E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuajt e Petrit Dumes, shkëlqimi dhe rrënimi i fermës së Lazeretit

Mjeku Reshit Shtepani duke vizituar Kaprollin e Petrit Dumes, në spitalin veterinar të ushtrisë

Kujtimet e Reshit Shtëpanit, ish-drejtor i Qendrës Riprodhuese.

Historia e panjohur e bazës sekrete në Tiranë.

Reshit Shtëpani, mjeku që drejtoi për shumë vite Qendrën Riprodhuese të kuajve të racës, pinjoll i një familje të shquar nga Shëngjergji i Tiranës, ka ndërruar jetë para dy vjetësh.
Veç emrit të mirë, doktori i kuajve të Petrit Dumes, siç e quanin dikur, ka lënë një kolanë botimesh memoristike për traditat e vendlindjes dhe Luftës Nacionalçlirimtare, bashkë me dosjen e kujtimeve nga koha kur ka shërbyer në fermën e kuajve të rrallë. Sëmundja e papritur nuk e la ta çonte deri në fund projektin për ti hedhur ato në një libër të veçantë, që e çmonte shumë. Kanë mbetur sidoqoftë dorëshkrimet, që edhe ashtu siç janë, krijojnë një fizionomi të qartë për fermën e famshme të Lazeretit të dikurshëm. Në to përshkruhen me detaje fillesat e qendrës sekrete të kuajve të racës, mënyra si u zgjerua e modernizua ajo, peripecitë pas divorcit me Moskën, dështimi i agjenturave sovjetike për ti shfarosur këto specie nga Shqipëria, marrëzia e autoriteteve komuniste për ti internuar pas ekzekutimit të Petrit Dumes, si pjesë e grupit të tij puçist, etj. Kujtimet e Shtëpanit startojnë me mbërritjen në Shqipëri në fillimin e viteve 50 të dy kuajve të fermës ruso-polake, Tverskaja Konji Zavod, të cilët morën pjesë në xhirimin e filmit Skënderbeu. Ata, sipas mikut të Petrit Dumes, u bënë banorët e parë të qendrës së Lazeretit. Ideja e një filmi tjetër, që nuk u realizua kurrë, e hedhur nga shefi i Shtatmadhorisë, solli aty edhe 30 kuaj të tjerë, që vit pas viti shumuan njëri-tjetrin
Kuajt e parë i solli Skënderbeu

Reshit Shtepani

Ka ndodhur vërtetë kështu: Kuajt e famshëm për herë të parë i solli në Shqipëri Skënderbeu. U bë shkak filmi për heroin tonë kombëtar, të kishim edhe ne një dyzinë të tyre. Kjo ndodhi në kohën e miqësisë me Bashkimin Sovjetik. Ishte fillimi i viteve 50 kur kishin nisur xhirimet e filmit Skënderbeu, një prodhim ky shqiptaro-sovjetik. Regjisori nga Moska, pasi ishte bindur se kuajt e gjetur në rrethinat e Tiranës dhe Krujës nuk ishin të përshtatshëm për skenat e parashikuara, u interesua te autoritetet e Ambasadës për të importuar nga Bashkimi Sovjet një çift syresh. Pas procedurave të rastit, nuk vonoi dhe erdhën dy të tillë, përkatësisht Çarli, i racës Alltekin, një kryqëzim i racave gjakpastër arab me gjakthjeshtin anglez dhe Panku i famshëm i racës gjakpastër arab i linjës Ruso-Polake, të shoqëruar me pasaporta zyrtare që përmbanin me detaje të  dhënat gjenealogjike të plotësuara në fermën e famshme  Tverskaja Konji Zavod të Bashkimin Sovjetik. U bë shkak xhirimi i Skënderbeut që ata të pasaportizoheshin në Shqipëri, për të qenë të parët në llojin e tyre në fermën e mëvonshme të krijuar enkas për kuajt e racës. Diku më vonë, me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Petrit Dumes, asokohe shef i Shtatmadhorisë, erdhën edhe 36 kuaj të tjerë.

