E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuçi: Qeveria di drejtimet kryesore

Zëvendës kryeministri kosovar Hajredin Kuçi ka deklaruar se qeveria e Kosovës ka përcaktuar tri drejtimet që duhen ndjekur, me qëllim të integrimit të veriut të trazuar të vendit, ku ditëve të fundit janë regjistruar sërish disa incidente. "Përsa i përket Mitrovicës, qeveria e Kosovës do të angazhohet në tri drejtime: në menaxhimin politik të situatës, sepse ne mendojmë se zgjidhja është politike dhe jo përmes instrumenteve të rendit; menaxhimin përmes institucioneve të rendit, policisë së Kosovës dhe në koordinim të plotë me KFOR-in dhe EULEX-in, si dhe bashkëpunimi me popullsinë lokale, duke stimuluar qëndrimin e tyre aty dhe kthimin nëpër shtëpitë e veta", u shpreh zv.kryeministri Kuçi. Duke folur për gazetarët, pas mbledhjes së qeverisë, Kuçi tha se Mitrovica mbetet njëri ndër prioritet e institucioneve të vendit edhe për këtë vit. Ai paralajmëroi se brenda këtij muaji do të formohet edhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare. "Janë bërë edhe përgatitjet teknike dhe është emëruar edhe sekretariati për përgatitjen e rregullores së punës", tha Kuçi. Ndërsa përsa i përket emërimit të drejtorit të Agjencisë Inteligjente të Kosovës, numri dy i ekzekutivit kosovar tha se ky proces kërkon konsultime shtesë. Sipas Kuçit, kryeministri dhe Presidenti, janë në fazën e konsultimeve, dhe siç thotë ai, konsultat nuk janë të lehta. "Ekziston një tendencë që të gjejmë një zgjidhje që nuk i takon ndonjë shërbimi politik apo preference politike", theksoi Kuçi, duke premtuar se edhe ky proces do të përfundohet së shpejti.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›