Kryetarja e AMA-s: Të përmirësojmë kuadrin ligjor për funksionimin e medias online

Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Armela Krasniqi ka reaguar në lidhje me gjuhën e përdorur ndaj gazetares Afrovita Hysaj, në një medie private, pas publikimit të detajeve për abuzimin seksual dhe drogimin e një 26-vjeçareje.
Krasniqi, nëpërmjet një reagimi në rrjetin social, dënon gjuhën seksiste dhe fjalorin diskriminues të përdorur ndaj gazetares.
Sipas saj, ky rast nxjerr në pah boshllëkun ligjor që ekziston për trajtimin e fenomeneve të tilla që ndeshen rëndom në median online. Ajo kërkoi që të punohet për të mbushur boshllëkun ligjor një rregullore të re për mediat online.
“Dënoj me forcë çdo lloj komunikimi si ky, në të cilin një grua, një gazetare profesioniste, sulmohet duke përdorur fjalor denigrues, gjuhë seksiste, diskriminuese dhe banale. Për pikënisjen që solli këtë devijim komunikimi, sigurisht që do të vendosin organet kompetente,” shkruan Krasniqi.
Sipas Krasniqit, ky është një rast flagrant i lincimit të një gazetareje, i dënueshëm, që shkel mbi dinjitetin e njeriut, lirinë e fjalës dhe çdo kod etike profesionale.
“Ky rast – për fat të keq, jo i vetmi – nxjerr edhe një herë në pah boshllëkun ligjor që ekziston për trajtimin e fenomeneve të tilla. Inkurajoj dhe shpreh përkrahjen time për shoqatat e gazetarëve, grupet e interesit dhe çdo individ, në iniciativat ligjore për hartimin e rregulloreve të funksionimit të medias online, por edhe të përmirësimit akoma më tej të kuadrit ligjor ekzistues. Uroj dhe shpreh besimin, që raste të tilla të mos përsëriten dhe çdo profesionist i medias të reflektojë mbi fenomene të tilla,” përfundon deklaratën e saj kreu i AMA-s, zonja Krasniqi.
/rtsh.al/