Kryeministri Berisha takon komandantin e KFOR-it , Lieutenant Gjeneral Markus Bentler
Kryeministri Berisha, në vazhdim të vizitës së tij në Kosovë, u takua me komandantin e KFOR-it, Lieutenant Gjeneral Markus Bentler. Gjatë kësaj vizite, Komandanti i KFOR-it, pasi e informoi Kryeministrin Berisha për veprimtarinë e KFOR-it, për ruajtjen e paqes dhe stabilitetin në Kosovë, e falenderoi Kryeministrin shqiptar për mbështetjen që qeveria shqiptare i ka dhënë kësaj strukture në vazhdimësi.
Në konferencën për shtyp, Kryeministri i Shqipërisë z.. Sali Berisha, u shpreh :
Unë pata një kënaqësi të madhe që takova gjeneral Bentler, i cili më informoi për të gjithë punën që po bën KFOR-i dhe për të ardhmen e tij në Kosovë. Shfrytëzoj rastin për të shprehur vlerësimin tim më të madh, mirënjohjen më të thellë për kontributin jashtëzakonisht të rëndësishëm që KFOR, ka luajtur në paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon.
Ky është një mison i suksesshëm. Unë e sigurova Komandantin e KFOR-it se Shqipëria është e vendosur që të bashkëpunojë ngushtësisht dhe t’i japë të gjithë mbështetjen këtij misioni shumë të rëndësishëm. Ishte mendimi ynë i përbashkët se Kosova është një nga vendet më të sigurta dhe këtu KFOR-i ka meritën e tij të veçantë. Që të dy mendojmë se kushtet dhe klima për të investuar në Kosovë është shumë e favorshme.
I pyetur në lidhje me pjesëmarrjen e trupave paqeruajtëse shqiptare në Kosovë, të inkuadruara në misionet e NATO-s, Kryeministri Berisha u përgjigj:
Siç dihet KFOR-i po shkon drejt zvogëlimit. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe Shqipëria mund të jetë pjesëmarrëse në KFOR, por ne nuk kemi ndërmend të marrim pjesë, sepse me qeverinë e Kosovës po ndihmojmë në dy drejtime të rëndësishme.
I pyetur në lidhje me deklaratën e ministrit të jashtëm rus Lavrov, Kryeministri Berisha u përgjigj:
Eshtë për të ardhur keq. Ministri Lavrov ka deklaruar dhe ka thënë ato që unë nuk kam thënë. Unë nuk besoj se ka dëshiruar të thotë ato që unë kam thënë. Shpresoj të jetë një vështirësi që vjen nga vështirësia e lindur që rusët kanë për të përkthyer nga shqipja në rusisht.
07/10/2009