Kujtimet e Mbretëreshës Geraldinë: Udhëtimet e frikshme në Europë pas ikjes nga Shqipëria

Geraldina në Shqipëri
“Kryeministri i Greqisë, Metaksa, refuzoi përpjekjen e Zogut që të drejtonte luftën në Shqipëri”
“Në Greqi, ballë për ballë me vdekjen 55 ditë me radhë”. Nga kujtimet e mbretëreshës Geraldinë, në numrin e kaluar zbardhëm përjetimet nga rrugëtimi sfilitës në tokën helene në pragun e pushtimit fashist të Shqipërisë. “Bashkë me Lekën e porsalindur, shkruan bashkëshortja e Mbretit Zog, duke iu referuar kohëqëndrmit në Greqi, bashkëjetuam gati dy muaj me vdekjen orë e çast”. Geraldina bën të ditur se është detyruar të lërë Shqipërinë dhe të marrë rrugën e emigrimit mëngjesin e 6 prillit 1939, kur ende nuk kishte mbushur 24 orë që ishte bërë nënë, për t’u ribashkuar me të shoqin dhe karvanin prej 1500 zyrtarëve të oborrit në Follorinë dy ditë më pas. Aty, kujton ajo, autoritetet na njoftuan se ishin urdhëruar për të na çarmatosur dhe për të na shpërndarë në zona të ndryshme të Greqisë. Mbreti Zog dhe familja e tij do të mbylleshin në Volos; anëtarët e qeverisë dhe të tjerë oficerë do të burgoseshin në Kozan, pjesa e mbetur do të izolohej në një ishull. Sidoqoftë, ultimatumi i policisë greke, pohon më tej Geraldina, mbeti në fuqi vetëm disa minuta, pasi ndërhyrja e Mbretit Zog te kryeministri i Greqisë e bëri të paefektshëm dhe ne për disa ditë u sistemuam në një hotel në Larisa. Por dhe aty, për rrethana nga më të ndryshmet, peripecitë nuk kishin të mbaruar, deri mëngjesin e 2 majit, kur u detyruam të shkojmë në Turqi. Pjesa në vijim ka të bëjë me kujtimet e zonjës Geraldinë nga ditëqëndrimi në Stamboll dhe rrugëtimi drejt Rumanisë, Polonisë, Letonisë, Suedisë, Norvegjisë, Francës dhe Anglisë, të cilat po i botojmë sipas shqiptimit të saj, marrë nga monografia e “Geraldina” e Leon Mollës…
Ishte e kthjellët për të gjithë ne që jeshëm kaq afër ngjarjeve të Evropës se lufta do të kërcitte për së shpejti midis fuqive të boshtit nga njëra anë dhe Francës e Anglisë nga ana tjetër. Ishte e kuptueshme se mund të bënim më shumë punë në Paris ose në Londër se sa këtu dhe kësisoj Mbreti vendosi të nisemi në 30 të qershorit.
Megjithëse hekurudha ishte mjeti më i shpejtë nëpërmjet Evropës, ishte e pamundur për ne sepse tërë vijat hekurudhore kalojnë nëpërmjet Italisë. Udha më e mirë ishte të merrnim një anije me vete po asnjë kapiten nuk mundesh të merrte përsipër garancitë e jetës tonë, sepse anija duhet të kalonte nëpër ujrat Italiane dhe kishnë frikë se mos i mirrnin me forcë dhe i internonin diku. Kështu që u detyruam të marrëm rrugën më të gjatë dhe u nismë me një anije që arrinte në Dobruxhe të Rumanisë. Në marrëveshje me Mbretin Karol një tren i veçantë na mori e na çoi në Bukuresht. Këtu u pritëm në mënyrë të zjarrtë dhe çdo herë që dilja jashtë me qindra hungarezë, që përbëjnë një moniritet të fortë të Rumanisë mblidheshin të më duartrokisnin dhe përshëndesnin. Kur Mbreti Karol na ftoi për drekë, e priti tim shoq me shumë përzemërsi po ndaj meje qëndroi i ftohtë pakëz, për shkak të entuziazmit të Hungarëzëve, që nuk ja kish qejfi.
Nuk dinim ç’të bënim kur pamë se në atë kat të Hotelit qëndronte ambasadori i Italisë fashiste. Gjatë tërë kohës që qëndruam këtu, oficerët Shqiptarë që bënin roje para apartamentit tonë kishin para syve rojet fashiste të ambasadorit.
Nga Bukureshti u nismë për në Varshavë, ku na u bë pritja më e madhe e tërë udhëtimit tonë. Polakët ishin në merak të madh rreth fatit të tyre dhe në fakt sulmi i gjermanëve nuk ishte veçse pak muaj më tej. Polakët treguan një përzemërsi të madhe dhe shfaqën keqardhje të madhe për fatin tonë, fat që do t’i gjente dhe ata vetë siç i gjeti.
