E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kukësi në nisje të vitit të ri shkollor, fundjavë përgatitjesh për fëmijët e prindërit

Fundjava e fundit para nisjes së vitit të ri shkollor ka gjetur prindërit kuksianë të angazhuar maksimalisht në përgatitjet për fëmijët e tyre.

Në tregun industrial të qytetit, mëngjesi i së shtunës është karakterizuar nga fluksi i lartë i qytetarëve që janë përqendruar kryesisht në blerjen e çantave shkollore dhe rrobave për shkollë.

Pavarësisht vështirësive ekonomike, shumë prindër thonë se janë të detyruar të përfundojnë çdo përgatitje, në mënyrë që fëmijët e tyre të nisin mbarë vitin shkollor 2025–2026 që nis këtë të hënë, më 8 shtator.

“Kam dy fëmijët që t’i nis në shkollë dhe kam ardhur për të blerë rrobat dhe artikujt shkollorë. Kushtojnë shtrenjtë, 200 mijë shkojnë shpenzimet.”

“Blejmë rrobat dhe gjërat e shkollës me aq mundësi që kemi. Mundësia është e vogël, por të shohim të marrim gjërat kryesore. 100 ose 80 mijë lekë shkojnë, por varet nga mundësitë aq sa kemi.”

Sipas të dhënave nga ZVA-ja në Kukës janë regjistruar mbi 900 nxënës në klasat e para dhe të dhjeta këtë vit. Ndërkohë, procesi i shpërndarjes së librave është mbyllur me sukses në të gjitha shkollat.

Në total, 54 shkolla në Bashkinë e Kukësit do të hapin dyert më 8 shtator për të pritur nxënësit të cikleve të ndryshme arsimore.

Gazetare: Shkurte Elezaj

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›