E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kullolli: Vijon verifikimi i dëmeve në bujqësi, blegtori dhe pyje nga zjarret

TIRANË, 19 gusht /ATSH/ Vijon procesi i verifikimit të dëmeve të shkaktuara nga zjarret e fundit që përfshinë disa zona të vendit, si pasojë e temperaturave të larta dhe kushteve ekstreme të motit.

57 veterinerë dhe ekipe të posaçme të Agjencisë Kombëtare të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) janë në terren për të identifikuar dhe dokumentuar dëmet në blegtori dhe bujqësi.

Drejtori i AKVMB-së, Sulejman Kullolli u shpreh se, “pasi të përfundojë verifikimi dhe identifikimi i plotë i dëmeve, do të vendoset për dëmshpërblimet”.

Sipas tij, deri më tani janë evidentuar: 13 gjedhë të djegur; 262 krerë të imta; 7 njëthundrakë; 1 derr; 90 shpendë; 7 stalla të djegura dhe 747 koshere me bletë të shkatërruara.

Zonat më të prekura janë Njësia Administrative Skënderbegas (Gramsh) dhe Bashkia Delvinë, ku zjarret kanë qenë më të fuqishme dhe kanë zgjatur më shumë në kohë.

Kullolli tha se, ekipet po kryejnë gjithashtu groposjen e kafshëve të ngordhura dhe dezinfektimin e zonave të prekura, për të shmangur përhapjen e ndonjë sëmundjeje të mundshme.

Ai i bëri thirrje për bashkëpunim banorëve në raportimin e çdo dëmi, në mënyrë që procesi i kompensimit të jetë sa më i drejtë dhe i plotë.

Dëmet nga zjarret, Rama: Rindërtojmë falas shtëpitë, rifinancim për bagëtitë e humbura

/e.xh//a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›