Lazereti, ferma e gjeneral Dumes

Petrit Dume

Dy kuajt e parë që mbërritën në Shqipëri nga ferma e famshme Tverskaja Konji Zavod për xhirimet e filmit Skënderbeu, nuk u kthyen më në Bashkimin Sovjetik. I pasionuar pas tyre, Petrit Dumja, duke shfrytëzuar marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona, ndërhyri për të sjellë një sasi tjetër. Me arsyetimin për xhirimin e një filmi tjetër që nuk u realizua kurrë, shefi i Shtatmadhorisë bëri të mundur kompletimin e fermës së Lazeretit me 36 kuaj të tillë. Kështu, për herë të parë në Shqipëri u fut një sasi e konsiderueshme kuajsh të racës Gjakpastër arab dhe Gjakthjeshti anglez. Nga kryqëzimi i tyre në fermën e Lazeretit janë përftuar racat Orlovi shtatlartë dhe Alltekini i madh, tepër të kërkuar për vlerat e rralla, jo thjesht për hipizëm. Qyteza e ngritur enkas me përkujdesjen e veçantë të gjeneral Dumes, shumë shpejt mori pamjen e një qendre model për mbarështimin e kuajve dhe u bë e njohur në asetet e ushtrisë shqiptare.
Burreli, streha e parë e kuajve të racës
Me mbërritjen nga Bashkimi Sovjetik, tufa me 36  kuaj race u vendos në rrethinat e qytetit të Burreli. Për strehimin e tyre ishte përshtatur më parë aty një nga kazermat e vjetra, me kujdesin e drejtpërdrejtë të Petrit Dumes. Që me mbërritjen e tyre, u përballëm me vështirësi të panjohura. Së pari, kuajt e famshëm nuk e patën të lehtë përshtatjen me mikroklimën, pastaj mungesa e përvojës nga specialistët tanë për mbarështimin e tyre nuk do kalonte pa pasoja. Ende pa mbushur një muaj në Burrel, njëri nga tre hamshorët e racës arabe, me emrin Kaprizi vdiq pa lënë trashëgimtarë. Sidoqoftë, kjo nuk e demoralizoi stafin që kujdesej për tufën e tyre, ti përkushtohej punës me të gjitha energjitë. Ende pa u transferuar prej aty, filloi edhe shumimi i tyre. I quajturi Naklloni me baba Kapotin dhe Filantropi i famshëm me baba Pribojn, prodhuan trashëgimtarët e parë. Që këtej nisi normaliteti i mbarështimit të kuajve të racës. Tashmë gjithçka u vendos mbi baza shkencore. Trashëgimia e tyre erdhi deri në ditët tona, dhe raca jo vetëm nuk u shua, por u shtua me breza të tërë.
Divorci me sovjetikët
Divorci me Bashkimin Sovjetik e gjeti fermën e Lazeretit në kulmin e shkëlqimit. Rrufetë e shkëmbyera midis Tiranës e Moskës i paraprinë një klime të rrezikshme për bijzën e Tverskaja Konji Zavod në Shqipëri. Ndërprerja e marrëdhënieve me Kremlinin, parakuptonte tërheqjen e të gjitha aseteve të dhuruara prej tij në emër të miqësisë, siç ishte edhe rasti i kuajve të racës, për të cilën pala shqiptare nuk kishte paguar asnjë qindarkë.
Qysh në ditët e para të përplasjes së madhe, pala sovjetike që e dinte më shumë se kushdo rëndësinë e ekzistencës së këtyre specieve të rralla në Shqipëri, bëri përpjekje për të realizuar riatdhesimin e tyre me çdo kusht. Autoritetet e Tiranës nga ana tjetër bënë çështë e mundur për të ruajtur Tverskaja Konji Zavod e Lazeretit. Një strategji e veçantë për këtë u përpunua nga gjeneral Dume, i cili bashkë me përgjigjen për sovjetikët se kuajt kishin ngordhur, udhëhoqi operacionin e fshehtë për ti transferuar ata në garnizonet e skajshme të ushtrisë. Mirëpo këmbëngulja e administratorëve të Moskës nuk rreshti. Sa zyrtarisht, aq edhe në rrugë agjenturore, ajo u orvat të binte në gjurmë të aseteve të veta, këtë radhë për të helmuar e shfarosur specien e rrallë që kishte sjellë dikur në Shqipëri. Gjithsesi, falë përkujdesjes së specialistëve e drejtueseve të Ushtrisë, Tverskaja Konji Zavod shqiptar nuk u shfaros. Në vjeshtën e vitit 1965, Lazereti u bë sërish streha e kuajve të rrallë
Kalërimi i gjeneralit
Petrit Dume pothuajse ishte mysafir i përditshëm i fermës së Lazeretit. Prania e tij aty nuk kishte të bënte vetëm me interesimin për mbarëvajtjen e kuajve të racës së rrallë. Gjenerali kryesisht vinte për të kalëruar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›