Kukës – Heqja e tarifës së çerdheve dhe kopshteve, lehtësim ekonomik për gratë kryefamiljare

Aleanca e Grave Këshilltare pranë Bashkisë Kukës ka ndërmarrë një nismë të veçantë në mbështetje të grave që janë kryefamiljare. Iniciativa synon lehtësimin e ngarkesës financiare për këto familje, përmes propozimit për heqjen e tarifës që aktualisht paguhet për fëmijët e tyre në çerdhe dhe kopshte.
Ky hap shihet si një mbështetje konkrete për gratë që përballen çdo ditë me sfida të shumta ekonomike dhe sociale, duke i ofruar atyre një ndihmë të drejtpërdrejtë për të siguruar kujdesin e nevojshëm për fëmijët dhe për të përmirësuar cilësinë e jetesës së familjeve të tyre.
“Kemi marrë një iniciativë për heqjen e tarifës për gratë kryefamiljare që kanë fëmijët nën kopshte dhe çerdhe. Pra që nga sot, e në vijim nuk do të paguajmë asnjë tarifë”, tha Aurora Guska, anëtare e Këshillit Bashkiak.
Sipas Guskës aktualisht në bashkinë Kukës janë mbi 20 gra kryefamiljare, një shifër që mund të ndryshojë.
“Janë mbi 20 gra, por kjo vjen duke u shtuar apo duke u pakësuar vit pas vit. Ky vendim do të jetë në zbatim edhe muajt dhe vitet e tjera për të gjitha gratë kryefamiljare”, theksoi ajo.
Kjo nismë pritet të japë një shembull pozitiv të mbështetjes sociale në nivel vendor, duke e bërë më të ndjeshme kujdesin ndaj shtresave më të brishta të komunitetit.
Gazetare: I. Bajraktari
/rtsh.al/