Ku kontribuova unë në Bujqësi? Ministrja Anila Denaj: Fermerët duhet të bashkohen, por jo kooperativë!

Ministrja e Bujqësisë, aktualisht kandidate në listën e hapur të PS në qarkun e Tiranës, Anila Denaj u bëri thirrje fermerëve që të bashkohen me njëri tjetrin.
Nga studio e Quo Vadis në Vizion Plus, znj.Denaj theksoi nevojën për bashkimin e operatorëve bujqësorë për të pasur akses të qëndrueshëm në treg dhe financim.
Ministrja e Bujqësisë gjithashtu shpjegoi marrëveshjen prej 250 milionë eurosh kredi të butë, firmosur me Bankën e Shqipërisë, që synon të mbështesë investimet afatgjata në sektorin bujqësor.
Pjesë nga biseda:
Denaj: Këtë vit kanë firmosur me Bankën e Shqipërisë gati 250 milionë euro kredi të butë për gati 5 vite, për investime të kësaj natyre dhe interesi shkon nga 2–3.5%, që sot nuk e gjen as për biznese të konsoliduara.
Borakaj: Sa për qind e fermerëve përfitojnë nga këto fonde?
Denaj: Nuk ka përqindje. Kjo është një kredi e butë që na ndihmon për dy arsye. Sepse nëse themi që fondet do të shkojnë për 50% grant, 50% tjetri do merret diku. Po flasim për një serë 1 ha, që shkon deri në 450 mijë euro. Dhe nëse do bëhet një serë e tillë, dhe i plotëson të gjitha kushtet aplikuesi, një pjesë do të jepet grant, por granti jepet pasi ka përfunduar procesi. Në këtë botëkuptim, unë mendova se kontribuova në dy aspekte, duke nxitur garancinë sovrane në bujqësi dhe duke nxitur këtë aksesin në financë, në një aspekt tjetër. Sot kemi një paketë financimi të mirëfilltë. Kjo paketë kërkon angazhimin e sipërmarrjes. Dhe sipërmarrja në bujqësi nuk është një sipërmarrje që mund t’ju lindë të gjithëve. Nuk bëhet ky investim për sipërfaqe të vogla. Unë herë pas here ftoj edhe që të bashkohen fermerët, por jo në kooperativa. Bashkim operatorësh që kushdo që punon të ketë një treg të përbashkët.
/vizionplus.tv