Kufizimi i celularëve në GJKKO/ Dhoma e Avokatisë kërkesë zyrtare për rishikim të rregullores

Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë i është drejtuar zyrtarisht Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me një kërkesë për rishikimin e disa dispozitave të Rregullores së Brendshme për sigurinë, rendin, solemnitetin dhe rregullat e sjelljes në ambientet e GJKKO-së.
Kërkesa, e firmosur nga kryetari i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, mban datën 1 shtator 2026 dhe i drejtohet kryetarit në detyrë të GJKKO-së, Erion Bani.
Në qendër të kundërshtimit është neni 76 i rregullores, që lidhet me mbajtjen dhe përdorimin e telefonave celularë në sallën e gjyqit.
Dhoma e Avokatisë e konsideron këtë kufizim problematik për ushtrimin e profesionit dhe të drejtën e mbrojtjes.
Në kërkesën zyrtare, Dhoma e Avokatisë shpjegon se përdorimi i telefonit nga avokatët nuk lidhet vetëm me komunikimin, por edhe me përpunimin, administrimin dhe përdorimin e materialeve të nevojshme gjatë ushtrimit të profesionit.
Sipas saj, telefoni celular është tashmë një mjet pune i përditshëm për avokatët dhe kufizimi i përdorimit të tij në sallën e gjyqit mund të pengojë ushtrimin e mbrojtjes.
Dhoma kundërshton edhe argumentin se ndalimi lidhet me sigurinë dhe solemnitetin e gjykimit. Në dokument thuhet se rregullorja nuk parashikon në mënyrë konkrete sanksionet apo masat që gjykata mund të marrë ndaj palëve në proces për sjellje që cenojnë solemnitetin e gjykimit.
Në dokumentin prej dy faqesh, Dhoma e Avokatisë kërkon që dispozitat problematike të rishikohen, duke iu referuar nenit 158 të vetë Rregullores së Brendshme.
Sipas kërkesës, kjo dispozitë i jep titullarit të gjykatës mundësinë për të rishikuar nenet ku hasen vështirësi ose problematika në zbatim.
Dhoma shprehet gjithashtu se është e gatshme të bashkëpunojë në rastet kur ka shkelje të rendit dhe sigurisë nga avokatët, duke kërkuar njëkohësisht që rregullat të mos pengojnë funksionimin e mbrojtjes ligjore.
Një tjetër çështje e ngritur në dokument lidhet me kushtet për avokatët në ambientet e GJKKO-së. Pavarësisht rikonstruksionit të godinës dhe sallave të gjyqit, Dhoma vëren mungesën e një ambienti ku avokatët mund të qëndrojnë gjatë zhvillimit të seancave.
Në përfundim, Dhoma e Avokatisë kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të GJKKO-së dhe rishikimin e dispozitave të kundërshtuara, ndërsa shprehet e gatshme të bashkëpunojë për respektimin e sigurisë dhe rendit në gjykatë.