E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryesia e PS, grup pune për mbrojtjen e votës

Kryesia e PS

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mblodhi dje paradite Kryesinë e kësaj partie për të miratuar strategjinë organizative në funksion të zgjedhjeve të 2013-s. Në mbledhje kanë munguar disa nga anëtarët e saj, të cilët kanë qenë të angazhuar në zonat e tyre.

Kryesia miratoi dhe grupin e punës që do të koordinojë zbatimin e strategjisë organizative të Partisë Socialiste.

Gramoz Ruçi, sekretari Organizativ Blendi Klosi, sekretari për Koordinimin Fatmir Xhafaj dhe sekretari për Pushtetin Vendor, Bashkim Fino, janë pjesë e këtij grupi, i cili në mënyrë kapilare do të kontrollojë të gjithë skemën organizative për mbrojtjen e votave në zgjedhjet parlamentare të 2013-s.

Materiali që nga sot është cilësuar si strategjia organizative për zgjedhjet e 2013-s, përfshin dhe ndërgjegjësimin e votuesve tradicionalë që në bashkëpunim me anëtarësinë, të bëjnë të mundur parandalimin e çdo manipulimi dhe denoncimin e tij në strukturat e ngritura nga kjo parti, duke filluar që nga koordinatori zgjedhor i qendrës së votimit e deri tek i deleguari i Asamblesë Kombëtare socialiste.

Një kujdes në këtë material i është kushtuar dhe një ndarjeje sa më të mirë të anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, por dhe ish-të mandatuarve socialistë, ish-kryetarë bashkish, komunash, njerëz me influencë që të punojnë pranë strukturave të ngritura elektorale me komunitet që ata përfaqësojnë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›