E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet në New York me Presidentin kroat Stipe Mesic

Gjatë qëndrimit të tij në SHBA, Kryeministri Berisha pati një takim mjaft të ngrohtë e miqësor me Presidentin e Kroacisë, zotin Stipe Mesic.

Në këtë takim, të dy liderët shprehën vullnetin dhe angazhimin e tyre për forcimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kroacisë, që në stadin aktual janë të shkëlqyera.

Kryeministri Berisha e njohu Presidentin Mesic me zhvillimet në Shqipëri dhe me ato pas zgjedhore, duke theksuar se zgjedhjet e 28 qershorit ishin më të mirat që vendi kishte bërë ndonjëherë dhe se ato shprehën plotësisht vullnetin e popullit shqiptar.

Presidenti Mesic përgëzoi Kryeministrin Berisha për zhvillimin me kaq maturi të zgjedhjeve dhe e uroi atë për rizgjedhjen. Ai u shpreh se kjo garanton vazhdimin e reformave që kanë çuar Shqipërinë në NATO dhe që po i  japin një perspektivë të qartë europiane.

Në takim u diskutua gjerësisht mbi mundësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe në fusha të tjera, duke u ndalur në shkëmbimin e eksperiencës mbi zhvillimin e turizmit dhe mbi projekte të rëndësishme rajonale në infrastrukturë e fusha të tjera.

Në takim dy liderët u ndalën dhe në pasojat e krizës ekonomike botërore dhe në pasojat e saj në mbarë botën. Presidenti Mesic shprehu admirim dhe vlerësim për reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në këtë drejtim, që bënë të mundur që ajo të ketë një rritje të kënaqshme ekonomike dhe një perspektivë optimiste.


24/09/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›