Kryeministri Thaçi takon Berishën: Të falenderoj për Rrugën e Kombit
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi po qëndron sot për një vizitë zyrtare në Tiranë ndërsa mesditën e sotme ai është takuar me kryeministrin në ikje Sali Berisha.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Berisha shprehu mirënjohjen për vizitën e kryeministrit Thaçi me rastin e përfundimit të mandatit të qeverisë.
Shpreha mirënjohjen e thellë për vizitën dhe kënaqësinë time që e prita dhe biseduam përsëri për problemet tona më të rëndësishme tha Berisha.
Sipas tij, marrëveshja e Brukselit është e një rëndësie shumë të madhe, që hap një kapitull të ri për paqen në rajon dhe për marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve.
Kryeministri Thaçi i shprehu falenderimet e tij ndaj kryeministrit Berisha për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës, procesit të saj të integrimit por edhe për ndërtimin e “Rrugës së Kombit”
“Sot jam në Tiranë në një vizitë vllazërore për të falenderuar kryeministrin Sali Berisha për bashkëpunimin tonë të shkëlqyeshëm që kemi patur në këto vite. Dua të falenderoj kryeministin Berisha për punën e bërë për shqiptarët, për libveralizimin e vizave, për anëtarësimin në NATO, për prcesin e integrimit të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe për ndërtimin e Rrugës së Kombit tha Thaçi.
Ai gjithashtu u shpreh se e ka njohur Berishën me zhvillimet në Kosovë, procesin e integrimit dhe zgjedhjet e 3 nëntorit ndërsa shtoi se do të vazhdojë bashkëpunimin me çdo kapacitet politik dhe institucional në Shqipëri.
Axhenda
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Thaçi do të zhvillojë takime edhe me Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, me kryeministrin e ardhshëm Edi Rama, me Kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, dhe me Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.
Temë kryesore e të gjitha takimeve do të jetë thellimi i mëtejshëm i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe bashkëpunimi në kuadër të procesit të integrimit evropian.