E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Kurti: Serbia po provokon Kosovën me stërvitje ushtarake pranë kufirit, e përdor si mjet shantazhi për destabilizim

Kryeministri Albin Kurti në fjalën e mbajtur në mbledhjen e kabinetit qeveritar, ka akuzuar Serbinë se po provokon Kosovën duke lejuar stërvitjen ushtarake në zonat e banuara me shqiptarë në komunën e Bujanocit dhe afër kufirit me vendin.

Kurti theksoi se Serbia përdor ushtrinë si mjet shantazhi për të mbajtur rajonin e Ballkanit në tension të vazhdueshëm, teksa i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që të ndëshkojë këtë qasje destabilizuese të Serbisë.

“Një shfaqje e tillë e forcës ushtarake mbi shtëpi, shkolla, qendra të mjekësisë përbën jo vetëm trysni, nxitje tensioni dhe përpjekje për të frikësuar banorët atje, që ka vite që po përballen me spastrim etnik administrativ nga regjimi autokrat serb, por tregon edhe një provokim të hapur ndaj shtetit tonë të pavarur të Republikës Kosovës”, deklaroi Kurti.

Këto provokime në afërsi të brezit kufitar në Karaqevë, nga njësia e brigadës 66 e parashutistëve të Serbisë, përmes stërvitjeve me helikopter H125M dhe kërcënimet me parashutë, disa metra larg kufirit me Republikën e Kosovës, sipas Kurtit, përbëjnë një shfaqje të rrezikshme të agresionit.

“Kjo shfaqje bëhet edhe më alarmuese kur kujtojmë se e njëjta njësi ka trajnuar dhe mbështetur grupin e kriminelit Milan Radojçiq, të cilët realizuan sulmin agresorë terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, kur vranë rreshterin policor Afrim Bunjaku, heroin e Kosovës. Këto lëvizje ushtarake të kombinuara me retorikën nxitëse të presidentit të Serbisë, Vuçiq, se kinse Serbia po përgatitet për një sulm të mundshëm nga një aleancë Kroaci- Shqipëri-Kosovë, si dhe blerja e armatimit kinez dhe rus konfirmojnë se Serbia po përdor ushtrinë si mjet shantazhi për të mbajtur rajonin e Ballkanit në tension të vazhdueshëm”, tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›