Kuba konfirmon nisjen e negociatave të drejtpërdrejta me SHBA-në

Pas ditësh spekulimesh dhe zërash në mediat ndërkombëtare, qeveria kubaneze ka thyer heshtjen duke konfirmuar zyrtarisht mbajtjen e negociatave të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Takimi, i cili shënon një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet gjithmonë delikate mes dy vendeve, u zhvillua ditët e fundit në kryeqytetin kubanez në nivelin e lartë të nënsekretarëve shtetërorë.
Përfaqësimi në këto bisedime tregon gatishmërinë e të dyja palëve për t’u ulur në tryezë. Delegacioni i Uashingtonit përbëhej nga disa nënsekretarë të Departamentit të Shtetit, ndërsa pala kubaneze përfaqësohej nga një zëvendësministër i Punëve të Jashtme.
Konfirmimi i këtij zhvillimi erdhi nga Alejandro García del Toro, Nënsekretar për Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kubës. Në një prononcim të dhënë këtë të hënë për “Granma”, gazetën zyrtare të qeverisë kubaneze dhe Partisë Komuniste, ai sqaroi detajet dhe klimën e takimit, duke përgënjeshtruar disa nga raportimet e mediave amerikane.
“Mund të konfirmoj se një takim midis delegacioneve kubaneze dhe amerikane u mbajt kohët e fundit këtu në Kubë,” deklaroi García del Toro. “Gjatë takimit, asnjëra palë nuk vendosi afate dhe as nuk bëri deklarata shtrënguese, siç raportohet nga media amerikane. I gjithë shkëmbimi u krye në një mënyrë respektuese dhe profesionale.”
Energjia, nyja kryesore e bisedimeve
Pavarësisht atmosferës konstruktive, delegacioni i Havanës mbetet i përqendruar te nevojat më urgjente të vendit, i cili po përballet me sfida të mëdha infrastrukturore dhe ekonomike. García del Toro e bëri të qartë se objektivi kryesor i Kubës në këtë dialog mbetet lehtësimi i sanksioneve amerikane.
“Heqja e embargos së energjisë kundër vendit është një përparësi absolute për delegacionin tonë,” nënvizoi numri dy i diplomacisë kubaneze për Amerikën.
Deklaratat e tij vijnë si një vulë zyrtare mbi lajmet që kishin qarkulluar ditët e fundit, pas informacioneve të rrjedhura për mbërritjen e heshtur të një misioni diplomatik amerikan në Havanë.
Ky zhvillim shihet nga analistët ndërkombëtarë si një dritare e mundshme negocimi për çështjet me interes të ndërsjellë, duke treguar se pavarësisht dallimeve të thella ideologjike dhe historike, kanalet e komunikimit mes Uashingtonit dhe Havanës po mbahen të hapura.
/rtsh.al/