Kujtime nga 1 Maji 1990 në Korçë, kur qytetarët zgjidhnin natyrën

TIRANË, 1 maj/ATSH/ Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, e kremtuar çdo vit më 1 maj, përkujton përpjekjet e punëtorëve për të drejtat e tyre, veçanërisht reduktimin e ditës së punës në tetë orë.
Në Shqipëri, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve ka pasur për shumë vite një karakter të veçantë, sidomos gjatë periudhës së komunizmit. Në atë kohë, festa kremtohej me organizime të mëdha shtetërore. Veçanërisht në Tiranë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, organizohej një parakalim i përmasave të mëdha me pankarta dhe flamuj, ku merrnin pjesë nxënës, studentë, punëtorë dhe punonjës të institucioneve.
ATSH sjell sot në kujtesë një fotografi të veçantë nga 1 Maji i vitit 1990.
Fotografia është realizuar nga fotografi Gani Xhengo dhe është realizuar në qytetin e Korçës. Siç e shpjegon edhe diçitura që mban fotografia, qytetarët korçarë kanë zgjedhur që këtë ditë ta kalojnë në kodrat që rrethojnë Korçën, ku shkohej për piknik.
Pas viteve ’90, me ndryshimin e sistemit, mënyra e festimit ndryshoi ndjeshëm. 1 Maji u kthye më shumë në një ditë pushimi. Sot, kjo ditë ruan më shumë karakter social dhe rekreativ sesa politik.
/r.e/