Kukës- Ishte dënuar me burg për plagosje, arrestohet 42-vjeçari

Një 42-vjeçar është arrestuar nga Policia e Kukësit. Sipas informacionit zyrtar, mësohet se Gjykata e Shkallës së Parë të Kuksit e ka dënuar 42-vjeçarin me 9 muaj burg për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, pasi në muajin gusht 2022, ka goditur me send të fortë një person.
“Kapet dhe vihet në pranga një 42-vjeçari në kërkim, i dënuar me 9 muaj burgim, për plagosjen e një shtetasi.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë bërë të mundur lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasit në kërkim:
-Xh. D., 42 vjeç, banues në fshatin Shtanë.
Gjykatës e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës e ka dënuar këtë shtetas, me 9 muaj burgim, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, pasi në muajin gusht 2022, ka goditur me send të fortë shtetasin A. D”, thuhet në njoftim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.