E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kryeparlamentari Konjufca: Formimi i qeverisë së Kosovës, i pamundur pa koalicione

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, deklaroi të martën se në kuadër të procesit të krijimit të institucioneve të reja të Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, ai e sheh të pamundur formimin e qeverisë pa një koalicion, duke e parë këtë të fundit si element të nevojshëm për një qeverisje të suksesshme.

“Kjo për arsye se të gjitha pozitat sa i përket përbërjes së re të mazhorancës, e cila i nënshtrohen disa principeve e njëra prej më kryesoreve është përpjekja për ta themeluar Qeverinë, sepse Kuvendi nuk është institucion në vetvete, por themelohet për të zgjedhur institucionet tjera dhe njëra pre më të rëndësishme është ekzekutivi”, tha Konjufca.

Për sa i përket emrit të kryetarit të Kuvendit, Konjufca shpjegoi se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ende nuk ka propozuar kandidatët për këtë pozitë, duke theksuar se përbërja e re e mazhorancës i nënshtrohet disa parimeve, ku njëra prej më të rëndësishmeve është përpjekja për të formuar Qeverinë.

Sipas tij, Kuvendi ka funksionin për të krijuar dhe zgjedhur institucionet e tjera, përfshirë ekzekutivin.

Konjufca gjithashtu foli për përgatitjet për Seancën Konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke sqaruar se është mbajtur një takim me përfaqësues të partive politike që kanë fituar ulëse në Kuvend. Ai shpjegoi se në këtë mbledhje u diskutua për ndarjen e ulëseve dhe për përmbajtjen e mbledhjes që do të themelojë legjislaturën e IX të Kuvendit. Ai tha se ndarja e ulëseve ka pasur pak ndryshime në krahasim me legjislaturën e kaluar, me LVV që ka numrin më të madh të ulëseve dhe me partitë tjera si PDK, LDK dhe AAK që kanë mbajtur vendet tradicionale.

Në takimin përgatitor të zhvilluar, përfaqësues nga LVV, PDK, LDK dhe AAK ishin të pranishëm, ndërsa mungonin përfaqësuesit e Listës Serbe.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›