E Diel, 1 Nëntor 2026

Kualifikimi i Kombëtares në fazën play-off të Botërorit 2026, Rama: Historike, krenarë për kuqezinjtë

TIRANË, 13 nëntor /ATSH/ Kombëtarja shqiptare ka arritur një fitore të artë në transfertë ndaj Andorrës, duke triumfuar me rezultatin minimal 0-1 në ndeshjen e parafundit të Grupit K të kualifikuesve për Kupën e Botës 2026.

Fitorja, e kombinuar me humbjen 2-0 të Serbisë në fushën e Anglisë, i ka dhënë Shqipërisë kualifikimin historik në fazën play-off të Botërorit – për herë të parë në historinë e saj.

Edhe kryeministri Edi Rama komentoi fitoren e kuqezinjve, duke e cilësuar historike,

“Historike. Ec aty shqipe, krenarë për kuqezinjtë”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale teksa ndau edhe golin e shënuar nga Kristjan Asllani.

Fitorja ndaj Andorrës dhe humbja e Serbisë ndaj Anglisë 2-0 bënë që kuqezinjtë të sigurojnë matematikisht vendin e dytë në Grupin K – dhe me të, edhe kualifikimin në fazën play-off për Kupën e Botës 2026.

Kjo është hera e parë që përfaqësuesja kuqezi siguron pjesëmarrjen në fazën play-off të një Botërori.

Tashmë mbetet ndeshja e fundit ndaj Anglisë më 16 nëntor në “Air Albania”, e cila pritet të jetë një mbrëmje festive për futbollin shqiptar.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›