Kukësi i plotë, gati të likujdojë edhe Elbasanin
Për ndeshjen e nesërme trajneri Berberi do të ketë të gatshëm kapitenin Koçi dhe mesfushorin serb Jevdeviç
Fitorja tenistike me Adën natyrisht që i ka gëzuar jo pak stafin, tifozët dhe presidencën kuksiane. Presidenca e Kukësit mbeti e kënaqur me paraqitjen e kipit, ndërsa trajneri Shahin Berberi thekson se nuk ka kohë për të festuar, pasi nesër vjen Elbasani. Kuksianët presin fitoren e radhës për të konsoliduar pozitat në tabelën e renditjes.
Stafi teknik është optimist edhe për faktin se dy sulmuesit kryesorë, Malo dhe Hamzai, javët e fundit nuk po shënojnë rregullisht. Në kampin kuksian mendojnë se Lushnja do të bëjë një tjetër hap fals këtë javë, që ata duhet ta shfrytëzojnë maksimalisht.
Rikthimet Ndryshe nga ndeshja me Adën, ku mungonin titullarët Ervis Koçi, kapiteni që po bën një sezon të shkëlqyer, dhe serbi Milosh Jevdeviç, me Elbasanin ekipi do të jetë i plotë. Të dy këta futbollistë rikthehen dhe i japin më shumë siguri ekipit.
Tifozët kuksianë po e mbështesin shumë ekipin e zemrës dhe, duke qenë se me Elbasanin konsiderohet një sfidë e rëndësishme, ata u kanë premtuar futbollistëve se do të jenë më të shumtë në numër.
