Kuçi: Ne nuk kërkojmë falje

Prishtinë, 9 Mars NOA - Takime të niveleve të
ndryshme mes institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it, për ti kapërcyer
mosmarrëveshjet, janë zhvilluar edhe sot. Por, ato nuk kanë prodhuar ndonjë
rezultat, me gjithë sinjalizimet e KFOR-it.
Ka pasur bisedime dje dhe sot me institucionet e Kosovës. Do të shohim se
çfarë do të ndodhë më vonë, ka thënë sot zëdhënësi i KFOR-it, Hans Peter Buh,
raporton RFE.
Raportet mes KFOR-it dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës janë acaruar që nga e
premtja e kaluar, kur në ceremoninë Epopeja e UÇK-së u paraqit e pajisur me
armë Garda e FSK-së.
Pas këtij veprimi, komandanti i KFOR-it ka pezulluar përkrahjen, mentorimin dhe
trajnimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës për afat të pacaktuar.
Ndërkohë, partitë opozitare në Kosovë i kanë sugjeruar Qeverisë që ti kërkojë
falje KFOR-it në lidhje me këtë mosmarrëveshje. Por, zëvendëskryeministri i
Kosovës, Hajredin Kuçi, ka hedhur poshtë një mundësi të tillë, duke vazhduar të
mbrojë paraqitjen e Gardës së armatosur më 5 mars.
Ky kërkim i faljes është ritual religjioz më shumë. Ata që shkojnë në xhami
apo kishë, kanë nevojë të kërkojnë falje. Në këtë rast, nuk mendoj se është
ndonjë arsye për të kërkuar falje. Është një arsye për sqarime të domosdoshme.
Ne i kemi pasur sqarimet e duhura, do ti bëjmë edhe tjerat.
Por, po ju përsëris, Kosova është shtet, i ka institucionet e veta. Do ta
respektojmë çdo njeri, qoftë vendor ose ndërkombëtar, që ka dhënë kontribut për
lirinë dhe pavarësinë tonë. Por, askush në këtë botë nuk mund të kërkojë nga ne
që të mos i respektojmë heronjtë tanë, ka thënë Hajredin Kuçi.
KFOR-i ka argumentuar se paraqitja në stilin ushtarak, nuk përkon me statusin
joushtarak të FSK-së.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka kujtuar se 5 marsi nuk ishte dita e parë
kur FSK-ja është paraqitur e armatosur. Sidoqoftë, Kuçi ka thënë se nuk ka
ndonjë betejë mes KFOR-it e Qeverisë.
Unë mendoj se këtu nuk ka asnjë mosmarrëveshje dhe mos të harrojmë se këtu nuk
ka betejë mes KFOR-it, FSK-së apo Qeverisë. Ka marrëdhënie të shkëlqyera, do të
vazhdojnë marrëdhëniet e tilla, por njëkohësisht më duhet të them se do të
vazhdojmë ti respektojmë heronjtë tanë, të kaluarën tonë dhe traditën
tonë.
Mos të mendojë dikush që, përmes një rasti të tillë, mund ta mohojë të drejtën
tonë për shtet, ta mohojë të drejtën për ti respektuar vlerat tona kombëtare,
kur e dimë të gjithë ne orientimin tonë për vlerat euroatlantike.
Ky ka qenë një rast i mirë për të sqaruar pozicionin tonë, por jo rast i mirë
për ndonjë konfrontim. Përndryshe, Garda ka qenë me armë edhe kur kanë ardhur
kryeministrat e ndryshëm, kur kanë ardhur edhe nënkryetarët e ndryshëm. Nuk
është bërë kiameti që ka dalë me armë edhe atë ditë, ka thënë Kuçi.
Në anën tjetër, komandanti i trupave amerikane të KFOR-it, gjeneral brigade,
Alan Dohrman, është cituar nga mediat vendore të ketë thënë se qëllimi i KFOR-i
nuk është që të shqiptojë ndonjë dënim kundër FSK-së, por që të arrijë një
marrëveshje të kënaqshme për të dyja palët. Ai ka thënë se çdo mosmarrëveshje
duhet të tejkalohet përmes dialogut të vazhdueshëm.
Një ditë më parë, Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, përmes një
komunikate për media, ka bërë të ditur se janë tejkaluar mosmarrëveshjet me
KFOR-in. Por, një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga misioni paqeruajtës
ushtarak.
Formimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka filluar një vit më parë, ndërsa
ngritja e kapaciteteve të saj është marrë përsipër nga NATO-ja.
Është po kjo aleancë ajo që ka autoritet ekzekutiv ndaj FSK-së, derisa kjo
forcë të arrijë kapacitetin e plotë operacional.
Ngritja e FSK-së parashihet nga Plani i Ahtisarit, plan ky që nuk pranohet nga
të gjitha vendet anëtare të NATO-s, meqë disa nga to nuk e kanë njohur ende
Kosovën.