E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kryesuesja e OSBE-së: Kuvendi në Kosovë të konstituohet sipas Kushtetutës

PRISHTINË, 15 shtator /ATSH/ Kryesuesja e OSBE-së, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, ka thënë se shpreson që procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës të vazhdojë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Ajo gjatë vizitës zyrtare të martën në Kosovë tha se forcimi i marrëdhënieve ndër-komunitare në Kosovë mbetet i rëndësishëm për OSBE-në.

Kosova s’ka themeluar institucionet e reja edhe tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Aktualisht, Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, ku ua ndalon deputetëve çfarëdo veprimi, si dhe pezullon afatet ligjore për formimin e qeverisë, pas ankesës së Listës Serbe, ku kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit, Dimal Basha, mbylli seancën konstituive pa u zgjedhur edhe nënkryetari i legjislativit nga radhët e komunitetit serb.

Diplomatja finlandeze, në konferencë për media tha se mirëpret zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri, si dhe shpreson që së shpejti të formohet ekzekutivi për të vazhduar bashkëpunimin e ndërsjellët.

Ajo gjatë ditës është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani, derisau pyet se pse nuk e ka takuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në objekt të qeverisë, si dhe homologen e saj, Donika Gërvalla, ajo hezitoi të flasë, por tha se duhet të ketë një zgjidhje për ngërçin politik të krijuar në Kosovë dhe të ecet tutje.

Kryesuesja e OSBE-së përmendi edhe nevojën e zbatimit të marrëveshjeve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Krahas presidentes Vjosa Osmani, kryesuesja e OSBE-së paraditen e së martës u takua edhe me përfaqësues të shoqërisë civile, ku tha se kanë diskutuar për qeverisjen e mirë, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›