E Enjte, 5 Nëntor 2026

Kryeministri italian Draghi viziton Shtëpinë e Bardhë, takim “kokë më kokë” në zyrën ovale me presidentin Biden

SHBA-ja dhe Italia forcojnë marrdhëniet. Kryeministri italian Mario Draghi, ka vizituar Shtëpinë e Bardhë, ku është pritur nga presidenti, Joe Biden, në një takim fillimisht “kokë më kokë” në zyrën ovale. Çështja më e rëndësishme mësohet të ketë qënë situata në Ukrainë, si dhe bashkëpunimi i mëtejshëm për ti bërë ballë agresionit rus dhe për të ndihmuar Ukrainën.

“Ne jemi të bashkuar në dënimin e pushtimit të Ukrainës. Të bashkuar në sanksione dhe do të ndihmojmë Kievin, siç na kërkoi Presidenti Zelensky. Në Itali dhe në Evropë njerëzit duan t’u jepet fund këtyre masakrave, kësaj dhune. Njerëzit mendojnë se çfarë mund të bëjmë për të sjellë paqen. Me pak fjalë, ne duhet të përdorim çdo kanal për paqen, për një armëpushim dhe fillimin e negociatave të besueshme”, është shprehur Draghi.

Presidenti Biden ka nënvizuar nga ana e tij se “lidhjet mes Italisë dhe SHBA-së kanë qenë gjithmonë shumë të forta dhe kjo luftë i ka bërë edhe më të forta”. Biden falënderoi Draghi për mbështetjen e madhe që ka dhënë për të bashkuar NATO-n dhe Bashkimin Evropian.

“Ti ke qenë një mik i mirë dhe një aleat i madh dhe unë ju falenderoj për përpjekjet për të bashkuar NATO-n dhe Bashkimin Evropian”, tha presidenti Biden.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›