E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kryeministri Rama kërkon rezolutë nga Kuvendi i Kosovës për çështjen e Hagës në mbrojtje të ish-liderëve të UÇK-së

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës së zhvilluar në Prishtinë, duke kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të miratojë një rezolutë në mbrojtje të ish-liderëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shprehu habinë e tij për vonesën e një veprimi të tillë nga ana e Kuvendit të Kosovës.

“Vazhdoj pyes veten pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka ngritur ende zërin përmes një rezolute pa dallime partish, ku të rreshtohen sa e sa shkeljet faktike të normës elementare demokratike të procesit të rregullt ligjor nga ana e Tribunalit të Hagës, ku të drejtat e Hashim Thaçit e shokëve të tij të izoluar nga bota prej vitesh të tëra tanimë, janë shqelmuar si hiçasgjë?!” shkruan Rama.

Ai theksoi se një rezolutë e tillë do të rreshtonte shkeljet faktike të “normës elementare demokratike të procesit të rregullt ligjor” nga ana e Gjykatës së Hagës.

Rama shprehu gatishmërinë e Kuvendit të Shqipërisë për t’u angazhuar menjëherë në këtë çështje, nëse Kosova do të ndërmarrë këtë hap.

“Natyrisht që në rast se Kuvendi i Kosovës do ta bënte këtë rezolutë të vonuar, ne do ta angazhonim menjëherë Kuvendin e Shqipërisë, për ta votuar të njëjtin tekst dhe për ta përcjellë zërin e krejt shqiptarëve në çdo shtet demokratik që e sponsorizon Tribunalin, e që nuk duhet të tolerojë asnjë cenim e jo më asgjësimin e procesit të rregullt ligjor me kontributin financiar të taksapaguesve të vet,” u shpreh ai.

Qëllimi, sipas Ramës, do të ishte përcjellja e zërit të shqiptarëve drejt çdo shteti demokratik që sponsorizon Tribunalin e Hagës, duke kërkuar që ata të mos tolerojnë cenimin e procesit ligjor me kontributin financiar të taksapaguesve të tyre.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›