Kujdesi për moshën e tretë në Maliq, qendra komunitare e qytetit ofron çdo ditë shërbime falas

Me rritjen e temperaturave në këto ditë të nxehta të verës, të moshuarit në Maliq kanë nisur të frekuentojnë gjithnjë e më shumë Qendrën Komunitare Ditore “Epoka e Artë”.
Aktualisht janë 36 të moshuar që e vizitojnë përditë këtë qendër, duke përfituar një sërë shërbimesh falas në kushte të përshtatshme dhe të sigurta.
Samit Agolli, 88 vjeç, është një nga frekuentuesit e rregullt. Ai shprehet se i kalon ditët në shoqëri me bashkëmoshatarë, duke luajtur domino, pirë kafe dhe marrë kujdes shëndetësor nga stafi.
“Na ndikon shumë mirë dhe na ndihmon, sepse është freskët. Lozim domino, shah dhe argëtohemi,” tregon pensionisti, z. Agolli.
Në qendër ofrohen konsultime shëndetësore, asistencë teknologjike, ndihmë sociale, si dhe organizohen aktivitete festive, ekskursione dhe takime komunitare, me qëllim mbështetjen dhe angazhimin aktiv të të moshuarve.
Armaldi Terolli, punonjës social në qendër, thekson se interesimi është në rritje dhe se stafi është i përkushtuar për të ofruar shërbime sa më cilësore.
“Në këtë qendër, përveç ofrimit të pijeve të buta, bëhet matja e tensionit, e diabetit, kryejmë asistimin në përdorimin e mjeteve teknologjike, kryejmë vizita në shtëpi, raporte sociale për të moshuarit që kanë më shumë probleme,” thotë z. Terolli.
Pëllumbesha Osmanllari, përgjegjëse e qendrës, apelon që në këto ditë të nxehta vere, të moshuarit të mos qëndrojnë vetëm apo në ambiente të papërshtatshme, por të afrohen pranë qendrës ku do të gjejnë kujdesin dhe mbështetjen që u nevojitet.
Qendra komunitare multifunksionale mbetet gjithmonë një alternativë e sigurt dhe funksionale për moshën e tretë në bashkinë Maliq.
Gazetar: E. Prrenjasi
/rtsh.al/