biden, gjatë punimeve të Konferencës së Sigurisë në Mynih.
Kryeministri Berisha uroi përzemërsisht z. Biden për rizgjedhjen për një mandat të dytë në postin e Zëvendës Presidentit dhe e falenderoi për mbështetjen, që administrata e Presidenti Obama dhe ai personalisht i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Kryeministri e ftoi z. Biden të vizitojë Shqipërinë, ftesë të cilën ai e pranoi me shumë kënaqësi. "Shqipëria është një vend që unë e dua me gjithë zemër, një vend për të cilin kam konsideratën dhe respektin më të madh”, u shpreh Zëvendës Presidenti Biden.
Pjesëmarrja e Zëvendës Presidentit Biden tregon qartë rëndësinë që SHBA-të i japin kësaj konference kaq të rëndësishme për sigurinë në nivel botëror. Në ndërhyrjen e tij ai theksoi se për SHBA-të, Europa është aleati kryesor dhe se SHBA dhe Europa janë partnere të domosdoshëm për njëri - tjetrin.
02/02/2013