E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kujdesi ndaj bagëtive të imëta, është periudha e tyre e vaksinimit, kujdes gjatë mbarështimit

Kujdesi i rregullt për bagëtitë e imta është thelbësor për shëndetin e tufës dhe prodhimtarinë e saj. Specialistët e bujqësisë dhe veterinarisë theksojnë se vaksinimi i rregullt është masa më e sigurt për të parandaluar sëmundjet ngjitëse, të cilat shpesh shkaktojnë humbje të mëdha ekonomike për fermerët. Vaksinimet kryesore që duhet të kryhen në këtë periudhë janë kundër enterotoksemisë dhe sëmundjeve parazitare.

“Bagëtitë e imëta dhe kryesisht delet ka përfunduar cikli i laktacionit, sezoni i këtij momenti ka të bëj me disa parazitoza por edhe me një lloj vaksinimi që duhet kryer”, u shpreh Lazart Suraj, Përgjegjës i sektorit të punës racore, QTTB Korçë.

Edhe mbarështimi i dhive kërkon vëmendje të veçantë thotë Suraj.

“Fermerët të cilët mbarështojnë dhi, duhet që të fusin në riprodhim reproduktorët me vlera gjenetike më të mira që disponohen”, tha ai.

Specialistët e blegtorisë shprehen se një fermë e menaxhuar me kujdes, ku respektohen rregullat e vaksinimit dhe të ushqyerjes, është garancia për tufë të shëndetshme, prodhim të lartë dhe siguri ushqimore për konsumatorët.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›