Këndej u nismë për Norvegji, dhe këtu për të parën herë në udhëtimin tonë Leka na u sëmur. Foshnja e vogël me guxim kishte përballuar kaq shumë ndryshim klimash nga e nxehta në të ftohtë pa u ankuar asnjëherë, kish udhëtuar mijëra milje me veturë, tren dhe det dhe më së fundi tërë këto mundime e lodhën shumë sa nuk duroi dot më. U sëmur rëndë por pas pak ditësh u duk se e mori veten përsëri dhe u bë mirë. I ra temperatura dhe përfituam nga ky fakt për t’u nisur për Belgjikë.
Edhe këtu si në Suedi, qytetarët u suallnë përzemërsisht po nuk u bënë shumë merak për fatin tonë. Së këndjemi u nismë për Paris ku do të qëndronim për mjaft kohë.
Shumë nga miqtë dhe shokët tanë ishin larguar për t’u bashkuar me të afërmit e tyre dhe nuk mbetmë tani veçse nja dyzet vetë duke përfshirë dhe motrat e Mbretit, disa oficerë, Cambelani i Pallatit, Ish Ministri i Oborrit, dhe koloneli i rojeve Mbretërore. Muarmë me qera një vilë afër Versajës, Kështjellën Le May dhe këtu dëgjuam shpalljen e luftës në Shtator të 1940. Së këndejmi u nismë për Paris në Hotelin Trianon dhe pak kohë më vonë muarmë me qira një Vilë në Pontoise, disa kilometra në Veri. Gati përditë im shoq bisedonte me gjeneralë Francezë dhe oficerë të tjerë të lartë që kishin shumë besim në cilësitë e vijës së famshme të mbrojtjes-Maginot-që ishin fortifikuar shumë mirë. Ata nuk mundnin t’i kuptonin ndjenjat e Mbretit në atë kohë që nuk kishte besim në qëndresën e këtyre fortifikatave kundër armës ajrore. Ngjarjet e mëvonëshme, si dihet, i dhanë të drejtë.
GJERMANËT NA NDJEKIN KËMBA-KËMBËS
Tërë ditën e tërë natën e frenqtë kalonin pranë vilës tonë duke mbartur ato që mundnin nga gjërat e tyre. Një natë Pontoise u bombardua rëndë dhe me qenë se nuk ishte një pikësynim ushtarak, Kryetari i Bashkisë na tha të largohemi se ish i bindur se prania jonë kish sjellë bombardimin.
U kthyem në Paris dhe qëndruam këtu tetë orë para ardhjes së gjermanëve. Pastaj mblodhëm plaçkat që mundëm të marrim me vete duke i ngarkuar në makinat që kishim dhe u nismë për Bordeaux. Duke udhëtuar karvani ynë i vogël u qëllua me mitraloz disa herë nga ajrore që ktheheshin në bazë pas një bombardimi dhe një nga makinat tona u godit, por për fat të mirë pa dëm. Im shoq desh të qëndronim në Orleans, qyteti më i afërt, por unë ju luta që të mos qëndronim këtu po të vazhdonim udhëtimin deri në pyllin më të afërt dhe aty kaluam dhe natën. Me të vërtetë patëm fat që vajtëm të flemë në pyll se pikërisht atë natë Orleans u bombardua rëndë. Masandej për çdo natë gjatë udhëtimit tonë të ngadalshëm – sepse na duhesh të kalonim për midis vargje të pa mbaruar njerëzish, burra e gra refugjatë, që shtynin kush karron e dorës kush karrot e rënda mbushur me ato plaçka që kishim marrë me vete aty dhe djepe të vogla fëmijësh – ne fletëm në pyje ose në fushë të hapët larg qyteteve. Disa herë frenq zemërbardhë na hapën shtëpitë e tyre. Më vjen ndërmend një zonjë e re që priste për të lindur fëmijën e parë. Një vajzë e vogël lidni disa ditë më vonë dhe për nder t’onë i dhanë emrin Gjeraldinë. Kishim telefonuar më parë për të porositur dhomat në një hotel afër Bordeaux-e por kur erdhëm e gjetëm hotelin të zënë nga ushtria frënge dhe komandanti nuk deshi të na shohë me sy të mirë. Por një nga Princeshat qe sëmurur rëndë dhe pa dashur ju desht të lirojë një dhomë për të dhe mua me Lekën. Kryetari i Bashkisë ofroji shtëpinë e tij Mbretit dhe familjes dhe pas kësaj muarmë lejen të futemi në një konventë të zbrazët. Gjendja politike po keqësohej me shpejtësi. Mbreti Zog u takua me ambasadorin spanjoll dhe i kërkoi të drejtën e strehimit politik në Spanjë. Frankua u përgjegj se do të na pranonte në se do mundnim të vononim arritjen tonë dhe për disa ditë më tutje. M’u duk se s’na kish mbetur më asnjë shtet në Evropë, asnjë vend ku të futnim kryet dhe në çdo orë gjermanët afroheshin si një valë që nuk i del dot gjë përpara. Kur të arrinim çdo na gjente ne? Sigurisht do të na kapnin dhe ndofta mundet të n